Princi i vargjeve të një cilësie të jashtëzakonshme

Kultura

Princi i vargjeve të një cilësie të jashtëzakonshme

Më: 27 maj 2023 Në ora: 09:14
Remzi Basha

Remzi Basha është princi i frymëzimeve hyjnore që na dhuron vargje me një cilësi të jashtëzakonshme. Poezia është balsami i shpirtit, vullneti i jetës, drita e fjalëve, mbretëresha e arteve, thesari i ndjenjave, çelësi i universit, shprehja e bukur dhe burim i frymëzimit hyjnor. Poezia e Bashës është dhuntia e dhënë nga Zoti që nuhat si bari i kositur, si guri i mullirit, si borziloku dhe njeriu i dashuruar. Ajo përfaqëson mirësinë e shpirtit të atij që e krijon dhe të atyre që e lexojnë. Poezia është një tempull i pavdekshëm. Gratë thurrin trëndafila qiellorë në jetën tokësore. Dashuria e vërtetë gjendet vetëm në zemrat fisnike.

Dashuria është ilaçi më i mirë, kurse poezia është një tempull i pavdekshëm. Fuqia e mendimeve të qeta dhe fuqia e dashurisë është si një ilaç që të jep fuqi, shëndet mendor dhe fizik. Poeti është profeti që i hap portat e parajsës. Gjithmonë i talentuar dhe i frymëzuar, Remzi Basha na dhuron vargje të ndjeshme dhe të thella, duke ardhur me to në një festë e përbashkët e erëzave të fjalëve të gërshetuara me dashuri dhe ndjenja të tjera të zgjedhura. Remzi Basha nuk është poeti i habisë ose i heshtjes. Ai është poeti i lumturisë, një engjëll i adhuruar dhe një dhuratë hyjnore me një buzëqeshje pranverore.

Ngado ekziston një rrugë dhe një njeri i përshtatshëm, të cilit ia shkelin rërën dhe ia kthejnë gurët nga e prapa, dhe një këngë e njeriut gjatë rrugës, që mund të shprehet, ose me imitim, ose e shoqëruar me murmurima të matura, të patrembura. Gjatë rrugës së gërshetimit me ndjenjën e përmallimit, Remzi Basha i mban bisagjet me ndjenjën e dashurisë totale, si dhe anijet e fshehtësisë, në të cilat i ka strehuar fjalët e pashprehura, brishtësinë e dashurisë, bujshmërinë e femrës, qypin me lira, thesin me flori dhe botën paralele. Lirikës së tij i mungon satira, ironia, grandomania, frika dhe trishtimi.

Edhe pse gjithëçka është mall: jeta, kuptimi, agimet, muzgëtimi, kërkimi, e djeshmja dhe të nesërmet, nuk është e paqartë sekonda, ngase e pashmangshmja vjen dhe fshehtësinë dhe argjendi i pasqyrës e shndërron në grimca, sepse me siguri, absolutisht me siguri, ik terri i humnerës dhe vjen drita e pranverës. Dashuria e tij është lutje dhe përulje, fjalët e tij nuk bërtasin por përsëriten, duke kaluar përtej mallit dhe agonisë. Është e bekuar dashuria e tij, apo, përjetësisht e shëndetshme, edhe pse ende endet i mërguar, duke shkelur me siguri mes fjalëve dhe jofjalëve, në galaksinë e përmallimit të gjetur, por edhe nëpër gjethet e shndërruara në dritë.

Poeti i përjetimeve, nuk fshhet në kanapetë e lulëkuqeve, por përpiqet mos ta humbë rrugën, duke kërkuar fragmente përmallimi në klepsidrën e kohës së shkuar, por edhe në atë të tanishmen, duke ëndërruar fshehtësitë e ditëve që do vijnë, ëndërrimtar frenetik në dashuri. Edhe pse i strukturuar në pesë rrugë, libri i tij konstituohet në këngë, një këngë unike e dashurisë, dhuruar gruas që e ka pranë, pranë së cilës e me të cilën nuk trembet, por tenton të digjet nga dashuria, një flakadan i përjetshëm në horizont.

Më shumë dhe më bukur është e pamundshme, edhe pse, përtej të shkuarës, gjithmonë dhe gjithmonë më larg, duke u kthyer prapa në ardhmëri, ngase pasqyra e fshehtësisë sajon bota paralele, kurse përtej rrugës është durimi dhe përmallimi. Gjithandej gjendet një rrugë, por rruga e këtij libri është e shtruar me mall, në çdo hap një nyancë tjetër, nga e kuqja e ndezur te e bardha e pangjyrshme. Lavdi poetit që ka farkuar një lutje të këtillë, i përgjunjur nga gruaja që ia ka nxitur dashurinë totale!

Kryezoti i mrekullisë së lezetshme është fletorja e shënimeve të arta, emri i trëndafilit, zëri i gruas së çmendur për dashuri. Nga mërgimi ëndërron darkë në restorantin e vendlindjes, dhomën e dashurisë së parë, depërtimin e thellë në shtratin e dashurisë, hajmalitë e plakave të Sllapizhanit, lojën e perlave prej qelqi, vallëzim me muzikën e kohës, lartësitë e stuhishme të jeshkëve të Sharrit, kërkimin e kohës së humbur, portretin e gruas që ia kndelli shëndetin, fërshëllimat e erës, krojet dhe dashurinë në trojet e vendlindjes, dasmën në Parajsë, lulet e kujtimit, shpresat e mëdha, netët e dashurisë dhe topat e luftës, kujtimet e paharruara dhe letrat e dashurisë.

FLAKA FISNIKE E DASHURISË SË PËRFLAKUR

Remzi Basha

Kur je në dashuri me dikë, mendimi se nuk do të zgjasë përgjithmonë bëhet i padurueshëm. Megjithatë, pavarësisht se sa e parëndësishme mund të duket jeta jonë pas ndarjes, ne vazhdojmë dhe biem përsëri në dashuri. Disa e gjejnë shpirtin e tyre binjak në fillim, të tjerë më vonë, por para se të takojmë personin e duhur, ndoshta do të na duhet të përballojmë disa zhgënjime. Në fund të fundit, sa herë mund të biem në dashuri gjatë gjithë jetës? Ndonëse jeta e të gjithëve është një histori në vetvete, megjithatë, nëse shohim me kujdes do të kuptojmë se të gjithë biem në dashuri tre herë gjatë jetës sonë.

Hera e parë kur biem në dashuri, është dashuria që ndihet e drejtë. Hera e parë që biem në dashuri është kur jemi nxënës të shkollave të mesme. Kjo ka të bëjë me dashurinë idilike dhe romantike, idealiste dhe realiste. Kur shigjeta e dashurisë na godet për herë të parë, ne mendojmë se nuk mund të ketë dashuri tjetër si e jona. Pse? Sepse kjo është unike. Priremi të besojmë se kjo është gjëja më e mirë që mund të bëjmë dhe se do të zgjasë përgjithmonë, ndërkohë që përpiqemi të përballojmë presionin e bashkëmoshatarëve dhe të familjes sonë. Në këtë fazë të jetës, jemi të gatshëm të sakrifikojmë gjithçka për dashurinë tonë për ta dëshmuar, sepse besojmë në romantikën e saj. Nganjëherë nuk e kuptojmë pse dashuria jonë e parë na bën naivë dhe optimistë!

Hera e dytë që biem në dashuri, është dashuria që na mëson jeta. Kjo lloj dashurie, zakonisht nëpërmjet dhimbjes, na ndihmon të kuptojmë se kush jemi dhe çfarë duam nga jeta. Është kjo dashuri që thyen iluzionet e krijuara më parë. Megjithatë, edhe nëse mendojmë se tashmë kemi mësuar shumë për jetën, kthehemi në të njëjtin lloj marrëdhënieje dhe bëjmë të njëjtën zgjedhje të ëndërruar. Zgjedhja e gabuar, nga ana tjetër, na çon te njerëzit e gabuar. Jemi të vetëdijshëm për abuzimin mendor, fizik dhe emocional, por nuk duam t’i japim fund marrëdhënies së shëndetshme. Bëjmë çmos që të zgjatet sa më gjatë të jetë e mundur dhe do të donim që kjo dashuri të ishte reale, edhe nëse jemi të vetëdijshëm se nuk është kështu.

Hera e tretë që biem në dashuri, është dashuria që zgjat. Kjo lloj dashurie i mund të gjitha mendimet tona rreth dashurisë. Në këtë lloj dashurie e takojmë vetëm te personi që e kemi zgjedhur për ta kaluar jetën së bashku, dhe na duket se çdo gjë është në rregull. Kjo sepse në këtë lloj marrëdhënieje ne jemi të pranuar ashtu siç jemi dhe nuk ka nevojë të shtiremi. Asnjë nga rregullat që menduam më parë nuk do të na ndihmonte të arrinim këtu. Nuk ka nevojë të bëjmë kompromis me veten tonë, sepse partneri yt e pranon veten tënde autentike. Në fund, na duket se kjo dashuri është zgjedhja më e mirë që kemi bërë ndonjëherë.

Si mirazh na shfaqën të ëmblat kujtime. Mendja na flatron shtigjeve të kujtimit dhe të shtegtimit. Na zgjohen përmallueshëm ëndrrat fëminore, të cilat i shohim si vegim. Zërin e dashnores së strukur, papritmas e gjet e dashura ime, Afërdita! Ajo përgjumet tashmë thellë në zemrën time si një tingull i praruar. U gremisën ditët e bukura në lëndinat e vendlindjes dhe ëndrrat bashkë me to. Por, me kalimin e kohës, agu i mëngjesit ka ndryshuar, blerimi është vyshkur, ka ndryshuar ngjyrën. Rrezet e diellit që vezullonin aq shumë, sikur janë shuar. Qielli është rebeluar dhe sjell veç acar e stuhi në këtë botë mistike pa formë e ngjyrë! Oh, shpërthim shkëndijash të përmallimit më vijnë Klithmat për ty s’më sosen kurrë, e dashura ime! Eh ç’tu shkërrmoq shpirti nën peshën e lotëve!

Fjalët, si fara të kuqe të hedhura mbi tokë, një ditë do të mbijnë si kaçube të përflakura mbi parajsën e botës. Atdheu im është më i bukuri, më i shtrenjti, më i ëmbli, dhe me qetësinë më të qartë që e gjeta në këtë vend mikpritës. Në këtë vend të bekuar nuk ndjehesh kurrë i vetmuar. Pse? Sepse Zoti është aty me Zonjën e Bekuar e cila është nëna e të gjithëve. Toka është e mahe. Ajo banohet edhe nga njerëz që dinë të dashurojnë. Atje ajo fillon të gjallërohet dhe të pëshpëritet në zemrën dhe në shpirtin e çdokujt. Pse? Sepse poezia është si një lutje, si një kërkesë që mjafton ta dëgjosh dhe ta përvetësosh që ajo të ndizet si flakë.

Më lër e dashur, të të shoh nga larg si hije dhe imazhi mos të shuhet ngadalë dhe shpirti im i ngrirë si nën akuj të më ngrohet, të frymoj për ty dhe vetëm për ty! Po qëndroj si një rojtar në këto netë mërzie. Prita datën të të uroj ditëlindjën tënde, por si gjithmonë, ti je e paduruar por më kot. Prita të pamundurën që s’vjen kurrë më. Eja kur nata stolis qiellin me yje! Eja më shuaj mallin që as shirat e vjeshtës s’e shuajnë dot! Kujtimet do t’i ruaj në heshtje, e dashur. Si hije do të mbetem i përmalluar! Sot e tutje ditëlindjen tënde ndryshe do ta festoj dhe mallin me lot s’do ta shuaj dot. Eja e dashur, të rendim me aromat e lulnajave të Kosovës, në kopshtin e dashurisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat