Shkolla e aktrimit IFTP, e udhëhequr nga presidenti i saj, aktori dhe regjisori i njohur Prof.Adem Kicaj, së bashku me pedagogë të tjerë si Remzi Durmishi, Musa Sulejmani dhe studentët e kësaj akademie, me mbështetjen e Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, i drejtuar nga PhD Dashnim Hebibi, si dhe me praninë e artdashësve si Rafet Ademi, Përparim Sabriu, Daut Luboja e të tjerë, do të udhëtojnë të shtunën, më 22 mars 2025, drejt Morcotes në Zvicër, për të nderuar Aleksandër Moisiun në 90-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Kjo vizitë do të jetë një moment i veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, pasi me nga një lule të freskët do të shprehin respektin dhe mirënjohjen ndaj një prej figurave më të mëdha të skenës teatrore botërore, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin dramatik. Ky akt simbolik është një shprehje e vlerësimit të përhershëm të komunitetit shqiptar për kontributin e jashtëzakonshëm të Moisiut, i cili, pavarësisht sfidave të kohës, u bë një yll i skenës evropiane dhe një ambasador i pasionit dhe talentit artistik.
Një përpjekje e përbashkët për përjetësimin e Moisiut
Ky vit është veçanërisht i rëndësishëm, pasi për herë të parë do të jetë një ditë e madhe kujtimi për Aleksandër Moisiun, duke u kurorëzuar me një arritje historike: vendosjen e një busti dhe emërtimin e një sheshi në nder të tij në qytetin e Morcotes. Kjo iniciativë ka ardhur falë përkrahjes të kryetarit të Morcotes, stafit të tij dhe gjithë banorëve të kësaj qytetëze të bukur zvicerane, të cilët kanë treguar një respekt të madh për figurën e Moisiut dhe për komunitetin shqiptar në përgjithësi.
Një grup iniciues i përbërë nga profesor Adem Kicaj dhe shumë mbështetës të tjerë po punojnë pa u ndalur për ta realizuar këtë projekt. Busti i Aleksandër Moisiut tashmë është punuar në Kosovë nga dora e artë e skulptorit të njohur, mjeshtrit të madh, Profesor. Agon Qosa dhe është gati për t’u vendosur, duke pritur vetëm lajmin e mirë për datën e përurimit. Respekte edhe për mikun tonë që jeton e vepron në Kosovë, z.Shpejtim Pasjaqa i cili po e përkrah me të madhe projektin në fjalë.
Megjithatë, për këtë iniciativë të madhe nevojiten edhe mbështetje financiare, dhe shpresohet që shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, ta marrin përsipër këtë përgjegjësi për ta jetësuar këtë vepër kaq të rëndësishme kulturore ku edhe janë të njoftuar përmes ambasadave në Zvicër. Nëse mbështetja institucionale mungon, atëherë, si gjithmonë, diaspora shqiptare është e gatshme të kontribuojë për ta bërë realitet këtë ëndërr të kahershme.
Profesor Adem Kicaj dhe grupi iniciues janë të lumtur që ky projekt po merr formë dhe janë të bindur se do të jetë një dhuratë e vyer për brezat e ardhshëm, për diasporën shqiptare dhe për të gjithë artdashësit kudo në botë. Ky është një moment historik që do të përjetësojë emrin e Aleksandër Moisiut jo vetëm në kujtesën e artit botëror, por edhe në një hapësirë publike të denjë për të, në një nga vendet ku ai kaloi vitet e fundit të jetës së tij.
Falënderim për Zvicrën dhe angazhimi për të ardhmen
Në këtë rast, komuniteti shqiptar shpreh mirënjohje të thellë për Zvicrën, një shtet që ka qenë gjithmonë mik dhe mbështetës i shqiptarëve, duke u bërë një shtëpi e dytë për shumë prej tyre. Respekti që zviceranët kanë treguar për Aleksandër Moisiun dhe për komunitetin shqiptar është një dëshmi e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes dy popujve dhe e vlerave të përbashkëta që i bashkojnë.
E shtuna e 22 marsit 2025 do të jetë një ditë e veçantë, por ne besojmë se kjo nuk do të përsëritet më pa pasur bustin dhe sheshin e përfunduar.
Kjo është një betejë kulturore që duhet fituar, jo vetëm për Aleksandër Moisiun, por edhe për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e artit dhe rëndësinë e kujtesës historike. Për këtë arsye, puna për përfundimin e këtij projekti do të vazhdojë pa u ndalur, me shpresën se shumë shpejt do të vijë lajmi i shumëpritur për inaugurimin zyrtar të kësaj vepre madhështore.
Me këtë rast, ftojmë të gjithë shqiptarët, artdashësit dhe institucionet përkatëse të bashkohen në këtë iniciativë dhe të japin kontributin e tyre për ta realizuar këtë ëndërr të madhe, në mënyrë që Aleksandër Moisiu të ketë një vend të denjë përkujtimi, ashtu siç e meriton një artist i përmasave të tij.