Ndërthurja e ngjyrave dhe fjalëve një kombinim magjik

Kultura

Ndërthurja e ngjyrave dhe fjalëve një kombinim magjik

Nga: Ramiz Selimi Më: 19 maj 2023 Në ora: 09:24
Idriz Berisha

Në botën e artit ka krijues që ndërthurin dy ekspresione të mrekullueshme, ngjyrat e piktorit dhe fjalët e poezisë. Ndërthurja e ngjyrave dhe fjalëve është një kombinim magjik që sjell në jetë emocione dhe imazhe të mahnitshme. Kur piktorët dhe poetët bashkëngjiten për të shprehur ndjenjat e tyre nëpërmjet artit, krijohen vepra të jashtëzakonshme që prekin shpirtin dhe imagjinatën e secilit. Piktorin kombëtar Idriz Berishën e njihja më herët nga takimet e ndryshme letrare, që gjithnjë gjatë bisedave transmetonte rrezatim pozitiv miqësorë dhe plotë respekt. Tani më ai është një personalitet i njohur për opinionin shqiptarë por edhe më gjerë, që unë pata rastin ta vizitojë edhe në atelienë e tij në Ujmirë të Klinës.

Edhe pse i lindur në vitin 1953 dukej i motivuar dhe me elan sikur të ishte në moshën e tij më të mirë. Ishte duke punuar me zell dhe koncentrik të thellë një pikturë duale me porosi të një çifti të ri të përzier, e cila shfaqte tiparet kryesore të Kosovës dhe të Argjentinës. Megjithatë për pak çaste hoqi dorë nga puna dhe nën konsumimin e kafes biseduam gjerë e gjatë për shumë tema. Pasi e shijuam edhe nga një gotë raki vendore u ngritëm ngadalë për ta vështruar secilin punim veç e veç. Mbeta i mahnitur me përdorimin e ngjyrave dhe mënyrën e artit që ishte e motivuar nga historia dhe figurat e shquara shqiptare. Në veprat e tij kishte një dhunti të jashtëzakonshme të artit dhe një formë ndryshe sesi i qasej temave.

Punimet e tij ishin një përshkrim i gjallë dhe i fuqishëm, ishin një përzierje e vërtet e teknikave piktoreske dhe secila kishte fuqinë e mesazhit që Idriz Berisha dëshironte të transmetonte. Ngjyrat e ndritshme dhe të ndërlikuara që i përdorte në piktura reflektonin thellësinë e emocioneve dhe ndjenjave të autorit. Pastaj kur e hap librin dhe lexon poezitë e tij, e kupton fuqinë dhe mesazhin kuptimplotë të fjalëve. Fliste me ritëm dhe melodi duke përdor metafora dhe simbole me imazhe të jashtëzakonshme. Me një fjalë në poezinë e tij e përjetova bukurinë e fjalisë dhe fuqinë e fjalës së përzemërt, duke na frymëzuar dhe ndikuar në shumë nivele. Nuk të nevojitet shumë për të kuptuar se piktori-poet ka një aftësi të jashtëzakonshme për të krijuar një dialog midis ngjyrave dhe fjalëve, duke bërë që veprat e tij të jenë një eksperiencë e tërësishme artistike.

Idriz Berisha me 1980 kishte përfunduar shkollën e artit në Pejë dhe pastaj kishte vazhduar në Universitetin e Prishtinës në Akademinë e Arteve. Kishte punuar edhe si profesor në disa shkolla, deri kur ishte angazhuar në drejtorinë komunale për kulturë, rini dhe sport. Ishte edhe anëtarë i shumë shoqatave dhe asociacioneve në Kosovë dhe Shqipëri.

Qindra piktura dhe mirënjohjet e shumta tregonin qartë se talentin e tij prej piktori dhe poeti e kishte shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kishte arritur të frymëzojë dhe të mbizotërojë në skenën e artit, jo vetëm në trevat shqiptare, por kishte marrë çmime në ekspozitat internacionale si Itali, Francë dhe Zvicër,...

Çmimin e parë e kishte marrë që në moshën 21 vjeçare në Klinë, për të vazhduar pastaj me vendin e dytë në Zurich të Zvicrës. 2012/2013 Ishte shpallë piktor i vitit nga Pegasi Albania dhe kishte marrë çmime pothuajse gjithandej Kosovës.

Xhixhi siç e kishte pseudonimin ka një përvojë të gjatë pune në fushën e artit dhe letërsisë. Pash nga afër vepra të mahnitshme që shprehnin emocionet dhe ndjenjat nëpërmjet paletës së ngjyrave dhe fjalëve magjike. Punimet sjellin jehonën e emocioneve, ku ngjyrat e ndritshme shprehnin gëzimin, ndërsa ngjyrat e errëta dhe të mbyllura shfaqnin trishtimin dhe melankolinë. Ky art pamor që prodhonte Idriz Berisha ishte një kombinim i shkathtësisë së tij artistike dhe aftësisë së tij për të krijuar art kualitativ.

Madje kritikët e artit e kishin lavdëruar vizionin e tij largpamës. E kishin përshkruar si një krijues i rrallë, i cili arrin të krijojë harmoni dhe në secilën pikturë ai përcjellë një mesazh të fortë emocional nëpërmjet ngjyrës. Përdorimi i figurave njerëzore dhe simboleve kombëtare ishte karakteristikë e veçantë në punimet e shumta.

Idrizi tregonte se gjatë karrierës së tij shpeshherë ishte detyruar të hiqte dorë nga pikturat e dashura, pasi me ato kishte arritur të frymëzojë dhe të prekë shumë zemra me krijimtarinë e tij të shquar. Ai vazhdon të eksplorojë dhe të ndërtojë vepra të reja të ndërlidhura me artin e pikturimit dhe fuqinë e fjalëve. Idrizi pa asnjë dyshim është një burim frymëzimi për të gjithë ata që e admirojnë ndërthurjen e artit vizual dhe letërsisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat