Njerëzit e mirë si, Raif Xhelili, nuk vdesin kurrë!

Kultura

Njerëzit e mirë si, Raif Xhelili, nuk vdesin kurrë!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 4 maj 2022 Në ora: 12:51
Raif Xhelili

Akoma nuk është mbushur një muaj, nga e marta e 12 prillit, kur në spitalin e Prishtinës, ndërroi jetë, për të mos vdekur kurrë, Raif Xhelili, nga Nasalca e Komunës së Bujanocit.

Të gjithë e njihnin, të ndjerin Raif, dritë pastë shpirti i tij, e kjo tregon se sa të shumta janë ngushëllimet, që vijnë për të, qoftë në adresë të shtëpisë, qoftë përmes rrjeteve sociale.

Po si mos ta njihnin Raif Nasalcën, bujkun e vyeshëm e punëtor, i cili çdo të hënë, ditën e pazarit e takonin rrugës për t’i shitur prodhimet e tij bujqësore. Por, jo vetëm ditëve të tregut Raifin e takonin rrugës edhe ditëve të tjera më një biçikletë dhe me një kapele mbi kokë.

Gjatë takimeve me shokë e miq, kurrë nuk e vërenin se ai ishte nevrik dhe i pa disponueshëm, ndalej dhe llafosej me bashkëfshatarët e tij dhe të tjerët, që takonte rrugës për në qytetin e Bujanocit.

Popullariteti

Shoqëria e tij ishte e gjerë dhe shtrihej deri në Malësi të Bujanocit, meqë ishte dhëndër Priboci dhe kishte takime me shumë banorë të asaj zone kufitare me Kosovën.

Popullariteti i këtij njeriu të urtë dhe të sjellshëm, nuk kufizohej vetëm me punën, që bënte si bujk i vyeshëm e punëtor, por edhe si mjek popullor. Ai shëronte njerëz, që vuanin nga unazat e shpina, duke u bërë atyre masazh e duke i liruar nga ngërçet dhe dhembjet.

Punën e mjekut popullor, Raifi e bënte pa pagesë, në mënyrë vullnetare dhe ka qenë i rrallë dhe i veçantë në këtë drejtim, prandaj edhe nderimi dhe respekti për të ishin të mëdha.

Për veprimtarinë e bujshme dhe të shumanshme të Raifit, Radio Televizioni i Bujanocit dhe Revista “Perspektiva”, patën zhvilluar një bisedë me ftesë në studio, duke i dhënë hapësirë publike njeriut, i cili e meritonte një shërbim të tillë për shkak sinqeritetit të tij dhe angazhimit korrekt në punë dhe jetë.

Dëshirat

Ai ishte shumë optimist në jetë. Sa gjendej i shtrirë në Spitalin e Prishtinës, i thoshte të birit Mevludinit: “Do më realizosh disa dëshira që kam!”

E djemtë e Raifit, Mevludini dhe Ferati, në mungesë të punësimit në vendlindje, u detyruan si shumë të rinj të tjerë të largohen për të siguruar kafshatën e gojës, nuk i këputnin lidhjet e prindërit e tyre të cilët i donin dhe kishin mall për ta.

“Pritëm Babë se po vijë!”- ishin fjalët e të birit Mevludinit, para se të ndërronte jetë Raifi, duke i dhënë kurajo se do të shërohej shpejt e do të kthehej shëndoshë e mirë në shtëpi, si dhe do t’ia realizonte të gjitha dëshirat që kishte.

Kujtimet

Mirëpo, kështu e ka jetë, dikush ndahet nga ajo e dikush vjen në këtë botë. Me rëndësi është që pas vdekjes të lëmë fjalë e kujtime të mira, ashtu si i ndjeri Raif Xhalili. Kjo u pa edhe gjatë të varrimit dhe të pamjes.

Kujtimi për njeriun e urtë dhe punëtor Raif Xhelili, nuk do të shuhet kurrë! Respekt punës dhe jetës së tij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat