Parazitët shoqeror që na çojnë nga shpresa në Stanjacion

Kultura

Parazitët shoqeror që na çojnë nga shpresa në Stanjacion

Nga: Gjon Marku Më: 17 qershor 2025 Në ora: 14:50
Gjon Marku

Fjala “parazit” në biologji përshkruan një qenie që zhvillohet në kurriz të një tjetër. Por unë nuk do të ndalem tek parazitizmi biologjik, por tek një formë tjetër: parazitët e instaluar në institucione, media, drejtësi.

Shqipëria prej më shumë se 30 vjetësh nuk qeveriset nga ide, nga ligji apo qytetaria – por nw disa sturkura tw saj nga një formë brutale, regresive parazitizmi institucional. Kudo që shikon - në parlament, qeveri, media, OJQ, akademi, universitete, drejtësi - ndesh një shtresë të trashë parazitësh dhe “lehësish” që jetojnë në heshtje ose bëjnë zhurmë për të ruajtur interesin vetjak.

Kjo nuk është vetëm çështje korrupsioni. Është një kulturë e rrënjosur thellë e përfitimit pa krijuar asgjë, e mbijetesës mbi kurrizin e të tjerëve, e kapjes së sistemit për ta shfrytëzuar për vete.

Politika: strehë për parazitët me kollare

Kush janë politikanët shqiptarë sot? Përfaqësues të qytetarëve? Apo një kastë e mbyllur, që qarkullon brenda vetes, që trashëgon pushtetin si plaçkë familjare?

Shumë prej tyre nuk janë politikanë - janë parazitë të ftohtë dhe lehësa të zhurmshëm. Jetojnë nga paratë publike, nuk japin llogari, nuk lexojnë ligjet që miratojnë, nuk ndjekin interesin publik. Përfaqësojnë klientelën, oligarkët, partinë - jo qytetarin.

Sipas fjalorit politik, një deputet është zëri i sovranit - në Shqipëri, është zëri i tenderëve dhe i interesave të errëta.

Institucionet publike: rrjeta e trashë e parazitëve burokratikë

Këto institucione janë shndërruar në strehë për parazitë me diploma. Akademia e Shkencave është shembulli më i qartë: financohet nga taksat, por nuk prodhon as ide, as dije, as shkencë.

Ajo është mbushur me figura të tejkaluara, të mbërthyer pas së kaluarës, të shkëputur nga realiteti dhe nga zhvillimet moderne.

Skënder Gjinushi përfaqëson më mirë se kushdo këtë riciklim të figurave të diskredituara. Ish-komunist, ish-ministër i diktaturës - sot “shkencëtar” me mandat.

Kjo nuk është meritokraci. Është një pleqëri burokratike që bllokon çdo shans reformimi dhe rigjenerimi.

OJQ-të dhe “shoqëria civile”: fasadë për përfitim personal

“Shoqëria civile” tingëllon fisnike në teori - por në realitetin shqiptar, shumë OJQ janë klube për përfitim, për thithje fondesh të huaja dhe për shfaqje morale të rreme.

Drejtohen nga njerëz që s’kanë asnjë lidhje me kauzat që pretendojnë të përfaqësojnë. Në vend që të jenë roje të demokracisë, janë kthyer në vegla të pushtetit dhe projekte boshe, që s’kanë ndikim real.

Kjo “shoqëri civile parazite” jeton përmes donatorëve, simulon aktivitet por nuk ndryshon asgjë në terren.

Media: nga pushteti i katërt, në qeni që leh aty ku ha

Një shprehje popullore thotë: “qeni leh aty ku ha”. Kjo e përshkruan saktë median shqiptare të tranzicionit.

Ajo që duhet të ishte e pavarur, kontrollore e pushtetit - është sot shërbëtore e tij, e lidhur me politikën dhe biznesin.

Televizionet janë pronë e grupeve me interesa ekonomike që shkojnë pas çdo qeverie. Gazetarët - përveç rasteve të rralla - nuk hetojnë, nuk sfidojnë, nuk shtrojnë pyetje.

Ata recitojnë, imitojnë, shfaqen, shërbejnë. Janë lehësa të pushtetit, jo zëri i publikut.
Portalet janë edhe më keq: kërpudha toksike që jetojnë në errësirën e klikimeve, titujve bombastikë dhe shpifjeve. Të gjitha kontribuojnë në një shoqëri të dezinformuar, të lodhur, të mpirë.

Emisionet politike: spektakël boshi dhe përulje mediatike

Në vend të analizës serioze, publiku përballet çdo natë me emisione që janë tregje debati, skena të lehësve dhe pseudo-analistëve, që rrotullojnë po të njëjtat tema, po të njëjtat fytyra dhe të njëjtin boshllëk.

“Opinion”, “Top Story”, “Open”, “Repolitix” - të gjitha ndjekin të njëjtin model: spektakël, debat artificial, asnjë thellim, asnjë përgjegjësi. Emrat janë modernë, anglisht - por përmbajtja është provinciale, manipuluese, pa mendim.

Degjenerimi total: fallxhorët, Big Brother dhe mpirja kolektive

Kulmi i mjerimit janë programet që nxisin injorancën, talljen dhe manipulimin emocional. Horoskopë, fallxhorë, emisione mëngjesi që imitojnë tifozë sportivë, reality show si “Big Brother” që promovojnë antivlera – janë pasqyra më e shëmtuar e degradimit të shoqërisë.

Në vend që të nxisin dijen, etikën, qytetarinë – promovojnë llumin, vulgaritetin dhe letargjinë kolektive.

Po të ndershmit? Ka edhe zëra që sjellin ndryshim

Në këtë errësirë ka edhe dritë. Ka gazetarë që punojnë me integritet, që hetojnë me përkushtim, që flasin me ndershmëri.

Emisionet për arsimin të Edlira Birkos, hetimet e Marin Memës, dokumentarët e Gjergj Lekës, emisionet e Aida Shtinos - janë raste që tregojnë se gazetaria e ndershme është e mundur edhe në Shqipëri.

Shqipëria, një feudalizëm modern: Mesjetë në shekullin XXI

Ashtu si në Mesjetën evropiane, ku pakica sundonte mbi shumicën, Shqipëria jeton një “Mesjetë të re” - një feudalizëm modern të strukturave politike, ekonomike dhe mediatike.

Në vend të fisnikëve kemi klane. Në vend të klerikëve kemi analistë. Në vend të edukimit - trushpëlarje. Në vend të protestës - apati.

Reformë ose shkatërrim: thirrje për vetëdije qytetare

E vetmja rrugë për të shpëtuar shoqërinë shqiptare nga ky kalbëzim është reforma mendore dhe shoqërore.

Duhet ndryshuar mënyra si mendojmë për politikën, median, shtetin - dhe veten si qytetarë.

Nuk ka reformë pa vetëdije. Dhe ajo nuk vjen përmes spektaklit - por përmes mësimit, reagimit, refuzimit të kësaj gënjeshtre kolektive.

Koha për të hequr parazitët

Nëse Shqipëria do një të ardhme dinjitoze, duhet të çlirohet nga parazitët dhe lehësit që e mbajnë peng.

Nuk mjafton të indinjohesh - duhet të veprosh. Të mos heshtësh. Të mos e pranosh këtë realitet si “të natyrshëm”.

Sepse nuk është. Është i prodhuar, i mirëmbajtur dhe i përfituar nga një sistem që nuk ka më të ardhme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat