​“Fare Cinema”, Prizreni - skenë e kinemasë bashkëkohore italiane

Kultura

​“Fare Cinema”, Prizreni - skenë e kinemasë bashkëkohore italiane

Më: 24 qershor 2025 Në ora: 22:13
Maurizio Antonini

Prizreni u bë sot skenë e kinemasë bashkëkohore italiane, duke mirëpritur shfaqjen e filmit “Diamanti” të regjisorit Ferzan Ozpetek, në kuadër të programit Italian Screens, pjesë e edicionit të tetë të “Fare Cinema” – java ndërkombëtare e promovimit të filmit italian.

Kjo iniciativë vjen si rezultat i bashkëpunimit mes Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe DokuFest-it, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë (MAECI).

Filmi “Diamanti”, fitues i Çmimit Nastro d’Argento si “Filmi i Vitit” 2025 dhe i Çmimit David i Publikut si filmi më i shikuar italian në kinema gjatë vitit 2024, u shfaq sonte në DokuKino në Prizren, duke sjellë për herë të parë para publikut kosovar një vepër që ngërthen thellësi emocionale, portrete të ndërlikuara femërore dhe një mesazh të fuqishëm për bashkëpunimin dhe solidaritetin.

Me këtë rast, ambasadori i Italisë në Prishtinë, Maurizio Antonini, theksoi se edicioni i tetë i “Fare Cinema” përfaqëson një moment krenarie për promovimin e kinemasë italiane dhe industrisë së saj filmike.

Antonini: Ky program është një homazh për kinemanë bashkëkohore italiane

“Është me të vërtetë me shumë krenari që, me rastin e këtij edicioni të tetë të “Fare Cinema”, ekspozitës tematike të dedikuar promovimit të kinemasë italiane dhe industrisë së saj të filmit, ne inaugurojmë “Italian Screens” me qëllimin për të nxjerrë në pah veprat më të mira të kinemasë bashkëkohore italiane. Finalistët dhe fituesit e Çmimeve Davide di Donatello të këtij viti. Ky program është një homazh për kinemanë bashkëkohore italiane, e cila është një ndjekje që disi të angazhohet me të tashmen pa harruar rrënjët e saj”, tha Antonini.

Antonini derisa foli për filmin “Diamanti” të regjisorit Ferzan Özpetek, e cilësoi si një freskë sentimentale të rafinuar, që ndërthur mjeshtërisht dizajnin, ambicien dhe afirmimin e identitetit personal.

Antonini: ‘Diamanti’ gjithashtu konfirmon ndjeshmërinë e tij në portretizimin e grave

“Dhe filmi që do të shikojmë, “Diamanti”, nga Ferzan Özpetek, fitues i Çmimit Nastro d’Argento 2025 për Filmin e Vitit, dhe i Çmimit Davide di Donatello për filmin italian më të shikuar në kinema që nga viti 2024, është një freskë sentimentale e rafinuar që lidh së bashku dizajnin, ambicien dhe afirmimin e identitetit të dikujt. Ai dallohet si një deklaratë dashurie dhe admirim për aftësinë dhe vendosmërinë e grave për të qenë dritë dhe mbështetje për gratë. ‘Diamanti’ gjithashtu konfirmon ndjeshmërinë e tij në portretizimin e grave, duke u dhënë zë karaktereve femërore komplekse dhe autentike”, tha Antonini.

Në fjalën e tij, ambasadori Maurizio Antonini vlerësoi zhvillimin e industrisë së kinemasë në Kosovë, duke theksuar se, megjithëse është më e reja në Evropë, ajo po njeh një rritje të ndjeshme falë angazhimit të organizatorëve të festivaleve vendore, përfshirë partnerët e rëndësishëm të FilmFest.

Ai veçoi në mënyrë të posaçme rolin e regjisoreve femra, të cilat, sipas tij, spikasin në mënyrë të dukshme në skenën televizive dhe filmike të Kosovës.

Antonini shprehu shpresën se kjo ekspozitë do të shërbejë si një moment për të festuar talentin femëror në kinema.

Antonini: Edhe pse Kosova ka industrinë më të re të kinemasë në Evropë, rritja e së cilës është nxitur

“Edhe pse Kosova ka industrinë më të re të kinemasë në Evropë, rritja e së cilës është nxitur gjithashtu nga angazhimi i organizatorëve të ndryshëm të festivaleve në vend, siç janë partnerët e mëdhenj të FilmFest, regjisoret femra bien në sy në dinamikën e skenës televizive kosovare...Kështu që shpresojmë që kjo ekspozitë të shërbejë gjithashtu si një moment për të festuar talentin femëror në kinema dhe për të rikonfirmuar se e ardhmja e sektorëve tanë audiovizivë do të jetë gjithëpërfshirëse, bota është e barabartë, përfshirëse, shumëshe dhe e hapur për dialog ndërkulturor”, potencoi Antonini.

Ky aktivitet shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet Italisë dhe Kosovës, përmes artit të filmit si një gjuhë universale që afron komunitete dhe shpalos vlera të përbashkëta.

Programi “Italian Screens” përfshin pesë filma të njohur italianë që do të shfaqen falas dhe janë të hapur për publikun në Teatrin Oda në Prishtinë dhe në DokuKino në Prizren. Të gjithë filmat janë në gjuhën italiane, me titra anglisht

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat