Carl Patsch, Instituti i Ballkanit në Sarajevë dhe çështjet shqiptare

Kultura

Carl Patsch, Instituti i Ballkanit në Sarajevë dhe çështjet shqiptare

Nga: Kurt Gostentschnigg Më: 2 shtator 2025 Në ora: 14:32
Autori Kurt Gostentschnigg

Ky artikull është një prej rezultateve të projektit “Albanologjia austro-hungareze 1867–1918 – një rast i imperializmit kulturor?”, të kryer përgjatë viteve 2014–2017 në Institutin e Historisë, dega e Historisë dhe Antropologjisë së Europës Juglindore, të Universitetit të Gracit në Austri.[1] Fryt i këtij projekti është botimi i monografisë me titull “Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918“[2] (“Shkenca në fushën e tensionit mes politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro–hungareze 1867–1918“), në të cilën për herë të parë paraqiten të gjithë aktorët individualë dhe kolektivë të katër fushave relevante – albanologji, politikë, ushtri dhe austrofilë shqiptarë, analizohen qëndrimet dhe motivet e tyre, duke aplikuar për këtë qëllim konceptet kyçe të teorisë së fushës të Pierre Bourdieu-s, të gjitha këto në kuadrin e marrëdhënieve të Austro-Hungarisë me shqiptarët dhe Shqipërinë.

Muzeu Kombëtar në Sarajevë

Me nismën e ministrit të përbashkët të Financave Benjámin von Kállay, në vitin 1885 u themelua Shoqata e muzeut për Bosnjë-Hercegovinën, e cila kishte detyrën të grumbullonte kryesisht objekte etnografike dhe arkeologjike për fondin e ardhshëm muzeal dhe të merrej me parakushtet e nevojshme organizative për themelimin e muzeut.[3] Muzeu u hap më 1 shkurt 1888 me statusin e institucionit shtetëror. Funksionin e drejtorit të muzeut e kryente Konstantin Hörmann, kryetar i seksionit në departamentin administrativ të qeverisë së landit Bosnjë dhe Hercegovinë. Ndërkohë, dy vjet më parë, më 1886 qeveria e landit kishte emëruar kustos-in[4] dhe arkeologun Ćiro Truhelka për fondin e koleksionit të arkeologjisë dhe historisë së artit, balsamuesin Edmund Zelebor për pjesët e shkencave të natyrës si dhe, më 1887 ornitologun Othmar Reiser si kustos për të njëjtën fushë. Drejtori i minierës së landit Wenzel Radimský më 1886 ishte ngarkuar me ngritjen e një koleksioni mineralogjiko-gjeologjik.

Muzeu u pajis me një bibliotekë shkencore dhe botonte çdo tre muaj në gjuhën boshnjake revistën e tij “Glasnik zemaljskog muzeja za Bosnu i Herzegovinu”. Nga viti 1893 deri më 1916 botohej jo periodikisht në gjuhën gjermane “Wissenschaftliche Mittheilungen aus Bosnien und der Hercegovina”, revistë e cila shërbente për informimin e partnerëve të tjerë austro-hungarezë dhe ndërkombëtarë të muzeut. Krijimi dhe pasurimi i suksesshëm i koleksionit të objekteve greko-romak të muzeut i detyrohet Carl Patsch-it, i cili më 1898 u caktua si kustos i Muzeut Kombëtar të Sarajevës. Muzeu dhe politika austro-hungareze mund të tërhiqnin më shumë vëmendjen e publikut evropian nëpërmjet gërmimeve dhe gjetjeve të objekteve prehistorike dhe antike sesa prej atyre të periudhës mesjetare boshnjake[5].

Muzeu Kombëtar nën drejtimin e Patsch-it mori pjesë në aktivitete të shumta jashtë kufijve të landit dhe vlerësimi i botës së specialistëve mbi punën e tij qe pozitiv. Ai kishte një shkëmbim shkencor me specialistë të vendeve të tjera të Evropës dhe pjesërisht edhe me ata amerikanë.[6] Për këtë dëshmon edhe korrespondenca e gjallë e Patsch-it me arkeologë, historianë dhe shkencëtarëve të tjerë me emër, të cilët shfaqën interes të madh për muzeun, botimet e tij dhe Institutin e Ballkanit. Ministri Kállay, i cili e konsideronte Muzeun Kombëtar të Sarajevës si projektin e tij personal, shfaqej si organizator i punës shkencore. Ai pati një ndikim të madh mbi punën e muzeut, që u manifestua në përgatitjen paraprake të përmbajtjes së materialeve shkencore, ndërhyrje në çështje të hollësishme teknike, kontrollin e të gjithë artikujve të revistës “Glasnik”, korrigjimet e skicave të teksteve dhe të përkthimeve etj..[7]

Themelimi dhe veprimtaria e Institutit të Ballkanit të Sarajevës

Në vitin 1903, ndërkohë që vazhdonte punën si kustos në Muzeun Kombëtar në Sarajevë, Carl Patsch u bë nismëtari i themelimit të “Institutit për Kërkime Ballkanike“, i emërtuar shkurt si “Instituti i Ballkanit“. Ai e themeloi këtë institut më 1904 me përkrahjen e ministrit të përbashkët të Financave Stephan Burián dhe e drejtoi atë në vijim. [8] Njohja zyrtare e themelimit të Institutit u bë më 5 janar 1908 me anën e dekretit të Ministrisë së Përbashkët të Financave si autoriteti më i lartë administrativ për Bosnjë-Hercegovinën.[9]Synimi i Patsch-it ishte rigjallërimi i studimeve albanologjike të lëna pak pas dore në Austro-Hungari që nga koha e Johann Georg von Hahn-it dhe Gustav Meyer-it. Deri më 1915 personeli i institutit përbëhej vetëm nga dy persona: drejtori Patsch dhe sekretari i tij Vladimir Ćorović[10]. Vetëm me fillimin e Luftës së Parë Botërore, Vjena zyrtare mori në konsideratë dëshirat e tij për zgjerimin e ekipit të institutit.[11]

Menjëherë pas themelimit të Institutit të Ballkanit, Patsch krijoi një koleksion të punimeve të titulluar “Zur Kunde der Balkanhalbinsel“(ZKdBHI) për të cilin më 1904 iu lut për ndihmë Konstantin Jireček-ut, protokollist në Komisionit e Ballkanit në Vjenë. Përgjigja ishte refuzuese, nën arsyetimin vijues: “Mundësia e një ndihme për koleksionin Tuaj “Zur Kunde der Balkanhalbinsel” nga ana e Akademisë Perandorake të Shkencave është shumë i vogël. Një vështirësi është se, sipas programit të deklaruar nga Ju, punimet shkencore i përkasin seksionit të të dyja klasave të akademisë. Klasa filologjiko-historike ka ndalur të gjitha subvencionet deri në përfundimin tjetër të llogarisë, madje mungojnë edhe paratë për ndërmarrjet e shoqatës ndërkombëtare të akademive. Gjithashtu paratë e fondacionit Treidl për Komisionin e Ballkanit janë pakësuar dhe shmangia e vështirësive mundësohet vetëm nëpërmjet vonimit të shtypjes së shkrimeve të komisionit.”[12] Pas njohjes zyrtare të Institutit të Ballkanit Patsch iu drejtua përsëri Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë me një shkresë që mban datën 12 mars 1908, lidhur me një përkrahje: “... me detyrimin jo vetëm për të ndërmarrë kërkimet e veta dhe për të botuar rezultatet e tyre, por edhe për të mbështetur dijetarë të jashtëm në punimet shkencore. Duke i marrë parasysh qëllimet bamirëse dhe ato patriotike, vendi i ri i studimeve me pak mjete financiare merr leje t’i drejtohet akademisë së lartë me lutjen për mbështetje, me anë të dërgimit të botimeve në formë dhuratash.”[13] Në fillim të vitit 1909 ai pyeti Jireček-un se çfarë kishte vendosur akademia lidhur me këtë çështje. Përgjigjja qe përsëri negative, por me propozime konkrete për të ndryshuar situatën: “Shkresa e Institutit të Ballkanit u lexua më 18 mars 1908 në mbledhjen e klasës filologjiko-historike të akademisë dhe iu caktua Komisionit të Ballkanit. Më 1 prill 1908 komisioni në fjalë e shtyu vendimin, derisa të merrte informacione më të sakta për qëllimet dhe veprimtarinë e institutit. Që atëherë çështja pushoi. Një paqartësi e termave e dëmtoi që nga fillimi. Një institut mund të jetë një vend për mësimdhënie si institutet universitare ose një vend shkencor me botime të degës si stacioni zoologjik në Trieste dhe Napoli ... ose një shoqatë me dijetarë si në Itali Reale Instituto në Milano ose Venecia ... Akademia rrallë jep botimet e saja si dhuratë, p. sh. gjimnazeve, arkivave qeveritare dhe bibliotekave universitare brenda shtetit. Pjesa më e madhe i përket shkëmbimit të botimeve si me muze, universite të huaja dhe shkolla të larta ... Unë besoj se më mirë është, në qoftë se Ju i shkruani edhe një herë akademisë duke shpjeguar pak më hollësisht statutin, veprimtarinë, personelin, buxhetin etj. të institutit Tuaj, dhe ia ofroni publikimet Tuaja për shkëmbim shkrimesh.”[14]

Një shkresë në fund të prillit 1908 e Vatroslav Jagić-it, anëtar i Komisionit të Ballkanit, në të cilën shprehej frika e një përplasjeje projektesh, informoi mbi qëndrimin fillimisht të rezervuar të Akademisë së Shkencave në Vjenë ndaj Institutit të ri të Ballkanit në Sarajevë, i cili në fillim u pa si një konkurrent i padëshiruar: “Vendimi ynë ishte që t’i lutemi zëvendëskryetarit të bisedojë me ministrin e përbashkët të Financave si shef i administratës për Bosnjë-Hercegovinën, nga njëra anë për t’i shprehur habinë tonë që qeveria boshnjake krijon një ‘instutit’, i cili ka qëllime të ngjashme me Komisionin tonë të Ballkanit, pa na informuar mbi këtë; dhe nga ana tjetër për t’ia sqaruar ministrit dobinë, në qoftë se administrata e institutit të ri shpall në një farë mënyre projektet e saj, me qëllim që të mos ndërmerret e njëjta gjë nga të dy palët.”[15]

Veprimtaria e Institutit të Ballkanit shtrihej në tri fusha: marrja e drejtpërdrejtë e të dhënave në terren dhe në arkiva, botimi i materialit kryesor të mbledhur në këtë mënyrë dhe krijimi i një aparati shkencor, i cili mundësonte një përpunim profesional të rezultateve kërkimore të fituara që u përgjigjej të gjitha kërkesave.[16] Pjesë e këtij aparati ishin një bibliotekë, e cila përfshinte gjithë balkanologjinë, një arkiv historik, letrar, epigrafik dhe fotografik si dhe një koleksion hartash. Kërkimet në terren realizoheshin në radhë të parë në Bosnjë, Hercegovinë, Dalmaci Jugore, Mal të Zi, Serbi, Dobruxhë dhe Shqipëri. Ndër të tjera mblidhej material mbi thesarin popullor të shqiptarëve, i cili përmbante gjithë traditën e gegëve dhe toskëve në këngë, fjalë të urta, të drejtë zakonore, mite etj.. Për të siguruar të dhëna sa më gjithëpërfshirëse dhe të besueshme, në të gjitha zonat, vendasit motivoheshin për bashkëpunim. Veçanërisht në Shqipëri u arrit organizimi i një shërbimi shumë të dendur regjistrimi.

Koleksioni “ZKdBHI” kishte tri departamente: “Reisen und Beobachtungen” (“Udhëtime dhe vëzhgime”) kryesisht me përmbajtje natyro-shkencore, gjeografike dhe etnografike, “Quellen und Forschungen” (“Burime dhe kërkime”) dhe “Inventare und Bibliographien” (“Inventarë dhe bibliografi”).

Lidhur me çështje shqiptare botimet e departamentit “Reisen und Beobachtungen” ishin si më poshtë: Karl Steinmetz, Eine Reise durch die Hochländergaue Oberalbaniens. Wien, Leipzig: Hartleben 1904.(I. Reisen und Beobachtungen. H. 1); Karl Steinmetz, Ein Vorstoß in die nordalbanischen Alpen. Wien, Leipzig: Hartleben 1905.(I. Reisen und Beobachtungen. H. 3); Theodor Anton Ippen, Skutari und die nordalbanische Küstenebene. Sarajewo: Kajon 1907. (I. Reisen und Beobachtungen. H. 5); Karl Steinmetz, Von der Adria zum schwarzen Drin. Sarajewo: Kajon 1908. (I. Reisen und Beobachtungen. H. 6); Erich Liebert, Aus dem nordalbanischen Hochgebirge. Sarajewo: Kajon 1909. (I. Reisen und Beobachtungen. H. 10); Franz Nopcsa, Aus Schala und Klementi. Albanische Wanderungen. Sarajewo: Kajon 1910.
(I. Reisen und Beobachtungen. H. 11); Ekrem Bei Vlora, Aus Berat und vom Tomor. Tagebuchblätter. Sarajewo: Kajon 1911. (I. Reisen und Beobachtungen. H. 13); Franz Nopcsa, Haus und Hausrat im katholischen Nordalbanien. Sarajewo: Institut für Balkanforschung 1912. (I. Reisen und Beobachtungen. H. 16).

Ndërsa botimet e departamentit “Quellen und Forschungen” që kishin në fokus me çështje shqiptare ishin si vijon:Vinçenc Prennushi, Kângë popullore gegnishte. Sarajewo: Kajon 1911. (II. Quellen und Forschungen. H. 1); Maximilian Lambertz, Die Volkspoesie der Albaner. Eine einführende Studie. Sarajewo: Kommissionsverlag Studnička 1917. (II. Quellen und Forschungen. H. 6); Henrik Barić, Albanorumänische Studien. Sarajewo: Institut für Balkanforschung 1919.(II. Quellen und Forschungen. H. 7).

Në “Reisen und Beobachtungen. H. 10, 1909” u bë njoftimi i dy botimeve të planifikuara lidhur me Shqipërinë, të cilat nuk përfunduan: Th. A. Ippen, Türkei und Montenegro in den Jahren 1830 –1876; F. Nopcsa: Im Lande der Klementi. Të njëjtin fat patën edhe botimet e planifikuara të njoftuara në “Reisen und Beobachtungen. H. 18, 1913”: F. Barcatta[17], Zehn Jahre als Missionär in Albanien; G[j]. Fishta, Volkslieder der Tosken; G[j]. Fishta, Das Volksrecht der Gegen.

Ndërkohë në “Reisen und Beobachtungen. H. 20, 1918“ u bë njoftimi i botimeve të planifikuara lidhur me Shqipërinë, të cilat nuk u kryen, si vijon: B. Elmas, Die Albanier des oberen Rekatales bei Dibra; A. Baronin von Godin, Albanischer Großgrundbesitz; F. Kopstein, Aus Mittelalbanien; M. Lambertz, Die albanische Kunstliteratur; K. von Milius, Die Vergletscherung der Nordalbanischen Alpen; K. Steinmetz, Auf neuen Bahnen in Albanien; L. Szamatolski, Zur albanischen Bibliographie.

Një tiposkript, i hartuar ndoshta më 1912 nga Patsch, pa të dhëna lidhur me vendin dhe datën, ofron hollësira interesante mbi themelimin dhe veprimtarinë e Institutit të Ballkanit.[18] Nën pikën “Motive der Gründung” (“Motivet e themelimit”) Patsch shkruante: ngritje e vendeve speciale të punës për degë të veçanta ose njësi gjeografike, të cilat lejojnë një zhvillim të përqendruar të fushës kërkimore, pa u penguar nga mësimdhënia ose detyrat e tjera. Monarkia si fqinje dhe atdhe i popujve të veçantë, të cilët banojnë në Gadishullin Ballkanik, ka një interes serioz dhe të shumanshëm për njohjen më të mirë të vendeve dhe popujve fqinj. Ajo ka detyrën morale të marrë përsipër rolin udhëheqës në atë rajon. Nën pikën “Sarajewo als Ort” (“Sarajeva si vend”) ai shënonte: komunikim i lehtë dhe bashkim pa vështirësi i dijetarëve të të dyja shteteve të monarkisë. Nën pikën “Die Anfänge” (“Fillimet”) thuhet: plan në fillim të dekadës së parë të shek. XX; realisht në dispozicion vetëm mjete të një personi privat; prandaj së pari kufizim në “ZKdBHI”; formimi i një rrethi bashkëpunëtorësh të besueshëm; megjithatë kërkohet punë për krijimin e një aparati shkencor: bibliotekë speciale, koleksion hartash dhe fotografish, arkiv historik, letrar dhe epigrafik, koleksion dorëshkrimesh etj.; ndihma; nga 1904 deri më shtator 1907 u financua gjithçka privatisht nga Patsch; më 25 shtator 1907 ndihma e parë nga këshilltari komercial J. B. Schmarda[19]: 200 korona; dekret me datë 5 janar 1908 nga Ministria e Përbashkët e Financave: miratimi i projektit të kustos-it Dr. Patsch për të organizuar një institut në Sarajevë dhe miratimi i një subvencioni nga 500 korona me shpresë për aprovimin e subvencioneve të tjera nga ana e organeve shtetërore të të dyja shteteve të monarkisë, gjë që do të thotë fitimi i një baze të sigurt financiare. Nën pikën “Subventionen”(“Subvencione”) mund të lexohet: nga qeveria e landit për Bosnjë-Hercegovinën, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria austriake e Tregtisë, Ministria hungareze e Tregtisë, Ministria hungareze e Kultit dhe Arsimit, banka e landit për Bosnjë-Hercegovinën, Dhoma e Tregtisë dhe e Mjeshtërive në Vjenë, ndihma private (p.sh. Nopcsa). Nën pikën “Reisen” (“Udhëtime”) Patsch shkroi: që nga viti 1908 pajisje për udhëtimet e veta; bashkëpunim i vendasve; organizim në Shqipëri i një shërbimi regjistrimi me shumë degë. Nën pikën “Bibliothek” (“Bibliotekë”) thuhet: 7125 vëllime (deri më 1912); Shqipëria nuk përfaqësohet në asnjë institut tjetër shkencor më shumë sa në Institutin e Ballkanit në Sarajevë. Nën pikën “Schwächen” (“Dobësi”) Patsch shkroi fjalë për fjalë: “Mjetet financiare janë të pasigurta, për sa i përket largësisë dhe kohës së dërgimit të tyre. Çdo vit ato duhen kërkuar tek autoritetet përkatëse, por ato miratohen vetëm herë pas here ... Dërgesat bëhen me data krejt të ndryshme, edhe në fund të vitit, madje në ndonjë rast edhe një vit më vonë. Në këtë mënyrë, një veprimtari më largpamëse me detyra më përfshirëse mezi mund të mbahet në këmbë. Koha e favorshme për udhëtime kalon pa u shfrytëzuar dhe rastet e mira për blerje humbasin”. Edhe pika e fundit “Sanierung und Ausgestaltung des Instituts” (“Rinovimi dhe pajisja e institutit”) meriton një citat origjinal: “Duke e marrë parasysh nga njëra anë këtë situatë të keqe dhe nga ana tjetër lulëzimin e ardhshëm të institutit dhe rëndësinë e tij për pozitën shkencore të Monarkisë në Gadishullin Ballkanik, për rinovimin dhe pajisjen e institutit do të ishte i nevojshëm miratimi i një donacioni fiks, i cili në përmasën e tij do t’u përgjigjej agjendave të shumëllojshme (udhëtime kërkimore, publikime, ilustrime, pagesë për autorin, bibliotekë, arkiva, koleksion dorëshkrimesh etj.), nevojave lidhur me personelin (1 ndihmës, 1 asistent, 1 nëpunës kancelarie dhe 1 shërbyes) si dhe shpenzimeve teknike.”

Në raportin e përgatitur në mes të dhjetorit 1917, mbi ekspeditën kërkimore realizuar nga Patsch në vjeshtë të po atij viti në vendin e shqiponjave, ai pohonte me plot krenari se departamenti shqiptar në bibliotekën e institutit ishte koleksioni më i pasur me libra, për të cilin Shqipëria mund të lavdërohej.[20]Ai përfshinte vepra, të shkruara mbi Shqipërinë, madje një pjesë e tyre edhe në Shqipëri. Një nga qëllimet ambicioze të drejtorisë së institutit ishte që ky koleksion të bëhej sa më i plotë. Për të shqyrtuar dhe plotësuar listën e librave si dhe për të bërë blerjet sipas saj, ishin vizituar të gjitha bibliotekat publike dhe private të Shkodrës. Biblioteka më e pasur publike, sipas Patsch-it, ishte Biblioteka Kombëtare Shqiptare, e cila po ngrihej me porosi të komisarit civil August Kral, bibliotekari i së cilës ishte sekretari i Komisisë Letrare Shqipe, e cila ishte krijuar gjithashtu me nismën e këtij të fundit. Me këtë bibliotekë ishte rënë dakord për një shkëmbim librash. Çfarë mungonte në bibliotekën e institutit, tashmë sigurohej, raportoi Patsch: “Kanë qenë 76 numra shumë të rrallë, ndër ta prodhime shtypi, gazeta, broshura, pamflete etj., të cilat ndoshta nuk gjenden diku tjetër, nga koha osmane, e cila e ka rënduar shumë jetën shqiptare dhe periudha vijuese e ngatërresave ballkanike ... Ndoshta ia vlen të përmendet se me këtë rast si edhe më parë në ‘Posta e Shqypnies”, instituti është nderuar në mënyrë shumë të gjallë si një institucion, i cili ishte shumë dashamirës ndaj Shqipërisë.”[21]

Si pasojë e Luftës së Parë Botërore Instituti i Ballkanit u mbyll më 27 nëntor 1918 nga qeveria kombëtare e Bosnjë-Hercegovinës.Vijon nesër

[1] Austrian Science Fund (FWF), project nr. P26437–G15.

[2] Kurt Gostentschnigg, Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918, Wiesbaden: Springer VS, 2018, (828 f.).

[3] Oliver Bagarić, “Museum und nationale Identitäten: Eine Geschichte des Landesmuseums Sarajewo“, në Südost–Forschungen 67, München: 2008, f. 148.

[4] “Kustos” = specialist shkencor në një muze.

[5] O. Bagarić, “Museum und nationale Identitäten ...”, f. 153 v.

[6] Po aty, f. 159.

[7] Po aty, f. 157 dhe 162; Arhiv Bosne i Hercegovine ( më tej: ABH), Zemaljska vlada Sarajevo ( më tej: ZVS), 1889, Convolut 79, Chiffre 41/39.

[8] Bayerisches Hauptstaatsarchiv -Arkiv Kryesor Shtetëror i Bavarisë (më tej: BHStA), Bestand des Südost–Instituts( më tej: BSOI) shqip: inventari Institutit Juglindor), Nachlass Patsch (shqip: trashëgimi e lënë e Patsch-it), Karton (= K; shqip: kuti) 1, Archiveinheit (= AE; shqip: njësi arkivore) 263.

[9] Archiv der Österreichischen Akademie der Wissenschaften in Wien (=AÖAW; shqip: Arkiv i Akademisë Austriake të Shkencave në Vjenë), Balkan–Kommission, K 1/A2: Nr. 267/1908.

[10] Historian serb nga Hercegovina (1885–1941). Vladimir Ćorović ka studiuar arkeologji, histori dhe filologji sllave në universitetin e Vjenës dhe ka punuar si administrator në muzeun kombëtar të Sarajevës.

[11] Ernst Gerland, “Das Bosnisch–Hercegovinische Institut für Balkanforschung in Sarajevo. Ein Gedenkblatt zur Feier seines 10 jährigen Bestehens”, në Deutsche Literaturzeitung 36, Berlin: 1915, nr. 9, f. 429–433.

[12] BHStA, BSOI, Nachlass Patsch, K 4, AE 274:Briefe (= letra) und Postkarten (= kartolina) von Jireček an Patsch 1896–1917, Brief vom 30.9.1904.

[13] AÖAW, Balkan–Kommission, K 1/A2: Nr. 267/1908, Schreiben von Patsch vom 12.3.1908 an die Akademie der Wissenschaften in Wien.

[14] BHStA, BSOI, Nachlass Patsch, K 4, AE 274:Briefe und Postkarten von Jireček an Patsch 1896–1917, Brief vom 5.2.1909.

[15] AÖAW, Balkan–Kommission, K 3/H5: 1908 Schreiben von Jagić, Balkan–Kommission, vom 29.4.1908 an Unbekannt anlässlich der Gründung eines Balkaninstitutes in Bosnien–Herzegowina.

[16] Haus–, Hof– und Staatsarchiv Wien (më tej: HHStA), Ministerium des Äußeren ( më tej: MdÄ; shqip: Ministri e Punëve të Jashtme),Administrative Registratur (= AR; shqip: zyrë administrative), Fach(= F; shqip: degë) 74/3, Dep. 8 a, Nr. 18782, Bericht des Balkaninstituts vom 18.3.1912.

[17] Fabian Barcatta (1868–1954) ka qenë një misionar austriak në Shqipëri. Shih Ndue Dedaj, Fabian Barcata dhe ditari i tij shqiptar. Një misionar i vjetër austriak më shqiptar se shqiptari“, Tirana: Mirdita, 2005.

[18] BHStA, BSOI, Nachlass Patsch, K 2, AE 299: Typoskript von Patsch ohne Angabe von Ort und Datum.

[19] Emri dhe të dhënat rreth këtij personi nuk mund të gjendeshin.

[20] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen:Präs. Nr. 187, 2.3.1918, Bericht von Hofrat C. Patsch vom 16.12.1917 betreffs seiner Forschungsreise nach Albanien im Herbst 1917.

[21] Po aty.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat