Veprimtaria dhe krijimtaria e Sherif Sherifit, nga Qarri i Bujanocit

Kultura

Veprimtaria dhe krijimtaria e Sherif Sherifit, nga Qarri i Bujanocit

Nga: Refik Hasani Më: 20 shtator 2025 Në ora: 21:05
Sherif Sherifi

Sherif Haki Sherifi u lind më 19 shtator 1952, në fshatin Qarr të Bujanocit. Hapat e parë të dijes i mori në shkollën fillore të vendlindjes, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Gjilan në vitin 1974. Studimet i vazhdoi në Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës.

Ky rrëfim sjell një pasqyrë të jetës, veprimtarisë dhe kontributit të tij si një intelektual i përkushtuar dhe atdhetar i paepur. Nëpërmjet sakrificës, përkushtimit dhe dashurisë për Atdheun, në kujtim të vendlindjes – Qarrit, një vend historik me tradita të pasura atdhedashurie, që ka një histori të bujshme dhe lavdi nga lufta e njohur e Qarrit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Në frymëzim të dajës Fazi Ramadani dhe Ilmi Ramadanit – që përveç se ishin nip e dajë, ishin edhe bashkëmoshatarë dhe bashkëveprimtarë – ishin të organizuar në celula e grupe shokësh. Ata e filluan këtë rrugë bashkë me Rexhep Malajn. Është rritur në odat e Malësisë së Bujanocit, ku ngjarjet për luftëtarët e kohës si Lam Breznica, Sylë Zarbica, ishin ende të freskëta. Ishte edhe bashkëveprimtar i heronjve e dëshmorëve Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Metush Krasniqi, Kadri Zeka, etj.

Në vitet 1981 dhe 1982 detyrohet të emigrojë në Zvicër e Gjermani për t’i shpëtuar arrestimit. Për aktivitetet e tij atdhetare i bie në gjurmë UDB-ja. Disa herë arrestohet, burgoset, largohet nga puna dhe kërcënohet me burgim e me vrasje.

Rexhep Malaj doli nga burgu më 23 maj 1983, ndërsa Ilmi Ramadani ishte në vuajtje të dënimit për herë të dytë, në procesin gjyqësor të mbajtur në Gjilan, ku u dënua Ilmi Ramadani dhe 16 të tjerë të burgosur politik. Në mesin e tyre ishte edhe vëllai më i vogël i veprimtarit dhe autorit të librit, Sherif Haki Sherifi – Sadri Sherifi, i cili u dënua me 6 vjet.

Sabriu, vëllai tjetër i Sherif SHERIFIT, është dënuar dhe ka vuajtur 5 vjet burg të rëndë, duke i bërë ballë të gjitha sfidave të jetës, burgosjeve e ndjekjeve, duke kaluar vuajtjet dhe torturat në ferrin më të tmerrshëm të burgjeve nën regjimin shovinist jugosllav.

Kurse veprimtari dhe autori i librit, Sherif Haki Sherifi, është arrestuar dhjetëra herë dhe është mbajtur nën hetime bashkë me gjithë familjen. Hetimet ishin të stërzgjatura dhe pa përfundim, duke u shndërruar në një izolim të hekurt, pasi Sherifi kishte edhe dy vëllezër në vuajtje dënimi. Gjatë këtyre hetimeve pa gjyq, është torturuar dhe maltretuar në mënyrën më të tmerrshme, ashtu siç ndodhte në burgjet më të rënda të kohës komuniste. Për shkak të arrestimeve, bastisjeve të panumërta dhe kërcënimeve të shumta, ai është detyruar të migrojë sërish në Zvicër dhe Gjermani.

Pas kthimit nga jashtë, kthehet sërish në vendlindje në vitin 1985. Me daljen e UÇK-së, ai u paraqit në Komandën e ZOK-ut, nga ku mori detyra ushtarake në njësitet lokale të fshatrave të këtyre trevave.

Babai i Sherif Sherifit  ishte Hakiu, dhe nëna – Fetije (tani të ndjerë të dy). Ai ka edhe tre vëllezër: Sadriun (i ndjerë), Sabriun dhe Sejdullahun, si dhe motrat: Hanumshahja, Rafetja dhe Hazbija.

Sherif Haki Sherifi rrjedh nga një familje e njohur patriotike me taban kombëtar. Fazli Ramadani ishte daja i tij (vëllai i nënës), ndërsa dëshmori i kombit Sylë Zarbica ishte babai i nuses së dajës (Selman Selkut), babait të Ilmi Ramadani (1953–2025), nga fshati Novosellë e Epërme, Komuna e Bujanocit – luftëtar i lirisë dhe veprimtar i çështjes kombëtare.

Krijimtaria letrare dhe publicistike e Sherif Haki Sherifit

Baca Sherif është autor i librit me kujtime, kushtuar Heroit Kombëtar Rexhep Malaj, me titull “NË KUJTIMET E MIA”, botuar në vitin 2023. Kjo është një vepër realiste, kronologjike e biografike për heroin e popullit tonë. Meqenëse autori e njihte që nga rinia Rexhep Malajn, libri është shumë i veçantë dhe i rrallë. Ai përfshin idealet e luftëtarit në mbrojtje të lirisë së popullit të robëruar dhe do të mbetet në kujtesë si një dëshmi e sakrificës për lirinë dhe idealin kombëtar.

Sherif Haki Sherifi shkruan për njohjen me Rexhep Malajn, dromca kujtimesh nga koha e studimeve, fillet e rebelimit, aksionet e para, demonstratat e 27 nëntorit të vitit 1968 në Gjilan, leximin dhe shpërndarjen e literaturës. Libri vazhdon më tej me përshkrimin e fillimeve të Rexhep Malajt si mësues në fshatin Marec, arrestimet e vitit 1975, daljen nga burgu, kthimin në familje, rënien heroike dhe ceremoninë e varrimit të dy viganëve të luftës çlirimtare që sakrifikuan gjithçka për Liri dhe Bashkim Kombëtar.

Baca Sherif, përveç kësaj, është marrë aktivisht me grumbullimin e shënimeve, të dhënave dhe deklaratave gojore e me shkrim mbi ngjarjet para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos për luftën e Qarrit. Ai është autor i hulumtimit të publikuar me titull:

“Fazli Ramadani (1921–1994) – Luftëtar i njohur dhe patriot në Malësinë e Bujanocit.”

Baca Sherif është i martuar me Elfete Rexhepajn. Pasardhësit e tyre janë:

djali Visari, që jeton në Francë,

vajza Shpresa, që jeton në Gjermani,

djali Kastrioti, që jeton në Zvicër,

dhe djali Aureli, që jeton në Gjermani.

Sherif Haki Sherifi është marrë me shkrime që nga rinia. Ky është libri i tij i parë. Ai tani jeton me familjen e tij në fshatin Petrit të Dardanës. Kjo është një biografi e shkurtër e jetës së tij. Veprimtarit dhe autorit të librit i dëshirojmë shëndet dhe krijime të tjera të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat