“Vagullnaja Vizuale” titullohet ekspozita e cila do të hapet sonte nga ora 19:00 në Open Art Gallery në Prishtinë, Hapësira Alternative e Artit Bashkëkohor.
Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Albes Fusha, Ardian Isufi, Ardian Kapo, Artan Marku, Artan Peqini, Ergys Krisiko, Gazmend Leka, Helidon Haliti dhe Sadik Spahija.
Ekspozita është një përpjekje për të krijuar një gjendje pamore ku kuptimi nuk është i menjëhershëm, si mundësi të eksplorojë paqartësinë përmes peizazheve të ndërmjetësuara, hapësirave të simuluara dhe analogëve të përmbysur të vendeve historike, duke e sfiduar shikuesin të vërë në dyshim natyrën e përfaqësimit. Në fakt është një reagim radikal ndaj kërkesës për formë të qartë, për përfaqësim të plotë dhe kuptim të menjëhershëm në një kohë ku gjithçka është e tejdukshme, por shumë pak e kuptueshme.
Veprat e artit nga artistët, pjesë e kësaj hapësire në OPEN ART Gallery krijojnë një status-quo “Liminaliteti” si një gjendje tranzicioni ose ndërmjetësie hapësinore, por kjo situate ambiguiteti mund të jetë në kontekste të ndryshme, siç citohet: “…që nga ritet antropologjike të kalimit deri te hapësirat e përditshme dhe madje edhe proceset krijuese.”
Pra, territori i ekspozitës, bëhet gjithashtu një hapësirë sociale ku publiku përballet me artin në një kontekst unik hapësinor dhe e inkurajon shikuesit të marrin pjesë aktive në përvojë, të ngrenë pyetje, të interpretojnë dhe të gjenerojnë narrativa të reja.
“Vagullnaja Vizuale” kërkon ta aktivizojë galerinë si një hapësirë alternative, ku arti, dhe publiku mund të kryqëzohen dhe bashkëveprojnë, duke gjeneruar kuptime dhe përvoja të reja që sfidojnë kuptimin tonë për hapësirën, kohën dhe vetë natyrën e artit.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2025.