Libër që shpalos një botë të thellësishme poetike

Kultura

Libër që shpalos një botë të thellësishme poetike

Mikel GOJANI Nga Mikel GOJANI Më 28 janar 2022 Në ora: 09:28
Kopertina e librit

Libri i fundit me poezi i poetit Llesh Ndoj, me titull: “Pasaportë”, botuar me rastin e 60-vjetorit e lindjes së tij, shënon vazhdimin e ligjërimit të filluar poetik, por tash me një zë më të thelluar, më të shtruar dhe më sublim, që dëshmon se ky poetbëhet gjithnjëe më këmbëngulës në gërmimin e fshehtësive të botës letrare  dhe shqiptimin e tyre me gjuhën e poezisë.

Poeti i cili pasqyron botën e pasur shpirtërore.

Duke shkruar rreth vlerave ideoartistike të këtij vëllimi poetik, shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë shqipe Vlash Prendi, thekson se: “...poezia e Ndojit pasqyron botën e pasur shpirtërore që lëviz pareshtur brenda shpirtit të tij fisnik, duke përçuar  në ҫdo moment, mendime dhe ndjenja të fuqishme e delikate, ku spikat një frymëzim poetik i motivuar dhe kreativ”. Megjithëse, pohon studiuesi Prendi, ankthi ështënjënga ndjenjat shokuese që përshkon poezitë e këtij vëllimi, autori nuk e ul kurrsesi  gjendjen e tij morale deri në pesimizëm, por as nuk i ul vlerat artistike të veprës, sepse në shumë poezi, poeti luan  me figurën dhe triumfon  mbi këtë ndjenjë sunduese, duke gatuar poetikisht shpresën për të ardhmen. Ky fenomen shfaqet që nëfillim të vëllimit përmes poezive që i kushtohen përshkrimit artistik të identitetit, metaforizuar në emërtimin “Pasaportë”..., pohon shkrimtari Prendi.

Harta poetike e atdheut e dizajnuar në varg.

Në këtë vëllim poetikbie në sy, para se gjithash, përpjekjet e poetit qё të krijojë hartën poetike gjithëkombëtare, me një gjuhëdhe me një shprehje krejt të mëvetësishme. Kjo tendencë vërehet që nga poezia e parë e këtij libri “Gjaku kurrë nuk bëhet ujë”, poezi e cila nis si prolog  dhe hap këtë libër me vlera, përkatësisht e projekton dhimbjen, krenarinë  dhe dashurinë  që do të këndojë poeti. “...Heu Domgjon, gjaku e ashti jonë!/ Sa larg ty sot të ka mbërri zani, / Dritë vegim na shfaqet si kudo, / Referencë je, ndër shtigje shtegtari./ Je trualltrimërie, frymëzim e rini/  Je i Atë Gjergjit e Hasanit tonë poet,/ Shekuj në Ty dëshmuan kreni/ Të qofshim falë e borxhli përjetë./ Jam unë krenar dhe do të jem. / Sa të jetë jeta, trashëgim ndër breza /Është aty zemra e s’ndahet kurrë, / Vargje për Ty, do të shkruajë zemra…”.(Poezia, Gjaku kurrë nuk bëhet ujë, fq. 23).

Tësёnjëjtës frymë janë edhe poezitë në vijim të librit, si  Gjagëza, Vau, Kodra e trojeve, Arat e Gjata, Molla e Kuqe, Dushkajë e Jabllanicë, Prizren e Gjakovë etj. E nё kёtё tё fundit emocionet rriten, sepse zemra e poetit rreh pёr atdheun, pёr bashkimin, pёr dashurinё vllazёrore. Prandaj ai shprehet: “...Bashkë me Prizrenin dhe Gjakovën tonë/ Jemi një gjak, një zemër e pompon,/ Ndarë prej një trungu kurrë të harruar,/ Domgjon ata mbiemrin kudo kanë jetuar./ Degë të një trungu zemra na bashkon/Larg e afër jem, të gjithë ne Domgjon,/ Një shekull të ndarë nga kufiri i mallkuar/ Një shekull distancë, por jo të harruar. / Kemi ne plot troje, por vetëm një emër/ Dyert hapur vllazën, janë edhe do mbeten,/ Me mikpritje ne,si e kemi traditë, / Se jemi domgjonas, Fanë e Mirditë…” (Prizren e Gjakovë - Dy trupa në një zemër, fq. 33)

Hapësira shqiptare në historinë e saj, me frymën e aktualitetit dhe përgjithësisht genit e identitetit nacional këndohen qëndrueshëm dhe pa u ndalur. Prandaj gjithë ajo toponomastikë poetike vërehet te ky vëllim poetik, regjistruar nё kujtesёn njerzore dhe derdhur bukur nё artin e magjishёm tё poezisё. Nga ana tjetër, sikur e gjithë tematika e motivimit tё shqetësimeve  poetike, ngushtohet e përqendrohet vetëm në një pikë: te poetika atdhetare dhe fryma e amshueshme e rezistimit tё popullit tonё nëpër shekuj. Të këtij motivi hasim poezitë si “Lezha jonë”,“Thonë në Fanë koha ka ngri”, “Mirditë mbretëreshë e tokës”, “Atdhe” etj.“...Atdhe…/ Dheu i atit,/ Dheu i shejtë./ Për ty jetuan,/  Luftuan e ranë. / Të kombit korifenjtë, /
Atdhe…/ Tokë e bekuar, / Që eshtrat s’t’i tret,/ Për Ty luftoi, / E s’u dorëzua kurrë / I madhi Skënderbeg,/ Për ty, atdhe. / Pronë e shpirtërave të lirë, / Këmbëzbath e barkuritur, / Bijtë e tu luftuan / Luftuan e fituan, / Ta sollën Lirinë…(Poezia, Atdhe, fq. 44).

Ashtu si në shumë poezi të tjera, edhe në këtë poezi, autori  ka investuar dashurinë e tij jetësore dhe idealin e tij krijues – estetik dhe poetik. Dhe që në fillim poetit i vijnё në ndihmë peizazhet  e bukura tё Atdheut, pamjet mahnitёse tё vendlindjes, qё i vesh artistikisht me figurat e tij mё të parapëlqyera poetike. Në këtë poezi krijuesi Ndoji shkrin gjithë nervin e tij poetik të frymëzimit vetëm e vetëm që të arrijë synimin dhe obligimin qё i kishte vënë vetes, që poezia të krijohet në mënyrën më cilësore dhe me vlera esteto-stilistike. Dhe këtë objektiv poeti Ndoji, përmes mjeshtërisësë tij të shkrimit, ia arrin qёllimit me vargun e tij shumë cilësor dhe tepër artistik. Një hapësirë meritore në këtë vëllim poetik zënë edhe  poezitë e krijuara me sens  përkushtues, ku me një qetësi dhe plot devotshmëri portretizohet nderimi që u bën kolektivitetit tё figurave të shquara të historisë dhe kulturës së  kombit tonë, si Gjergj Kastriotit, Hasan Hasanit, Prenk Tuc Dodës, Anton Çettës, Ibrahim Rugovës, Migjenit, Ndoc Gjetjes, Atë Gjergj Fishtësetj. “...Fishta ishte NJË/ NJË dhe mbeti, /NJËSH do të jetë/ Ai është Homeri. /Në sofrën poetike/ Fishta krushkaparë, /Me vargjet epike Kryebajraktar. /Meshë në kishë ngriti/ Teolog i rrallë,/ E kujton Manastiri Kryegjuhëtar…(Poezia, Fishta, fq. 194).etj.
Në vëllim, natyrshëm zejnë vend poezi kushtuar shokëve e miqve të autorit siMark Dushi e Prend Jak Ndreka, e sidomos njerëzve të afërt të tij si Hajdar Zef Domgjonit, Leandrës në ditëlindjen e saj, Ana Marijes në ditëlindjen e dhjetë etj.

Në shumë vargje të poezive të Ndojit spikasin tema dhe motive që mëtojnë të shqiptojnë  aktin e rinjohjes  së njerëzve dhe pjesëve të shkëputura të atdheut. Këto poezi, në një farë dore i rëndon nostalgjia më shumë se ato të motiveve të tjera, sepse janë para së gjithash shenjëzim  i përjetimit më njerëzor të krahëve të shkëputur të Shqipërisë, që përpiqen të rinjihen dhe të ripërqafohen. Nё kёtё vёllim tё bukur, janë të shumta poezitё që ngërthejnë këtë frymë tematike të cilat i japin  shpirt vargëzimit poetik.Te cikli Pasaportë, i cili njëherësh edhe  mban titullin e këtij libri gjejmë të ndërtuar një poemth mjaft interesant, si nga aspekti motivor, ashtu edhe për nga ndërtimi esteto – stilistik dhe letrar.

“Pasaporta” e jetës shpirtërore...

Poemthi“Pasaportë” që merr emrin edhe i gjithë vëllimi poetik, sikur i pёrmbledh, i sintetizon, i pёrfaqёsondhe i shtreson temat dhe motivet, lajtmotivin kryesor që ngërthejnë vargjet e librit nё tërësi. Poeti Ndoji sikur i riartikulon imazhet e kujtesës, imazhe qё kanё lёnё gjurmё tё thella nё qёnien e autorit. Sfondi poetik sikur mbulohet me një strukturë të thellë metaforash, epitetesh, krahasimesh dhe figura të tjera stilistike, pёr tё na dhёnё njё ndjesi tё rrallё shpirtёrore.Tek këto vargje vërejmë një stil shumë interesant në botën tonë letrare, por edhe vlerat artistike lartësohen në një cilësi shumë të pasur, qe këto vargje i bëjnë unikale, si për nga vlerat ideoartistike, po ashtu edhe për nga ndërtimi leksikor. Pra, pёrmes poemthit tё konceptuar mjaft bukur në brendinë e këtij libri me titull” “Pasaportë’, krijuesi Ndoji u këndon poetikisht atyre temave, ideve, preokupimevedhe përmbajtjeve jetësore – shpirtërore, që u ka kënduar më parë. Janë po ato gjurmë figurative, ndjesore, gjurmë jete, gjurmëvuajtjesh, plagё malli… janë poato shtigje, balada e kalvare poetike – jetësore, qe ka kaluar autori, drejt  caqeve kah shpresa etj., po ajo shkurtësi funksionale dhe estetike e vargut. Me këto vargje, poeti Ndoji thyen atë rutinën e stilit të njëjtë duke sjellë një formë unikale në aspektin e ndërtimit përmbajtësor dhe estetiko – stilistik të vargëzimit nё poezinё shqipe.

Poeti,brenda poezive të tij, sajon eskicon edhe një ditar jete, plot kujtime të përjetuara nëpër kohë e mote, që shënon në kalendarin e tij – ditarin jetësor ngjarje tё jetuara qё kanё lёnё gjurmё tё thella nё memorjen e tij historike. Të tilla përmbajtje ngërthejnë poezi, si Kalendar, Axha Gjetë, Kalendarët vënë e vinë, Bregu tjetër, Çaste është jeta, Dallgët e lotdetit, Pritë më zunë kujtimet, Kujtime të rizgjuara, Dikur…, Copëza jete është, Grimcat e kohës i mblodha, Zemërimi i lahutës etj.Parё nё kёtё aspekt, zëri i poetitLlesh Ndoji nuk shuhet, as burimet e tij krijuese nuk shteren. Lëvizjet poetike janë ndjerë si lumë. Së këndejmi shquhet edhe një karakteristikë tjetër e kësaj poezie: kapja e segmenteve jetësore në lëvizje. Sikundër vërejmë te poeti Ndoji, ky krijues shquan prirjen e tij për refleksione poetike, por edhesubjekti lirik nukmund të çlirohet nga kujtimet. Këto kujtime herë e mbushin poetin jetë dhe i japin gjallëri, herë - herë vijnë si njëdënesje e heshtur, si njё mall i pashuar pёr vendlindjen. Po ky konceptim dhe përjetim i jetës në lëvizje, i strukturuar mbi bazën e kontrastit përmbajtësor shkrihet edhe të poezitë në vazhdim. Edhe poezitë kushtuar shkrimtarit të mirënjohur kosovar me origjinë nga Mirdita, Hasan Hasani – Përkola por dhe Ndoc Gjetjes, ngërthejnë një vulë të një epoke të caktuar dhe me shumë vlerë. “...Prej Pren Kolës tek Mal Hasani / Treqind vite në mes kanë hy’, / Gjersa i yni shkrimtari Hasani/ Historinë e ka pa n’sy./ Ka gërmue thellë n’gojëdhana/ Tue kujtue rrugët e gjata,/ Nga Munella gjer tek Dushkaja/ Gjysh mbas gjyshi deri tek rraja./ N’mend i ranë do fjalë të motit, / Nuk vonon dhe e thërret gjaku / Me Gjokë Gegën kurrë të ndarë,/ Shkojnë trokasin të dy tek pragu, / N’kullën e lashtë katërqindvjeçare...”. (Poezia, HasanHasani– Përkola, fq. 173. )   

 

Mozaikët poetikë: Jeta, peizazhi, ironia, refleksioni.

 

Në vazhdim të librit “Pasaportё” tё poetit Llesh Ndoi, hasim poezi që ngërthejnë tema dhe motive të nduarduarta, një larushi temash dhe motivesh poetike, njё kolorit ngjyrash artistike kryesisht nga jeta, peizazhi, ironia, refleksioni etj.Në variacionet e saj, jeta personale -meditative është rrjedhë konceptesh edhe në hapësirat lirike të vargjeve në vazhdim. Duke i lexuar këto poezi, të krijohet përshtypja sikur poeti ka shkruar një poemë të thurur nga njësi poetike të veҫanta që ndërlidhennë sfodin e përgjithshëm strukturor e tematik të librit, ku ngrehina e tij lirike është e përbërënga mozaikë poetike tëkëndimeve dhe rikëndimeve të veçanta mbi të kaluarën, jetën, fatin, kohën…

Mbi këto tema dhe motive janë të krijuara poezitë si: Udhëkryqeve, Maskat, Unë e Hana, I fola dallëndyshes, Bashkëme rrjedhën e Drinit, Kurçel një ditë e re, Bisedë në kohë tjetër, Drinin s’e kuptova, N’breg të Drinit, Thesarii fshehur, Kur frolliz bora në qytet, Njeriu i  ri,  U zgjua sot Drini Plak, Shkëlqim i rremë, Pse shkrijnë akujt në pole, Thesar i fshehur, Lutja ime, Nëse, Lermë, Pelegrinë n’ishullin e dashurisë, Ah ky lumi i Matit, Stacioni i parë, Trokitje në dritare, Shiu i verës, Lulet protestojnë, Ma vodhën muzën, Simfoni e Shpirtit, Loti, Mos ma ngjyros lotin, N’urën e shpresës,  etj. Pra, te disa poezi i këndohet natyrёs bashkë me bukuritë e veta dhe peizazhin qëajo krijon, ku natyra konceptohet poetikisht si një element i rëndësishëm  i strukturës  kuptimore tё poezisё, për t’i dhënë zë botës së brendshme të personazhit lirik, për të na shfaqur e zbuluar imazhe të tëra shpirtërore e tablo tëveçanta me një natyrshmëri të thellë poetike. Ky projektim i fenomeneve, kategorizimeve dhe përjetimeve, konceptim i thurur mbi bazën e kontasteve poetike dhe të ballafaqimit të këtyre proceseve dhe përjetimeve, përben njërën nga vlerat mё tё veҫanta tё kësaj poezie.

Libri më i ri poetik i autorit Llesh Ndoj vjen si vijimësi e krijimtarisë së tij të mëparshme, dukshëm duke e konsoliduar më tej stilin e tij të shkrimit dhe duke e afirmuar atë si një zë të veçantë në poezinë e sotme shqipe. Poezia e poetit tё mirёnjohur Llesh Ndoj ёshtё njё poezi e thjeshtё, e bukur, emocionuese, plot kolorit dhe ide, që e mban lexuesin tё ngёrthyer nё parashtrimin artistik tё ҫёshtjeve jetёsore, ku primare janё dashuria pёr njeriun dhe vendlindjen.

Koha do ta vlerёsojё mё mirё krijimtarinё e kёtij poeti me vlera.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat