Romani “Mbreti” i Viron Konës një apel, për shoqërinë

Kultura

Romani “Mbreti” i Viron Konës një apel, për shoqërinë

Nga: Fran Gjoka Më: 4 prill 2022 Në ora: 11:26
Kopertina e librit

Viron Kona prezantohet kësaj here përpara lexuesit me romanin e tij më të ri “Mbreti”. Ky shkrimtar vijon i vendosur dhe energjik rrugën e tij krijuese, teksa deri më sot shifra e botimeve të tij e kalon numrin 50. Bisedat me të janë përherë entuziazte, ndërsa boton një vepër letrare, ka në mendje krijimin e një vepre tjetër...

-Ndodh edhe kjo, - shprehet ai me sinqeritet, - që, ti je duke punuar një krijim artistik, ndërkohë të troket në kokë një ide apo subjekt tjetër më i fuqishëm, më frymëzues dhe më emocionues.

-Çfarë, e ndërpret punën e nisur dhe fillon tjetrën?

-Jo gjithnjë, por edhe ndodh. Figurativisht do ta shpjegoja kështu:Ti ke planifikuar diçka për të nesërmen, por befas të vjen një “mik”, madje edhe në mes të natës, i cili mbase edhe të zgjon nga gjumi. Kur ti shikon se cilin mik ke përpara, entuziazmohesh dhe planet që ke për të nesërmen i ndryshon. Kjo është krijimtaria, ajo që të duket më eomocionuesja, ajo për të cilën të rreh më fort zemra, ajo del “pa radhë” përpara dhe ti duhet t`i kushtosh asaj vëmendjen që meriton. Përndryshe zjarri krijues shuhet dhe ai frymëzim largohet, rrallë ndodh që të të kthehet përsëri. E. Pelin, një shkrimtar i njohur bullgar, thotë: “Duhet të të digjet shpirti zjarr që t’u thuash diçka të tjerëve”. Natyrisht që kjo është përvoja ime dhe nuk marrë përsipër të bëj “të diturin” për këtë çështje.

-Mos është kjo që po thua, të kalosh “degë më degë”?

-Mbase, dikush mund ta quaj edhe ashtu, por unë po shpreh thjesht një përvojë. Shërbimi më i madh i bëhet asaj vepre që të bën të ndihesh më i frymëzuar, veprës ku përjetimet i ke më të mëdha, ndjenjat dhe emocionet të vijnë më të fuqishme. Më ndodh shpesh herë që heq kapituj apo faqe të tëra nga ato që kam shkruar dhe zë i shkruaj përsëri, hedh aty mendimin e ri, që më duket edhe më i bukur, më frymëzues dhe më artistik. Dhe, e di, mendimet e bukura nuk vijnë duke “shtrydhur mendjen”, por duke punuar, ato vijnë kur përfshihesh i tëri në vërshimin dhe magjinë e punës krijuese. S`ka rëndësi as vendi ku je, as komoditeti, as kushtet e rehatshme. Mendimet më të bukura mua më kanë ardhur duke shkruar, por edhe në udhëtim, me furgon, autobuz apo aeroplan. Mbaj gjithnjë letra të bardha me vete dhe stilolapsin dhe sapo më vjen mendimi zë e shkruaj, nganjëherë nuk e ndiej fare udhëtimin sepse shkruaj papushim, ndodh edhe që më vjen keq që mbërrita në destinacion, sepse aty dhe vala krijuese ndërpritet.

-Është e rekomandueshme kjo mënyrë të shkruari?

-S`di se ka “mënyra” të caktuara se si të shkruash. Të erdhi, shkruaje. Jeta jetohet çdo moment, ashtu dhe vepra letrare mund të nis krijimin e saj çdo moment, nuk ka orë apo ditë të caktuar që të thuash:’Tani do të ulem dhe do të shkruaj një poezi, një tregim apo një fragment romani...!”

-Të lodh puna krijuese?

-Krijimi i vërtetë të rrëmben dhe nuk e ndien lodhjen. Po ndieve lodhje në letërsi, atëherë lëre fare!

-Le të vijmë te romani i ri që ju e titulloni “Mbreti”. Për cilin mbret bëhet fjalë? Apo është thjesht një libër për fëmijë me qëllim argëtimin e tyre?

-Ju e dini që fëmijët i dua shumë, por nuk mendoj që ky libër është për ata. “Mbreti” është një libër për të rritur. Ndërsa gjuha e përdorur dhe personazhet janë kafshë, libri ka gjuhën e Ezopit, ku kafshët nënkuptojnë njerëz. Idetë dhe mesazhet e librit ndonëse dalin nëpërmjet marrdhënieve të kafshëve, në thelb ato i bëjnë apel jetës dhe mbrojtjes së saj nga ata që uzurpojnë pushtetet, që mbretërojnë barbarisht, që kryejnë veprime mizore ndaj jetës së njerëzve. Mbyllja e shtigjeve për diktatorët, është kusht themelor për të jetuar të qetë, të lirë dhe në paqe. Historikisht por edhe realisht, diktatorët sapo marrin pushtetin dhe vihen në krye të një shteti apo mbretërie, ata heqin maskat, “harrojnë” premtimet e bujshme dhe shfaqen të dhunshëm, duke mbytur të drejtat dhe çdo liri të popullit të tyre apo të popujve të tjerë. Ata sundojnë duke përdorur metodën “përça e sundo!”, përdorin forma sundimi të rafinuara duke i hedhur njerëzit kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që hedhin edhe botën në luftëra të vazhdueshme, përfshihen në krime të panumërta njerëzore, janë shkaktarë dhe ideatorë të gjenocideve mizore dhe të vuajtjeve të shumta të njerëzve të thjeshtë, të pafajshëm e paqësorë, të cilët me naivitet, të mashtruar apo të manipuluar, u shkojnë pas si delet pas ujkut....Për dikatorin, njerëzit nuk janë njerëz, por ata janë hije, janë thjesht numra, janë “gurë shahu” që përdoren “mish për top”, siç përdoren ushtarët për t`u vrarë në luftërat pushtuese dhe grabitqare, gjithnjë për të realizuar qëllimet e mbrapshta ambicioze të diktatorëve. Ndërkaq, jo vetëm mbretërit dhe pushtetarët diktatorë, por edhe njerëz të tjerë në rrethana të caktuara bëhen më të këqijë se kafshët, ata vrasin njëri - tjetrin, spiunojnë, shkatërrojnë, djegin; “të fortët” dhunojnë më të dobëtit, ata përdhunojnë dhe bëjnë të gjitha të këqijat nga e para tek e fundit pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Si pasojë e konflikteve të mëdha për të ruajtur pushtetet, mbretëritë, për të përvetësuar padrejtësisht pronat, pasuritë, etj., kanë ndodhur në këtë botë përplasje njerëzore fatale.

Personazhi kryesor i romanit, “Mbreti”, është Luani i Dytë, mbreti i kafshëve të pyllit. Ai duke justifikuar egërsinë, babëzinë dhe makutërinë e vetë, “akuzon” njerëzit se “ata flasin për paqe, mbajnë fjalime, shkruajnë e çfarë nuk bëjnë që të tregojnë se janë paqësorë, por nga ana tjetër ata urrejnë dhe përbuzin, në njërën dorë mbajnë lule, kurse në tjetrën pas shpine mbajnë gati thikat, ata përgatiten për luftëra kundër njëri - tjetrit... Dhe, kur fillojnë luftërat ata përdorin armë të shfarrosjes në masë, armë kimike, armë bakteriologjike, armë bërthamore, që vetëm me një goditje shuajnë e zhdukin qytete dhe popuj të tërë. Në këto luftëra botërore ata vrasin pa mëshirë racën e tyre... Lufta e Parë Botërore pati afro 20 milionë të vrarë. Lufta e Dytë pati 60 milion njerëz të vrarë, luftërat rajonale... Pra, shekulli që kaluam, është shekulli më i turpshëm i njerëzve.... Sa herë thonë “paqe” ata mendojnë për luftën...”

Mesazhet e librit janë të shumta dhe të fuqishme. Një lexim i vëmendshëm na tregon se kemi përpara një libër me vlera, të shkruar me gjuhën ezopiane. Thuajse në çdo kapitull të tij duket se bie nga një kambanë, që na bën thirrje të jemi të vëmendshëm, syçelët, të besojmë në vepra dhe jo në fjalë boshe, të mbështetim dhe të ndihmojmë jetën tonë, të fëmijëve tanë dhe të brezave që vijnë, gjithnjë duke u ruajtur nga zgjedhja e vendosja në kryet tona të njerëzve mashtrues, mizorë, vrasës, dhunues e përdhunues, vjedhës të pangopur. Të mos lejojmë “mbirjen” dhe zhvillimin e diktaturave dhe të diktatorëve, të cilët ringjallen si Hidra (përbindëshi me trup gjarpri me nëntë koka, të cilit sa herë që i pritej njëra kokë i ringjallej koka tjetër).

”-Përpara se të më vrasin këta mua, do t`i vrasë unë ata”, - thotë mbreti Luani i Dytë dhe u sulet kafshëve me egërsinë më të madhe.

është i ndarë në kapituj dhe përpara lexuesit shfaqen skena të gjalla e krejt befasuese, ku tregohen krahas egërsisë dhe barbarisë, edhe vese të tjera që shfaqen në shoqërinë njerëzore, vese që jetojnë brenda qenies së disa njerëzve, të cilët e shfaqin “përbindëshin” apo “helmin” nga brenda tyre, madje në raste dhe rrethana të caktuara. “Pse u bë kështu ky?! Si nuk e paskemi njohur!? E vumë ujkun bari!” – thotë shpesh herë naivi i zhgënjyer përpara atij njeriu që pasi realizoi qëllimin, u shfaq ndryshe nga sa dukej e besohej. Psikologjia bën shpjegimet e duhura në kësi rastesh, kurse letërsia ka gjuhën e saj të rrëfimit, duke shfaqur, ndriçuar e portretizuar tipa, karaktere, personazhe që përfaqësojnë anë dhe pamje të ndryshme të njeriut, anë të mira apo të liga, e ndërmjet tyre fshihet e kamuflohet mjeshtërisht “përbindëshi” njerëzor...

Shkrimtari Kona duke përdorur mjete artistike e figurative, si dhe batuta të holla e shigjetuese, demaskon me sarkazëm, me ironi therëse, me urrejtje e përbuzje ligësinë dhe barbarinë, por edhe fshikullon fort edhe vese të tilla, si: servilizmi, spiunimi, mashtrimi, zilia, egoizmi, gënjeshtra, pabesia, korrupsioni...

Romani “Mbreti” të vë në mendime të thella për jetën. Ai të ngjallë forca dhe energji të brendshme, që të mos pajtohesh asnjëherë me të keqen...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat