Ka njerëz që largohen nga kjo botë, por që nuk ikin kurrë. Ata mbeten - si dritë që nuk shuhet - në kujtimet tona, në rrëfime, në art, në gjuhë, në memorie. Leze Spaqi ishte një nga ata njerëz. Aktore e skenës, por edhe aktore e shpirtit të një kombi që ka dashur të tregojë historinë e vet nëpërmjet dramës dhe komedisë, nëpërmjet fjalës dhe heshtjes, nëpërmjet lotit dhe buzëqeshjes.
Sonte, gjumi nuk më zë. Lodhja më rëndon mbi sy, por mendja rri zgjuar. E mbushur me kujtime, më vjen përpara figura e përkorë, e qetë, me trup të vogël por me shpirt të pamasë - Leze Spaqi, aktorja e papërsëritshme e Teatrit të Prishtinës, që për më shumë se 60 vite i qëndroi besnike skenës. Ajo nuk aktronte vetëm; ajo jepte jetë, frymë, zë e ngjyrë çdo personazhi që prekte.
Leze Spaqi (1934–2024) ishte një nga aktoret më të shquara të skenës dhe ekranit shqiptar në Kosovë. E lindur në një familje me origjinë nga Mirdita, ajo jetoi dhe krijoi për dekada me radhë në Prishtinë, duke u bërë një nga figurat më të dashura të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Karriera e saj artistike filloi në vitet ’50 dhe vazhdoi me përkushtim të pashoq deri në vitet e fundit të jetës.
E njohur për rolet e saj të thella, të ndjera dhe autentike, ajo spikati si në dramë, ashtu edhe në komedi, duke interpretuar dhjetëra personazhe të paharrueshme në teatër dhe film. Me një zë të veçantë dhe një prezencë skenike të natyrshme, Leze Spaqi fitoi zemrat e publikut përmes talentit, përulësisë dhe sinqeritetit të saj njerëzor e artistik.
Përveç kontributit të madh në art, ajo ishte një urë shpirtërore mes brezash dhe mes shqiptarëve të të gjitha trojeve. I mbeti besnike kujtesës së rrënjëve të saj mirditore, të cilat i konsideronte një pjesë të pandarë të identitetit të saj personal dhe artistik.
Një filxhan kafe - aq i zakonshëm në përditshmërinë tonë -mori për mua një domethënie tjetër kur Leze Spaqi ma dhuroi në një nga takimet tona në Prishtinë. Ishte gjatë kohës kur po realizonin komedinë Kafja e mëngjesit, një ndër shfaqjet që kishte marrë zemrat e publikut. Ai filxhan kafeje më ngjalli kujtime, ndjesi, rrëfime të heshtura që flisnin më shumë se fjalët.
Pashë tek ajo një urë të rrallë midis aktorit dhe njeriut - një grua e zakonshme në dukje, por e jashtëzakonshme në thelb. E sinqertë, e drejtë, e dashur dhe mbi të gjitha - origjinale. Në çdo rol të saj ndjeje shpirtin. Nuk kishte aspak ndarje midis Lezes si njeri dhe Lezes si aktore. Ishin një. Kjo përputhje ishte ajo që e bëri të paharrueshme për brezat. Brezi im e njihte më së shumti nga rolet. Na mungon zëri i saj, na mungojnë personazhet që ajo mishëronte, na mungon vetë prania e saj, që tashmë ndodhet vetëm në kujtime.
Lezja e Mirditës dhe fjala e gjallë
Kam pasur fatin ta njoh edhe jashtë skenës. Takimi ynë i parë ndodhi gjatë përgatitjes së librit Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën, ku përfshiva figura të shquara shqiptare nga të gjitha trojet. Leze Spaqi ishte njëra prej tyre. Një zë i rrallë, një kujtesë e gjallë e një kohe që largohej, por që ajo e mbante të gjallë me fjalë e kujtime.
Më tregoi me emocione të rralla për rrënjët e saj:
"Po, mor bir, jam prej Mirditës. Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, ndala autobusin diku atje, në truallin tonë. Zbrita, u ula dhe mora një gur - një copë toke që nuk e kishte njohur kurrë thundra e pushtuesit. E mora me vete. E kam në shtëpi.
Dhe një amanet kam lënë: atë gur, vendosmni mbi varr. Të shmallem me vendlindjen - edhe e gjallë, edhe e vdekur."
Në një drekë në Prishtinë, folëm gjatë për artin, për kulturën, për vendlindjen e përbashkët. Fliste me pasion për figurat e mëdha shqiptare - për Katerina Josipin, për Rozafa Anagnostin, për Marie Krajën (e lindur gjithashtu në Prizren), për profesor Ndue Plucën, për Edi Luarasin, Preng Lëkundën, dhe profesor Zef Mirditën. Kishte një lidhje të veçantë me to - jo vetëm si kolegë, por si pjesë të një fryme të përbashkët, të një rranje që lindte nga toka mirditore.
Në Ditët e Gjeçovit, ndodhëm bashkë në Has edhe pse rastësish, për të përkujtuar figurat e shenjta të kombit - Gjeçovin, Anton Pashkun, Katerina Josipin, Bekim Femiun e të tjerë. Aty, në një çast solemn, vendosëm flamurin mbi varrin e Gjeçovit, ndezëm qirinj dhe qëndruam në heshtje. Heshtja, ndonjëherë, është gjuha më e fuqishme e respektit. Lezja e kuptonte këtë më mirë se kushdo.
Më ftoi të vizitonim së bashku varrin e Katerinës - një aktore që, sipas saj, kishte bërë histori përtej kufijve të Shqipërisë:
"Oh Gjon, Katerina Josip nuk lind më - nuk e lind ma nana. Edhe krejt bota me u mbledh, nuk lind më Katerina Josip.
Imagjino, një burrë kishte nxjerrë armën me e vra kur ajo ishte në skenë, duke luajtur rolin e njerkës në pjesën “Sikur të isha djalë'.
“Çfarë po bën mor burrë?', e kanë pyet. Ajo po lune ne skene?
“Jo bre, jo... ajo e ka për njëmend!”, ka thënë ai.
Çfarë rolesh që ka luajtur ajo! As grim nuk ka bërë, as kurrfarë tualeti. Ka artistë që qajnë në skenë - ajo kurrë s’ka qarë, por të tjerët i ka bërë me qajtë, me u shkul prej vendit me interpretimin e saj. Natyrë e sertë... Eh, Katerina Josipi ka qenë e përsosur. Unë jam e privilegjuar që më ra rasti me e pas partnere deri në fund të jetës së saj.
Trupvogël, por me shpirt të madh
Rrugët e Prishtinës më duken më të vakëta pa zërin e saj. Kur kaloj pranë bustit të Nënës Terezë në qendër të qytetit, mendja më shkon tek ajo - një trup i vogël, por një shpirt që nuk futej në asnjë trup, në asnjë skenë, në asnjë kornizë të zakonshme. Sepse ajo ishte vetë skena. Vetë kujtesa. Vetë gjuha e një populli që, edhe në ditët më të vështira, mbijetonte përmes artit dhe përmes zërave si i saj.
Ajo mbetet në çdo zë që del nga skena, në çdo rol që shfaqet në ekran, në çdo fjalë të pathënë që publiku ndjen. Mbetet në gurin që do të vendoset mbi varrin e saj - si një amanet, si një fjalë pa fjalë: Mos harro kush je.
Në fund, kur gjithçka hesht, kur skena mbyllet dhe dritat zbehen, mbetet ajo çka Leze Spaqi na la si trashëgimi:
Të mos harrojmë rrënjët. Të mos harrojmë tokën. Të mos harrojmë ata që deshën jetën përmes artit.
Dhe, mbi të gjitha,
Të mos harrojmë se përmes artit - siç bëri ajo - jeta bëhet më e thellë, më njerëzore dhe më e pavdekshme.