Pas botimeve në tri vëllime të krijimtarisë publicistike të veprimtarit të çështjes kombëtare Ing. Nazmi Peci, i cili ishte për shumë vite edhe nënkryetar në shumë mandate i Degës së LDK-së në Zvicër, ditë më parë, Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë, e drejtuar nga shkrimtari i mirënjohur, Nazmi Rrahmani, nxori monografinë kushtuar këtij personaliteti dhe mërgimtari të LDK-së. Monografia, është një vepër dokumentare që trajton jetën dhe veprimtarinë e tij profesionale, shkollimin dhe edukimin, veprimtarinë udhëheqëse dhe sukseset në Kombinatin TREPÇA në Mitrovicë, si dhe angazhimin e tij kombëtar për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Monografia është përgatitur nga dy veprimtar dhe njohës të Nazmi Pecit, siç janë Prof. Demë Jashari dhe shkrimtari Shefqet Dibrani, të cilët përmes dokumenteve, dëshmive dhe kujtimeve nga familja dhe familjarë, shokë pune dhe bashkëveprimtarë në mërgatë kanë ndërtuar një portret mjaftë të plotë të këtij intelektuali dhe veprimtari të LDK-së, dhe padyshim është shembulli më i mirë se si është dashur ky subjekt politik të veproj edhe për shumë figura të tjera në Kosovë dhe gjetiu të cilët qysh moti nuk janë më gjallë.
Në këtë monografi, përveç trajtimit biografik dhe profesional për Nazmi Pecin, janë përfshirë edhe dokumente të rëndësishme, ndër to edhe proceset gjyqësore kundër tij, pastaj edhe një album fotografik me fotografi me ngjyra, si dhe shënime e kujtime të tjera nga familjarë, miq dhe bashkëveprimtarë të tij.
Ing. Nazmi Peci ishte një nga kuadrot profesionale të Kombinatit “TREPÇA” në Mitrovicë dhe një ndër intelektualët aktivë të kohës së tij. Ai ishte ndër nënshkruesit e Peticionit të 215 intelektualëve të Kosovës dhe një nga intelektualët e parë që u shkarkua nga posti i drejtorit dhe u dënua me burg në vitin 1983, pastaj Nazmi Peci, iu nënshtrua edhe arrestimit gjatë aksionit të njohur si “Izolimi”, që regjimi serb ndërmori kundër shtresës intelektuale shqiptare në vitin 1989.
Ndërsa nga viti 1990 e gjerë në ditët e fundit të jetës së tij, Nazmi Peci, emigroi në Zvicër, dhe ishte njëri nga themeluesit e kësaj Dege si dhe Kryetar i Fondit Humanitar Gjithëkombëtar. Kryetar i parë i Fondit të Trepërqindëshit, dhe nënkryetar në disa mandate në Degën e LDK-së në Zvicër.
Autorët kanë përfshirë shumë reagime dhe kujtime të personaliteteve me rastin e vdekjes, prandaj falënderojnë familjen e Nazmi Pecit për mbështetjen dhe për kontributin në botimin e kësaj vepre, si dhe të gjithë familjarët tjerë, miqtë dhe bashkëpunëtorët që me shkrimet dhe kujtimet e tyre kanë ndihmuar në pasqyrimin sa më të plotë të jetës dhe veprës së tij. Kurse monografinë, me një përgatitje të lartë teknike e botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë, gjat muajit mars 2026.