Ambasadori rus: Presioni për Kosovën ndaj Serbisë lidhet me vendosjen e sanksioneve për Moskën

Lajme

Ambasadori rus: Presioni për Kosovën ndaj Serbisë lidhet me vendosjen e sanksioneve për Moskën

Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 11:25
Aleksandar Bocan-Kharchenko

Ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko ka thënë se përkundër presionit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kujdeset për interesat nacionale.

Bocan-Kharchenko në një intervistë për mediet serbe thekson se presioni për Kosovën lidhet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Kosova është çështja më e rëndësishme për Serbinë dhe Perëndimi llogarit se me rritjen e presionit, Beogradi do të duhet të veprojë në drejtime të tjera politike, për shembull për të vendosur sanksione kundër Rusisë. Po ashtu, po i bëjnë presion presidentit Vuçiq që të arrijë marrëveshje me Prishtinën, për t’ia hequr Rusisë argumentin se duhet t’u thotë se kanë pikëpamje të ndryshme”, thekson Bocan-Kharchenko.

Ai shton se në Rusi nuk janë të befasuar që Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Kremlinit.

“Më herët kemi pasur një supozim për presidentin Vuçiq dhe gjithë lidershipin e Serbisë se pavarësisht vështirësive dhe presioneve, Serbia do të mbajë qëndrim parimor të bazuar në interesat e saj kombëtare”, përfundon ai.

Vuçiq, në ditën kur Lista Serbe vendosi që t’i braktis institucionet e Kosovës, ka takuar ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd për të biseduar me ta për gjendjen e krijuar.

Kujtojmë që Serbia është vendi i vetëm në Evropë, pas Bjellorusisë, që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pasi kjo e fundit nisi agresionin ushtarak nëntë muaj më parë në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat