Rasti i nëntë shtetasve somalezë, të cilët u larguan nga akomodimi gjatë vizitës së një delegacioni zyrtar në Kosovë dhe nuk u paraqitën për udhëtimin e planifikuar të kthimit, nuk është i vetmi rast i tillë i raportuar në Evropë.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se raste të tilla ndodhin herë pas here edhe në vende të tjera demokratike. Sipas tij, përgjegjësia për vendimin individual të personave për të kërkuar azil nuk duhet t’i ngarkohet vendit pritës.
“Këto gjëra ndodhin herë pas here në shumë vende demokratike dhe nuk janë faji ynë. Njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë azil. Prandaj, nuk ka arsye për shqetësim”, ka deklaruar Bosch.
Një rast i ngjashëm u raportua në Itali në maj të vitit 2026, kur tre zyrtarë të Departamentit të Emigracionit të Gambias u larguan gjatë një programi zyrtar trajnimi.
Sipas mediumit gambian “The Standard”, bëhej fjalë për Lamin Drammeh, Basirou L. Bojang dhe Bambi Jah, të cilët ishin pjesë e një delegacioni prej 20 zyrtarësh nga institucionet e sigurisë së Gambias.
Ata kishin udhëtuar në Itali për të marrë pjesë në një trajnim dyjavor në Akademinë e Trajnimit të Policisë Italiane, ku trajtoheshin çështje që lidhen me menaxhimin e migracionit, sigurinë kufitare dhe dokumentet e falsifikuara.
Departamenti i Emigracionit i Gambias konfirmoi se tre zyrtarët ishin larguar para përfundimit të trajnimit. Institucioni bëri të ditur se kishte kontaktuar autoritetet italiane dhe ato evropiane, duke kërkuar ndihmë për lokalizimin e tyre dhe kthimin në vend. Gjithashtu, paralajmëroi masa disiplinore ndaj tyre.
Një tjetër rast u raportua në Suedi në korrik të vitit 2026, pas përfundimit të turneut ndërkombëtar të futbollit për të rinj, Gothia Cup, në Goteborg.
Rreth 20 futbollistë të rinj nga Etiopia, të moshës 14 deri në 17 vjeç, së bashku me disa të rritur që i shoqëronin, u larguan nga akomodimi pa njoftuar organizatorët. Policia suedeze konfirmoi se ata nuk ishin kthyer në Etiopi dhe se largimi dukej të ishte vullnetar.
Federata e Futbollit e Etiopisë u distancua nga grupi, duke sqaruar se ekipi nuk përfaqësonte kombëtaren e vendit. Ndërkaq, policia suedeze bëri të ditur se nuk kishte indikacione për trafikim të qenieve njerëzore apo për ndonjë aktivitet tjetër kriminal. Megjithatë, vendndodhja e tyre nuk ishte konfirmuar në raportimet e publikuara.
Edhe në Gjenevë, në qershor të vitit 2025, u publikuan pretendime se disa pjesëtarë të një delegacioni somalez, i cili merrte pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Punës, kishin braktisur angazhimet zyrtare për të kërkuar azil në Evropë.
Këto pretendime u kundërshtuan nga Ministria e Jashtme e Somalisë, e cila deklaroi më 18 qershor se të gjithë pjesëtarët e delegacionit ishin kthyer në vend. Po atë ditë, mediumi “Somali Stream”, pas një hulumtimi, raportoi se nuk kishte gjetur prova të besueshme për pretendimet se pjesëtarët e delegacionit kishin kërkuar azil.
Rasti në Kosovë
Në rastin që përfshin nëntë shtetasit somalezë, delegacioni zyrtar kishte arritur në Kosovë më 25 tetor 2026. Sipas notës verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëntë personat u larguan nga akomodimi në kompleksin “Dua Village” më 27 tetor, rreth orës 19:10, pa njoftuar autoritetet përgjegjëse për përcjelljen e delegacionit.
Mungesa e tyre u konstatua të nesërmen, kur po përgatitej transporti drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Dy drejtuesit e delegacionit u kthyen në Somali, ndërsa nëntë pjesëtarët e tjerë nuk u paraqitën për fluturimin e planifikuar.
Përmes një note verbale të datës 30 tetor, me numër reference 4868-561/26, institucionet e Kosovës kërkuan bashkëpunimin e autoriteteve somaleze për të sqaruar vendndodhjen dhe sigurinë e nëntë personave. Në komunikimin diplomatik thuhej se nuk kishte informacion të konfirmuar nëse ata ndodheshin ende në Kosovë apo ishin larguar nga territori i vendit.
Ndërkohë, mediat somaleze kanë ngritur dyshime për parregullsi të mundshme në përzgjedhjen e pjesëtarëve të delegacionit, si dhe kanë publikuar pretendime për pagesa në këmbim të përfshirjes në udhëtim. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Deklarata e Robert Boschit e vendos rastin e Kosovës në një kontekst më të gjerë evropian, ku janë raportuar edhe raste të tjera të largimit të pjesëtarëve të delegacioneve apo grupeve të organizuara gjatë udhëtimeve zyrtare dhe aktiviteteve ndërkombëtare.
Ndërsa e drejta për të kërkuar azil është e garantuar, kjo nuk nënkupton se në rastin konkret është konfirmuar që nëntë shtetasit somalezë kanë paraqitur kërkesa të tilla. Vendndodhja dhe statusi i tyre mbeten çështje për të cilat autoritetet ende nuk kanë dhënë sqarime publike.