​BB: Përshpejtimi i vaksinimit, çelësi kryesor i rimëkëmbjes ekonomike

Lajme

​BB: Përshpejtimi i vaksinimit, çelësi kryesor i rimëkëmbjes ekonomike

Më: 27 prill 2021 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të kenë sërish rritje ekonomike gjatë vitit 2021, pas recesionit të 2020-ës, të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Por kjo varet nga përshpejtimi i vaksinimit, pasi është çelësi kryesor i rimëkëmbjes ekonomike dhe kthimit në realitet.

Kështu tha në një konferencë virtuale menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci, me rastin e publikimit të numrit më të ri të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ku u theksua se rritja ekonomike pritet të jetë prej 4.4 përqind.

Banka Botërore konstaton se ritmi i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të stabilizohet në 3.7 përqind përgjatë vitit 2022 dhe 2023, ku efektet përcjellëse të pandemisë do të vijojnë të ngadalësojnë investimet dhe punësimin në rajon.

Paolucci tha se është e rëndësishme që shtetet të përshpejtojnë procesin e vaksinimit pasi kjo lidhet direkt me rimëkëmbjen ekonomike.

Paolucci: Të përshpejtohet procesi i vaksinimit sepse rimëkëmbja varet prej kësaj

“Ana pozitive është që shohim që kemi rimëkëmbje, ka shenja të mira nga muajt e parë të vitit 2021. Presim që nëse situata vazhdon kësisoji dhe kampanja e vaksinimit vazhdon dhe përshpejtohet në BE dhe në shtete si Kosova, mund të presim që rimëkëmbja të jetë edhe më e hovshme. [...] Pandemia nuk mund të zhduket brenda natës, mund të ketë nevojë për qeveritë që të vazhdojnë mbështetjen e atyre të cilët kanë nevojë më së shumti dhe Banka Botërore beson që prioriteti kryesor për Qeverinë duhet të jetë që të trajtojë ndikimet shëndetësore të pandemisë sepse duke trajtuar këtë ndikon edhe në trajtimin e implikimeve ekonomike. Është e rëndësishme për shtetet që të përshpejtojnë procesin e vaksinimit dhe të sigurohen që popullata është e vaksinuar sepse kjo është e ndërlidhur drejtpërdrejt me rimëkëmbjen”, tha ai.

Njohësi i ekonomisë, Besart Myderrizi, tha se raporti tregon se Kosova ka shënuar tkurrjen e parë ekonomike që nga shpallja e pavarësisë, teksa theksoi disa nga pritjet që nënvizon raporti.

Myderrizi: Rimëkëmbja kundrejt nivelit para-pandemik, pritet të arrihet vetëm në vitin 2022

“Aktiviteti ekonomik pritet të rigjallërohet gjatë vitit 2021, mirëpo rimëkëmbja kundrejt nivelit para-pandemik, pritet të arrihet vetëm përgjatë vitit 2022. Edhe në Kosovë, kjo perspektivë është e asociuar me rreziqe të larta, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme, në qendër të këtyre rreziqeve qëndron trajektorja e epidemisë, efektiviteti i menaxhimit të saj, duke përfshirë këtu edhe vaksinimin”, tha ai.

Raporti i Bankës Botërore nxjerr në pah tkurrjen ekonomike të Kosovës, që u nxit nga një rënie domethënëse e eksporteve të shërbimeve të udhëtimit, të ndërlidhura me diasporën, dhe nga rënia e investimeve.

Aty thuhet se tkurrja u zbut nga masat mbështetëse qeveritare, dhe nga rritja e remitancave dhe eksporteve të mallrave.

“Pandemia ndërpreu progresin e arritur gjatë një dekade në vendet e rajonit në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë, ndërkohë që tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanë mundur të rikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë - duke lënë të papunë një numër të lartë personash dhe duke i detyruar shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës. Megjithëse norma e papunësisë pësoi rënie - nga 13.5 për qind në 2019 në 12.6 për qind në 2020 - kjo erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së numrit të personave joaktivë, ndërsa numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020. Për më tepër, këto humbje prekën në mënyrë disproporcionale shtresat më të cenueshme të popullsisë në rajon, përfshirë gratë dhe të rinjtë – ku norma e papunësisë së të rinjve u rrit në 33.6 për qind në 2020, duke ndërprerë në këtë mënyrë trendin rënës të saj gjatë pesë viteve të fundit”, thuhet në raport.

Sipas raportit, përpjekjet e politikave në rajon duhet të vijojnë të përqendrohen në mënyrë të vendosur në luftën kundër pandemisë, zvogëlimin e kostove sociale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes. Të gjitha vendet e rajonit duhet të garantojnë pajisjen e sistemeve të tyre shëndetësore me burime të mjaftueshme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, testimin, terapitë, pajisjet e mbrojtjes personale si dhe përmirësimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të kujdesit shëndetësor.

Raporti i Bankës Botërore thotë po ashtu se përparësi duhet të kenë edhe investimet në arsim, dixhitalizim dhe projekte të tjera në infrastrukturë si dhe iniciativat e gjelbra, pasi ato mund të përshpejtojnë tranzicionin e nevojshëm drejt uljes së varësisë ndaj karbonit, teksa vendet dalin nga situata e pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat