“Gratë në energji”, projekti që synon përfshirjen e grave në sektorin e energjisë

Lajme

“Gratë në energji”, projekti që synon përfshirjen e grave në sektorin e energjisë

Më: 3 mars 2021 Në ora: 20:34
“Gratë në energji”

Vesa Ramadani, 22 vjeç, ndjek studimet në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Termoenergjetikë dhe Energji e Ripërtërishme.

“Unë kam zgjedhur inxhinierinë, prej fëmijërisë kam pasur prirje për matematikë dhe lëndë të tjera që lidhen me shkencë. Rrjedhimisht për profesion kam dashur që ta kem inxhinierinë pikërisht, sa i përket energjisë së ripërtërishme është dega adekuate ku unë e shoh veten në të ardhmen dhe është puna që unë dua ta bëj”, thotë ajo.

Ka pesë muaj që Vesa është angazhuar në punë praktike në kompaninë “ELEN” e cila ofron shërbime e prodhime në fushën e elektroenergjetikës. Një mundësi e tillë i ështw ofruar nw kuadër tw projektit “Gratë në energji” i Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, qw synon shkollimin dhe punësimin e vajzave në këtë fushë.

“Kompania ELEN më ka dhënë një mundësi që të shoh se si shkon puna edhe në anën praktike dhe normalisht që të ardhmen time e mendoj që të punoj në një kompani që lidhet me energjinë e ripërtërishme, pse jo edhe këtu”, thotë ajo.

Vesa është një nga 200 vajzat që projekti “Gratë në energji” u ka mundësuar punë praktike në kompani të kësaj fushe në gjithë Kosovën. Njwra nga to wshtw edhe Geldona Azemi, e cila është në përfundim të studimeve në drejtimin Matematikë Financiare.

“Jam rritur shumë mirë në mënyrë profesionale dhe kam mësuar shumë, duke filluar nga komunikimi me klientë deri te përpilimi i dokumenteve të ndryshme, është një ambient shumë i rehatshëm pune dhe kam arritur të mësoj shumë gjëra”, thotë Geldona.

Lulzim Syla, partner menaxhues në këtë kompani, thotë se mungesa e burimeve njerëzore ka qenë gjithmonë ndër sfidat më të mëdha.

“Në shikim të parë duket si një sektor që është më kompleks, por jo, unë besoj fuqishëm se e kemi provuar që edhe vajzat, gratë në përgjithësi ia dalin shumë mirë. Vajzat që punojnë te ne, inxhinieret tona janë shumë të mira dhe nuk kanë asnjë dallim në aspektin profesional me djemtë apo grupet tjera të shoqërisë. Kështu që jemi shumë të kënaqur që përmes MCC ne kemi dhënë kontribut si kompani edhe në arsimimin e vajzave edhe në atë se si duhet të zhvillohet sektori i energjisë dhe kjo ka filluar të jap frytet e veta ku sot disa nga ato vajza të përzgjedhura nga MCC vetëm se punojnë te ne dhe jemi të kënaqur”, thotë zoti Syla.

Petrit Selimi nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, i tha Zërit të Amerikës se përveç punës praktike, projekti “Gratë në energji” me njw vlerë të përgjithshme prej afro një milion dollarësh, u ka mundësuar edhe 28 vajzave të studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Korniza fillestare e programit të pragut, Threshold Agreement, e cila është ratifikuar nga qeveria e Kosovës dhe ajo amerikane përfundon në vitin 2022, përfundojnë projektet në vlerë prej 49 milionë dollarëve, ndërsa qeveria e ardhshme e Kosovës që presim të bëhet së shpejti, duhet ta ketë parasysh edhe një marrëveshje të re që quhet KOMPAKT në vlerë shumë të madhe e cila pastaj do të funksionojë në kornizën pesë vjeçare të ardhshme”, thotë zoti Selimi.

Blerona Rexhaj, 24 vjeç, është një nga përfitueset e bursës për të studiuar në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një bisedë me Zrin e Amerikws, ajo tha se është në semestrin e fundit dhe mezi po pret të zbatojw përvojën e saj në Kosovë.

“Është një përvojë e mrekullueshme, është situatë ku diçka që unë e kam mësuar më herët tash e shoh në praktikë sepse laboratorët këtu janë shumë të mirë, të pajisur me programe dhe makina të teknologjisë së fundit edhe besoj që sidomos kur flas për veten që nuk kam pasur shumë njohuri nga pjesa elektrike, këtu e kam gjetur veten shumë mirë”, thotë ajo.

Të tri vajzat thonë se motiv shtesë në përzgjedhjen e profesionit ishte synimi për të dëshmuar se vajzat mund të përfshihen dhe të tregojnë sukses edhe në fusha të dominuara nga burrat.

“Edhe këtu kam parë që ka një mungesë interesimi të vajzave që të studiojnë në këtë fushë të energjisë, madje ka pasur raste kur kemi qenë vetëm ne vajza në atë klasë, vetëm vajzat nga Kosova”, thotë Blerona.

“Asnjëherë nuk kemi besuar në këto tabu që vetëm meshkujt janë për disa punë, ne mund të bëjmë punë të gjithë së bashku”, thotë Geldona.

“Unë i inkurajoj të gjitha vajzat e reja të cilat e duan inxhinierinë apo cilëndo degë tjetër të vazhdojnë të punojnë fort për ëndrrat e tyre”, thotë Vesa.

Në Kosovë sipas të dhënave zyrtare gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor. Prandaj përfshirja e tyre në sektorë të ndryshëm dhe në përgjithësi përfshirja e tyre në arsimim dhe punësim është kërkesë e vazhdueshme e organizatave të shoqërisë civile. Aktualisht rreth katër për qind e vajzave janë jashtë sistemit arsimor, ndërkaq besohet se ky numër është edhe më i lartë por që nuk raportohet. Në anën tjetër, vetëm 14.4 për qind e grave në moshë pune janë të përfshira në tregun e punës.

Numri i grave punëkërkuese në Kosovë është në rritje sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave. Në muajin tetor të vitit të kaluar ta zëmë, 73 mijë e 864 gra janë regjistruar si punëkërkuese, në muajin nëntor ky numër ka shkuar në 74 mijë 613, ndërkaq në nëntor 75 mijë 425 gra janë regjistruar si punëkërkuese, prej tyre 7 mijë e 5 me shkallë të studimeve Bachelor, ndërkaq 552 të tjera me shkallën Master./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat