Në Deçan po mbahet festivali gjithëkombëtar i folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Kultura

Në Deçan po mbahet festivali gjithëkombëtar i folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Më: 15 qershor 2025 Në ora: 19:02
Në Deçan po mbahet festivali gjithëkombëtar i folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Në 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit, Komuna e Deçanit nën përkujdesjen e kryetarit Bashkim Ramosaj organizon festivalin gjithëkombëtar të folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”.

Aktivitetet kanë nisur sot pasdite me hapjen e ekspozitës me foto të festivalit që nga vitit 2004 kur është organizuar për herë të parë e deri më tash – edicioni i dymbëdhjetë, si dhe me defileun e grupeve artistike, raporton KosovaPress.

Për dy net me radhë në skenën e festivalit do të defilojnë rapsodë dhe grupe të ndryshëm të shoqërive kulturore-artistike dhe ansamble artistike, duke prezantuar gjithë hapësirën shqiptare.

Në natën e parë do të performojnë Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Deçani”, grupi “Dervish Shaqa”, këngëtari Çokë Krasniqi nga diaspora - Zvicër, Shoqëria Kulturo-Artistike “Tingujt e vendlindjes – Stagovë e Kaçanikut, ansambli “Flaka e Llapit” Podujevë, artisti Emin Sallahu Prishtinë, Shoqëria Kulturo-Artistike “Jonuz Ramadani” Smirë-Viti, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Zëri i Kamenicës” Kamenicë, grupi polifonik “Thesaret Labe” Tiranë, grupi folklorik “Bilbilat e Pashtrikut” Nashec - Prizren, Shoqëria Kulturo-Artistike “Drita e Dervenit” – Shkup, rapsodi Nazmi Hajdari Ferizaj, grupi i rapsodëve “Vëllezërit Emini” Preshevë, rapsodi Galan Krasniqi me grup - Malishevë, si dhe Shoqëria Kulturo-Artistike “Ali Mulaj”- Gjakovë.

Festivali organizohet në nderim dhe respekt për dëshmorët e kombit dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kujtim respekti për rapsodët e njohur Dervish Shaqën e Demush Nezirin, si dhe të gjithë rapsodët e tjerë deçanas. Juria profesionale do të ndajë çmimet kryesore në festival.

Kujtojmë, fitues të festivalit të kaluar ishte Shoqëria Kulturo-Artistike “Bresana” nga Opoja.

Me organizimin e këtij festivali i kontribuohet ruajtjes, kultivimit, promovimit të muzikës së mirëfilltë burimore folklorike, por edhe të unifikimit të kulturës shqiptare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat