Deputetët gjermanë: E mbështesim Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës

Lajme

Deputetët gjermanë: E mbështesim Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës

Më: 14 maj 2022 Në ora: 07:27
Këshilli i Evropës

Pas deputetit të opozitës gjermane, Michael Brand, CDU, edhe poltiikanët e pozitës socialdemokrate, Frank Schwabe dhe Adis Ahmetović, kanë shprehur në një deklaratë të përbashkët për media, publikuar të premten, më 13.05. mbështetjen e tyre për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës:

“Ne mirëpresim dhe mbështesim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kosova, si i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, është pjesë integrale e Evropës dhe e familjes evropiane. Kjo duhet theksuar shprehimisht, veçanërisht duke pasur parasysh luftën në Ukrainë", kanë shkruar dy deputetët. Schwabe është kryetar i  delegacionit parlamentar të Gjermanisë në Këshillin e Evropës, ndërsa Ahmetoviç raportues kryesor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Punëve të Jashtme për grupin parlamentar të socialdemokratëve në Parlamentin Gjerman.

Image
Frank Schwabe, SPD, është kryetar i grupit parlamentar të Gjermanisë në Këshillin e Evropës

 


Ata janë shprehur besimplotë se Kosova do t'i arrijë dy të tretat e nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kanë theksuar përkushtimin e  tyre në kuadër të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Dy deputetët e shohin anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe "si një shans për të bërë progres në këto dy çështje”.

Dy politikanët socialdemokratë, parti, së cilës i përket edhe kancelari Olaf Scholz, përforcojnë kësisoj edhe njëherë me këtë deklaratë përkushtimin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. Qeveria aktuale, e përbërë nga socialdemokratët (SPD), Të Gjelbrit, dhe liberalët (FDP)  e ka shpallur Ballkanin e Perëndimor prioritet qysh në marrëveshjen e koalicionit qeveritar.

Më parë edhe deputeti i CDU-së, Michael Brand, kishte kërkuar nga qeveria gjermane që të ndërmarrë hapa konkrete për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në Këshillin e Evropës.

Image

Adis Ahmetoviç, është raportues i grupit parlamentar të SPD-së, për Ballkanin Perëndimor.

 

"Tani është e rëndësishme që qeveria federale jo vetëm të bisedojë, por edhe të veprojë në mënyrë aktive. Kancelari Federal dhe Ministrja e  Jashtme i kanë siguruar personalisht lidershipit kosovar mbështetjen e tyre. Kjo tani duhet të reflektohet në veprime konkrete”, kishte shkruar Brand në deklaratën e tij për media, të së enjtes, më 12.05.,  menjëherë pasi Kosova dorëzoi aplikimin në Strasburg. /DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat