Hapet ekspozitë në ditëlindjen e 120-të të Koliqit, veprimtaria e tij cilësohet kolosale

Kultura

Hapet ekspozitë në ditëlindjen e 120-të të Koliqit, veprimtaria e tij cilësohet kolosale

Më: 20 maj 2023 Në ora: 14:11
Pamje nga ekspozita

Sot, në Katedralen Shën Nënë Tereza u shënua Dita e Bibliotekës "Ernest Koliqi", me rastin e rastin e ditëlindjes së 120-të të shkrimtarit. Me këtë rast, u hap ekspozita me 13 fotografi të rralla nga arkivi i familjes Koliqi, të cilën e ka përgatitur Gjon Koliqi.

Autori i ekspozitës, Gjon Koliqi deklaroi se për Ernestin flasin veprat dhe historia.

Ai u shpreh falënderues për atë që po bëhet për Koliqin.

Koliqi: Për Ernestin flet historia

“Për Ernestin flet historia, flasin veprat...Unë jam i lumtun edhe niher pë tanë për këta që keni ba dhe vazhdoni të bëni për Ernestin. Na si familje, si Koliq jena shumë për çka boni ju se na pak a shumë i dina dhe jena mundu me rujt në zemrën tonë atë dashninë për njerëzit tonë që ta doni ju. Është për ne kënaqësi e madhe.”, tha ai.

Ndërsa,shkrimtari dhe studiusi i letërsisë Ndue Ukaj ditën e sotme e quajti shumë të rëndësishme për kulturën shqiptare.

Ai e cilësoi Ernest Koliqin si personalitet poliendrik dhe me kontribute të shumëanshme dhe tha se ai përfaqëson një model kulturor dhe si shkrimtar me cilësi të larta artistike.

Ukaj: Koliqi përfaqëson një model kulturor dhe si shkrimtar me cilësi të larta artistike

“Sot është një ditë e rëndësishme për historinë kulturore të shqiptarëve. Është një ditë që na rikthen vëmendjen njërin prej kolosëve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, Ernest Koliqin pa të cilat rrjedhat historike dhe kulturore shqiptare do të ishin skajshmërisht më të varfëra dhe për Kosovën mbase mund të ishin edhe fatale...Ernest Koliqi përfaqëson një model kulturor dhe si shkrimtar me cilësi të larta artistike, ai lidh dy traditat më të rëndësishme e më të bukura të historisë kulturore dhe të artit shqiptar, traditën e madhe franqeskane që kulturës shqiptare i dha veprat më përfaqësuese me poestin kombëtar Gjergj Fishta dhe atë jezuite me përfaqësues poetin e madh Ndre Mjedën.5:44- Veprimtaria e Koliqit është kolosale, kurse për Kosovën e dërmuar pa shkolla, pa elita e ne një terrinë të madhe, ndërmarrje e tij ngjan si ndërhyrje e forcave të epërme, thjesht madhështore, me siguri më e rëndësishmja në historinë e këtij vendit”, tha ai.

Ukaj u shpreh se Kosova i detyrohet shumë punës së shkrimtarit Koliqi.

Ukaj: Veprën artistike të Koliqit duhet ta bëjmë shujtë shpirtnore

“Gjurmëve të tija duhet të ecim, për të mos humbë në mjegull, kurse veprën e tij artistike duhet ta bëjmë shujtë shpirtnore që të fisnikërojmë sjelljet tona dhe të përmirësojmë shëndetin kombëtar.”, shtoi ai.

Ernest Koliqi është lindur në Shkodër më 20 maj të vitit 1903, në një familje të respektuar. Ai ka qenë mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog.

Ai cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Lirueme.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati Koliqin e ka dërguar për të studiuar në Itali më 1918. Bashkë me nxënës të tjerë ai ka hapur gazetën “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku ka botuar poezitë e para në italisht. Ai është kthyer në Shqipëri pasi që gjendja ishte futur në hulli pas Kongresit të Lushnjes.

Më 1921 është mbajtur një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti ka marrë pjesë me një poezi, e cila ka fituar çmimin e parë, të dhënë nga juria e përbërë prej P. Gj. Fishtës, F. Nolit, M. Frashërit, L. Gurakuqit.

Më 1937, Ernest Koliqi ka doktoruar në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që ka bërë P. B. Palaj, tezë doktorate, e cila është vlerësuar nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Koliqi është transferuar nga Padova në Romë tetorin e 1937, si lektor i shqipes.

Më 1939 është hapur në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi është emëruar ordinar dhe ka qëndruar i tillë derisa ka dalë në pension.

Ai ka vdekur në Romë më 15 janar të vitit 1975.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat