“Shtëpia e ndërtuar nga copëzat”, shfaqet filmi ukrainas në përvjetorin e fillimit të pushtimit rus

Kultura

“Shtëpia e ndërtuar nga copëzat”, shfaqet filmi ukrainas në përvjetorin e fillimit të pushtimit rus

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

"Shtëpia e ndërtuar nga copëzat" titullohet filmi ukrainas i cili u shfaq sonte në shënimin e njëvjetorit të fillimit te pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Ambasada Gjermane kanë dënuar krimet që po bëhen, duke theksuar se populli ukrainas po përjeton shkelje të tmerrshme të së drejtës ndërkombëtare. Po ashtu, u theksua se BE-ja ka ofruar mbështetje humanitare, ekonomike e ushtarake deri më tani me 67 miliardë euro.

Në përvjetorin e fillimit të invazionit rus, ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha se janë vetëm gjashtë vende qe janë bërë bashkë më Ukrainën. 

Rohde: Jemi duke përjetuar një shkelje të tmerrshme të së drejtës ndërkombëtare

"Ne jemi duke përjetuar një shkelje të tmerrshme të drejtës ndërkombëtare në kohërat moderne dhe duhet të përballemi me këtë realitet të ri me vendosshmëri. Është me rëndësi të kuptojmë që ukrainasit nuk janë duke luftuar vetëm për vendin e tyte, janë duke luftuar për ne. Dhe kjo është arsyeja pse jemi mbledhur këtu që të shprehim solidaritetin tonë me miqtë tanë në Ukrainë. Plani rus që të pushtojë vendin për pak ditë, ka dështuar tmerrshëm, por nuk ka një fund që shihet sepse çdo ditë ukrainasit japin jetën në mbrojtje edhe të lirive tona. Kjo vërtetë meriton respektin tonë më të madh. Sot po shënojmë përvjetorin e fillimit të agresionit brutal të Putinit kundër Ukrainës, sot shënojmë një vit të solidaritetit të plotë, të pandërprerë”, ka thënë Rohde.

Ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog u shpreh se sonte po shënohet lufta e paprovokuar dhe pushtimi rus, për çka theksoi se është shkelje e të drejtës ndërkombëtare. 

Szunyog: Rusia po shndërron resurset e energjisë në armë 

"Ukraina është sulmuar sepse donte të vendoste vet për fatin e vet dhe një vend i pavarur dhe sovran pa diktat nga Moska. Si viktimë e agresionit dhe sipas kartës së OKB-së, Ukraina ka të drejtën e patjetërsueshme që të mbrohet dhe të rezistojë aspiratave ruse që të gllabërojë territorin e saj. BE-ja ka mbështetur Ukrainën që nga dita e parë dhe do të vazhdojmë që të bëjmë këtë qoftë ushtarakisht, në mënyrë humanitare apo mbështetje ekonomike, e cila tani ka arritur 67 miliardë euro, 12 më shumë se 12 miliardë në ndihmë ushtarake, 17 ndihmë humanitare dhe 30 në ndihmë socio-ekonomike. BE dhe partnerët e saj janë duke zbatuar sanksion jo kundër popullit, por kundër aftësisë ruse për të bërë këtë luftë Rusia është ajo e cila shndërruar resurset e energjisë në armë", ka shtuar ai. 

Zëvendësministrja e Diasporës, Liza Gashi tha se askush më mirë se shqiptarët e Kosovës nuk kuptojnë vuajtjet e krimit. 

Gashi: Ne dënojmë ashpër invazionin rus mbi Ukrainën

"Ne dënojmë ashpër invazionin rus mbi Ukrainën, i cili përpiqet të cenojë lirinë, pavarësinë dhe orientimin demokratik, është e drejtë bazike qe të ekzistojë si vend. Në këtë ditë është më e rëndësishme se kurrë që të kuptojmë ndërvarshmërinë që ngjarjet në Ukrainë kanë pasur efekte në tërë rajonin dhe botë. Kjo nuk është vetëm luftë kundër Ukrainës, por është sulm kundër vlerave demokratike. Prandaj, ne qëndrojmë me Ukrainën, në përpjekjet për liri, paqe dhe për të drejtën për të ekzistuar. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të mbrojtur këto vlera. Ne menjëherë jemi rreshtuar krah BE-së dhe ShBA-së, ne po ashtu kemi alokuar fonde për të ndihmuar dhe përkohësisht kemi hequr regjimin e vizave për qytetarët e Ukrainës”, u shpreh ajo.

Ndërsa në emër të gazetarëve ukrainas ka folur Liudmyla Mekei, e cila tha se është mirënjohëse që Ukraina ka mbështetje të fuqishme në botë. Ajo tha se shpreson që ky solidaritet do të ndihmojë vendin e saj.

Një vit më parë sot, Rusia filloi një agresion të plotë të fqinjit të saj Ukrainë, duke shkaktuar luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Që atëherë, dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur, qytete të tëra janë shkatërruar dhe miliona janë larguar nga vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat