Ish-diplomati serb: Perëndimi nuk do t’i lejojë Vuçiqit të fitojë kohë me zgjedhje

Lajme

Ish-diplomati serb: Perëndimi nuk do t’i lejojë Vuçiqit të fitojë kohë me zgjedhje

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 14:56
Nebojsha Vujoviq

Ai ka thënë se të gjitha mashtrimet ballkanike tashmë janë konsumuar, pra Vuçiqi më nuk do të mund ta mashtrojë askënd.

Ish-ambasadori serb Nebojsha Vujoviq ka deklaruar për mediumin serb “Nova S” se “pesëshja e madhe” nuk do të lejojë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme presidenciale dhe parlamentare në vitin 2023.

Vujoviq ka thënë se presidenti Vuçiq është në një situatë shumë të vështirë dhe se pushteti i tij politik ka filluar të shembet.

Ai pretendon se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë paraqet futja e “gishtit në sy” bashkësisë ndërkombëtare, në krye me BE-në dhe SHBA-në.

“Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e ashtuquajtura “pesëshja e madhe”, nuk do ta lejojnë Aleksandar Vuçiqin të shpallë zgjedhje të parakohshme sepse, sipas tyre, do të humbet shumë kohë për të zbatuar marrëveshjen me Kosovën. Vuçiq është në një situatë shumë të vështirë dhe pushteti i tij politik ka filluar të shembet. Madje edhe socialistët e kanë kuptuar se politika e Vuçiqit mund t’i tërheqë ata në humnerë”, ka theksuar Vujoviq.

Ai ka thënë se Ivica Daçiq ka marrë udhëzime nga administrata amerikane në Mëngjesin e Lutjes në Uashington dhe se nënsekretari amerikan Derek Schole ka përcaktuar hapat që Vuçiqi duhet të përmbushë.

“Schole ka hyrë në lojë për Kosovën, dhe ky është tani një “elefanti në dhomë” për Vuçiqin”, ka thënë ai.

Ish-ambasadori ka thënë se pas pranimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Vuçiq i humbi të gjitha atutë në negociatat me “pesëshen e madhe”.

“Vuçiq tani është i frikësuar, gjë që tregojnë paraqitjet e tij të fundit publike. Ai po kërkon një rrugëdalje të re, por nuk do të jetë e lehtë. Të gjitha marifetet ballkanike janë shfrytëzuar, Vuçiq nuk mund të mashtrojë më askënd”, tha Vujoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat