Filmi “Dua” i regjisores kosovare Blerta Basholli e ka vendosur Kosovën në ajkën botërore të filmit.
Pas premierës emocionale në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, filmi ka fituar çmimin prestigjioz “SACD”, që ndahet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në kuadër të seksionit të njohur “Semaine de la Critique”.
Ky vlerësim konsiderohet një prej çmimeve më të rëndësishme autoriale në Francë dhe një tjetër sukses i madh për kinematografinë kosovare.
E emocionuar pas triumfit, Basholli tha për KosovaPress se ky çmim ka peshë të veçantë, sidomos për faktin se filmi buron nga një rrëfim shumë personal.
Suksesi bëhet edhe më i madh kur dihet se në “Semaine de la Critique” janë përzgjedhur vetëm shtatë filma nga mbi 1050 aplikime nga e gjithë bota.
Basholli: Çmimi i shoqatës SACD është një çmim shumë i rëndësishëm
“Çmimi i shoqatës SACD është një çmim shumë i rëndësishëm, është çmim që e jep shoqata e autorëve, një prej shoqatave më të rëndësishme dhe më të respektuara në Francë. Është një mirënjohje shumë e madhe, me shkruajt skenarin për "Dua"-n, ka qenë një proces goxha i vështirë, pavarësisht që është rrëfim personal, kur e bazon në diçka që është shumë e afërt me ty edhe shumë personale, është shumë zorrë nganjëherë me balancua çka me lënë e çka me heq..1:33 Zgjedhën veç shtatë filma prej 1050, që kanë aplikuar, është një program paralel me festivalin e Kanës, që edhe janë të njohur për shumë selektiv, janë të njohur për njohjen e zërave të rinj e autorialë.. Besoj edhe për kinematografinë, se prania në Kanë, më së pari, është goxha prestigjioze, fiton shumë vizibilitet”, ka thënë Basholli.
Premiera e filmit në Cannes u shndërrua në një moment të paharrueshëm për ekipin, pasi publiku e priti me duartrokitje të gjata.
Basholli: Publiku e ka prit shumë mirë, kemi marrë edhe "standing ovation"
“Premiera ka qenë një moment shumë emocional. Publiku e ka prit shumë mirë, kemi marrë edhe "standing ovation", që në shqip i bie një aplauz i gjatë pas filmit. Në shumicën e filmave matet me minuta sa ka zgjatë standing ovation pas filmit, për shkak se është njohja që ta bën publiku për punën edhe për filmin.. 4:36 Ajo që më ka inspiruar më së shumti, është lufta e adoleshentëve me i mbrojt ëndrrat e veta, me e ruajt një dinjitet e një humanitet të vetin. Edhe pse je në luftë, gjithmonë i ke ëndrrat”, ka shtuar ajo.
Filmi “Dua” rrëfen jetën, ëndrrat dhe sfidat e të rinjve në kohë konflikti, në këtë rast të luftës në Kosovë. Ndërsa Basholli ka treguar se edhe vetë titulli bart një simbolikë të dyfishtë.
Ajo ka zbuluar se një prej sfidave më të mëdha gjatë realizimit të filmit ka qenë rikrijimi autentik i Prishtinës së kohës së luftës, pasi shumë skena janë xhiruar në lokacione reale.
Basholli: Është edhe emër, po edhe për me dashtë diçka
“Prej fillimit kemi dashtë me pas filmin një emër të karakterit. Meqë është rrëfimi komplet rreth një karakteri, edhe sidomos për stilin e xhirimit që e përdorim, që është gjithmonë kamera në karakterin kryesor. Po kam dashtë që emri me pas edhe një kuptim tjetër. Është edhe emër, po edhe për me dashtë diçka, edhe bash i përshtatet karakterit, po edhe është emër që thuhet lehtë edhe ndërkombëtarisht.. 8:49 Skenografia ndoshta ka qenë një prej departamenteve më sfiduese.. Unë kam insistua me i realizu krejt skenat në lokacionet që kanë ndodhë, në lokacionet reale të Prishtinës, kështu që është dashur me bë investim goxha të madh. Ndoshta ka qenë edhe departamenti më i kushtueshëm për film”, është shprehur Basholli.
Mesazhi i filmit “Dua”, sipas regjisore Basholli është për t’iu treguar të tjerëve që edhe njerëzit në luftë janë si të tjerët dhe kanë ëndrrat e tyre, veçanërisht adoleshentët.
Basholli: Edhe njerëzit në luftë janë njerëz normalë, janë si krejt të tjerët
“Është më shumë për njerëzit tjerë, për me tregu që edhe njerëzit në luftë janë njerëz normalë, janë si krejt të tjerët. I kanë ëndrrat e veta, i kanë ëndrrat e mëdha, ëndrrat e njëjta si krejt të tjerët.. Po edhe në anën tjetër, veç me tregu që edhe adoleshentët në vendet me konflikt kanë ambiciet, e kanë intelektin, i kanë dëshirat, gjithçka njëjtë si adoleshentët e tjerë”, ka thënë ajo.
Pas suksesit në Cannes, “Dua” tashmë ka marrë ftesa për festivale të tjera ndërkombëtare në Francë, Gjermani e Bosnjë, ndërsa pritet të shfaqet edhe në PriFest në Prishtinë.
Ky film është një dramë që rrëfen jetën e një adoleshenteje në Kosovën e kohës së luftës, duke sjellë në fokus ëndrrat, frikërat dhe betejën për dinjitet në mes të konfliktit.
Ngjarja zhvillohet në Prishtinë dhe përcjell përpjekjen e të rinjve për ta ruajtur humanizmin dhe identitetin e tyre, edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Përmes personazhit kryesor, filmi trajton temat e rritjes, shpresës dhe dëshirës për një jetë normale, pavarësisht realitetit të luftës.