Maria Lulgjuraj Camaj – një jetë drite, burrnie e dashurie

Kultura

Maria Lulgjuraj Camaj – një jetë drite, burrnie e dashurie

Prof. Gjon Frani Ivezaj Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj Më 30 shtator 2025 Në ora: 06:35
Maria Lulgjuraj Camaj me familje

Më 16 shkurt 1948, në Llofke të Grudës, në një derë të nderuar e të respektuar, lindi Maria, bija e Pjetër Gjekë Lulgjurajt, vajza që do të bëhej shembull i virtytit, i urtësisë dhe i dashurisë së pafund për familjen dhe për jetën. Qysh në fëmijërinë e saj ajo rritej me edukatën e kullës, me rregullat e pastra të burrnisë dhe të traditës malësore. Kur arriti moshën e vajzërisë, emri i saj u përhap në mbarë Malësinë: Maria ishte vajzë e bukur si yll, e urtë si dritë, me trup si selvi e me fytyrë që rrezatonte mirësinë dhe pastërtinë e shpirtit.

Në ato vite, burrat e Malësisë mblidheshin në kafenë e Tuzit, ku fjalën e parë dhe vendin e nderit e kishte Fran Luli Camaj,nga Vuksanlekaj i Hotit, burrë i pashem , i shquar për besën nderin , fisnikërinë, bujarinë dhe autoritetin e tij të rrallë. Kur ai hynte në  cdo kafe, të gjithë malësorët ngriheshin në këmbë,  se kishin nderin dhe respektin ma te math per ta,  sepse ai mishëronte figurën e burrit të fjalës, të kanunit dhe të traditës, një personalitet i pashoq në tërë Malësinë e Madhe.

Fran Luli, me mendjen e tij të ndritur, e kishte dëgjuar fjalën e mirë për vajzën e Pjetër Gjekës. Pas këshillave me miqtë e besës, vendosi ta kërkonte për djalin e tij Zefin, një djalë sokol, i pashëm, i urtë, besnik e faqebardhë i Hotit, ndër më të nderuarit e Malësisë. Pasi mori bekimin e familjes, Fran Luli shkoi në Grudë dhe trokiti në deriën e Pjetër Gjekës, ku u prit me shume nderë  e nderime e vlersime e bujari. Sipas zakonit, burri maleve Fran Luli kërkoi dorën e vajzës për të birin Zefin,dhe pas një këshillimi të gjatë, familjet ranë dakord. Fejesa u vulos me unazën e artë dhe me bekimin e Krishtit, duke u bërë një lidhje e shenjtë midis dy familjeve të mëdha të Malësisë.

Zefi, që shërbente në ushtri, e mori lajmin me gëzim dhe krenari, sepse për të fjala e babait ishte e shenjtë. Kur u kthye, e pa me sytë e tij fatin e madh që i kishte dhuruar Zoti. Për katër vjet të fejuar, Maria dhe Zefi e ruajtën dashurinë e tyre me besë e me respekt të ndërsjellë.

Në vitin 1965 erdhi dita e madhe e martesës. Maria, vetëm 17 vjeçare, erdhi nuse në kullën e Fran Lulit, ndërsa Zefi ishte 24 vjeç, djalë  i pashëm e i hijshëm. Dasma u bë madhështore, ndër më të mëdhatë që kishte parë Malësia e Madhe. Kulla e Fran Lulit u mbush plot me miq, të afërm e dashamirë nga Hoti, Gruda, Triesh ,nga Koja , Kelmendi, Shkreli e Kastrati. Sofrat u shtruan me mish, verë, raki e të gjitha të mirat e Zotit. Këngët e burrave, vallet e grave, krismat e pushkëve dhe jehona e levorëve kumbuan nëpër male. Nusja, me xhubletën e Malësisë, u prit si një princeshë, ndërsa Zefi e Maria kur hynë në valle, shkëlqenin si dy rreze drite, si dy yje në qiellin e Malësisë. Ishte një dasmë që edhe sot përmendet me krenari si ndër më të bukurat e kohës.

Maria erdhi në një shtëpi të madhe kreshnike trime e bujare, në oxhakun e Fran Lulit, burrit të nderuar të Hotit, ku gjendeshin të përmbledhura bujaria, trimëria, patriotizmi dhe idealet më të larta kombëtare. Ajo ishte e gëzuar që hyri nuse në një derë aq të njohur, dhe mbi të gjitha, sepse kishte marrë burrin më të hijshëm e më të çmuar ndër sokolat e Malësisë, Zefin, djaloshin që kishte autoritet të madh e të pakrahasueshëm, faqebardhë i Hotit dhe krenaria e Camajve. Në atë kullë, Maria mori mësimet e jetës, urtësinë e grave të moçme, besën, nderin dhe bujarinë e një familjeje që shquhej për virtyte të larta. Me dashurinë e burrit dhe këshillat e familjes, ajo fitoi shpejt respektin e grave të Camajve e të gjithë Tarboinit të Hotit, duke u bërë një figurë autoriteti e urtësie edhe pse ishte e re në moshë.

Në vitin 1967, gëzimi i parë i madh erdhi në kullën e Fran Lulit. Maria solli në jetë djalin e parë, Dodën. Gëzimi ishte i pamasë. Trimi i kullës, Fran Luli, mori pushkën e të parëve dhe e qiti pesë herë për të lajmëruar Malësinë se në atë derë të shquar kishte lindur trashëgimtari. Pas pak minutash, u mblodhën të gjithë vëllezërit, kushërinjtë Camaj ,dhe fqinjët në kullën e Fran Lulit. U shtruan sofrat me meze, kafe, raki e verë, dhe nga çdo anë u dëgjuan krisma pushkësh e levorësh. Urimet e miqve e të dashamirëve ishin të pafundme: “U rrittë si burrat e kësaj dere!”, “U bëftë faqebardhë i Hotit e i Malësisë!”. Aty, në gëzimin e lindjes së Dodës, jehonte madhështia e një familjeje që kishte dhënë burra të njohur në histori, trima të pushkës, të besës dhe të fjalës.

Por pak muaj pas këtij gëzimi, Zefi pa vështirësitë e mëdha ekonomike dhe politike në Jugosllavi. Me guxim e vendim të madh, bashkë me Marien dhe djalin tre muajsh, morën rrugën e emigrimit me vjetin 1967 . Fillimisht shkuan në Trieste ne Itali, pastaj në Katina e Capua, ku pritën për dokumentet, e më pas u nisën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në New York, në Manhattan, Zefi filloi punën, ndërsa Maria qëndroi me përkushtim pranë djalit të vogël dhe e mbajti shtëpinë me dashuri e sakrificë.

Zef Frani, burrë i fortë dhe i palodhur, bashkë me bashkëshorten e tij fisnike, u dalluan shpejt në komunitetin shqiptar. Shtëpia e tyre ishte gjithnjë e hapur, sofra plot, mikpritje burrnore e fisnike, siç i ka hije një dere shqiptare. Për këtë, Zefi e Maria u nderuan nga të gjithë shqiptarët e New Yorkut si ndër figurat më të respektuara të komunitetit.

Në vitin 1972, Zoti i bekoi me një tjetër djalë, Antonin. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm. Urime e përgëzime erdhën nga të gjitha anët, dhe shtëpia e tyre u mbush përsëri me gëzim e lumturi. Maria, me durim e dashuri, rriti dy djemtë e saj, duke i ushqyer me virtyte, ndershmëri e respekt për të gjithë. Pas disa vitesh, familja u vendos në  Wodhaven Boulevard Queens, ku jetuan deri sa blenë shtëpinë në Scarsdale, Westchester,  me vjetin 1992 ,ku e gjetën qetësinë dhe një jetë më të mirë e ma te lumtur.

Atje, fëmijët e Zefit e Marisë u shkolluan në fakultete e universitete, duke përmbushur ëndrrën më të madhe të prindërve. Martesat e Dodës e Antonit me vajza shqiptare e gëzuan zemrën e prindërve, dhe lindja e 4 nipërve e 4 mbesave e mbushi shtëpinë me dritë. Maria i deshti i nderou i respektoi nuset si bija të saj, ndërsa nipërve e mbesave u dha dashurinë më të pastër të një gjysheje. Për të gjithë ishte shembull i mirësisë, i bujarisë dhe i respektit.

Në vitet e fundit, Maria u përball me sëmundje, por me burrin e saj pranë, me djemtë e nuset që nuk iu ndanë ditë e natë, ajo qëndroi me dinjitet dhe me besim deri në fund. Më 1 gusht 2025, Maria mbylli sytë përfundimisht, duke lënë pas dhimbje të thellë dhe lot në familje, në farefis dhe në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan. Funerali i saj u bë ne Yorktown Westchester,  me qindra pjesëmarrës, të gjithë me lot në sy e me zemër të thyer, për ta përcjellë një grua të madhe, një nënë të shenjtë dhe një gjyshe të paharruar.

Trupi i saj u përcoll për në Vuksanlekaj të Hotit, aty ku kishte ardhur nuse dikur, dhe aty ku deshi të prehej përjetë. U varros më 13 gusht mes lotëve, urimeve dhe kujtimeve të pafund, në tokën që e deshi me shpirt.

Maria Lulgjuraj Camaj ishte bashkëshorte besnike, nënë e përkushtuar, vjehrrë e urtë, gjyshe e dashur, mikepritëse e pashoqe dhe personalitet i nderuar në komunitetin shqiptaro-amerikan. Ajo u desh dhe u nderua nga të gjithë, dhe kujtimi i saj do të mbetet i paharruar ndër breza.

Ngushëllime të përzemërta bashkëshortit Zefit, djemve Dodës e Antonit, nuseve të nderuara, nipërve e mbesave, fisit Camaj e Lulgjuraj, dhe gjithë miqve e dashamirëve. Maria mbetet faqja e bardhë e familjes, simbol i dashurisë dhe i burrërisë malësore. U prehtë në paqe shpirti i saj fisnik. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat