Salman Rushdie, ndër të preferuarit për çmimin Nobel të këtij viti për letërsinë

Kultura

Salman Rushdie, ndër të preferuarit për çmimin Nobel të këtij viti për letërsinë

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 23:10
Salman Rushdie

Romancieri, i cili u godit me thikë në fillim të këtij viti teksa ishte gati të mbante një ligjëratë, po konsiderohet si favorit për ta fituar sivjet çmimin Nobel për letërsi.

Siç shkruan prestigjiozja britanike The Guardian, Rushdie, vepra e të cilit përfshin romanin bestseller dhe kontrovers “Vargjet satanike”, u godit me thikë në qafë dhe në trup, ndërsa ishte gati të mbante një ligjëratë në Institutin Chautauqua në shtetin e Nju-Jorkut më 12 gusht.

Çmimi i këtij viti do të shpallet të enjten dhe do të shkojë për “personin që do të ketë prodhuar në fushën e letërsisë veprën më të spikatur në një drejtim ideal”. Çmimi jepet nga Akademia Suedeze, një grup prej 18 personash, që përbëhet nga shkrimtarë, gjuhëtarë, studiues të letërsisë, historianë dhe juristë të shquar.

Nobeli është çmimi më prestigjioz i letërsisë në botë, me fituesin që merr 1 milion sterlina.

Faqja e basteve “Nicer Odds”, e cila krahason shanset nga një numër i bastvënësve, tregoi se shanset për të fituar Rushdie ishin 13/2 pasditen e së martës.

Nëse fiton, 75-vjeçari britanik do të jetë shkrimtari i parë me origjinë indiane që fiton që kur poeti Rabindranath Tagore e mori çmimin më 1913.

Sulmi ndaj Rushdies ndodhi 33 vjet pasi Ayatollah Ruhollah Khomeini, atëherë lideri suprem i Iranit, nxori një fatva ose dekret fetar, duke iu bërë thirrje myslimanëve ta vrisnin autorin disa muaj pasi u botua “Vargjet satanike”. Edhe pse Irani që atëherë është distancuar nga fatvaja, ajo nuk është hequr kurrë zyrtarisht.

Vetëm dy javë para sulmit, Rushdie i tha revistës gjermane të lajmeve Stern se jeta e tij ishte “shumë normale përsëri”.

Hadi Matar, 24 vjeç, akuzohet për plagosjen e Rushdies dhe për tentativë vrasjeje të shkallës së dytë dhe një akuzë për sulm të shkallës së dytë. Ai është deklaruar i pafajshëm për të dyja akuzat.

Gjithashtu në listën e çmimit Nobel për letërsinë e Nicer Odds, së bashku me Rushdie, të martën, ishte autori francez Michel Houellebecq, me shanse 5/1. E preferuara e basteve e vitit të kaluar, Annie Ernaux, ishte përsëri në krye të listës, me shanse 5/1, ndërsa poetja kanadeze Anne Carson tregon shanset 4/1.

Nicer Odds tregon shanse edhe për Haruki Murakamin (12/1), Margaret Atwood (9/1) dhe Stephen King (17/1).

Fituesi i vitit të kaluar ishte Abdulrazak Gurnah për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur të efekteve të kolonializmit dhe fatit të refugjatëve në gjirin midis kulturave dhe kontinenteve”. Fitues të tjerë të fundit përfshijnë Kazuo Ishiguro, Louise Glück dhe Olga Tokarczuk.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat