‘Ka ditë që ndjej se s’do mbijetoj’, Vanessa Bryant rrëfen si e gjen dritën në errësirë pas humbjes tragjike

Mediale Vip

‘Ka ditë që ndjej se s’do mbijetoj’, Vanessa Bryant rrëfen si e gjen dritën në errësirë pas humbjes tragjike

Më: 4 mars 2021 Në ora: 19:45
Vanessa Bryant

Kanë kaluar gati 14 muaj që kur bota e Vanessa Bryant ndryshoi në një çast. Ajo ende nuk e ka marrë veten nga humbja e parakohshme e bashkëshortit të saj, Kobe Bryant dhe vajzës së tyre 13-vjeçare Gianna, në një përplasje helikopteri më 26 janar, 2020.

Së fundmi, në një kopertinë për People, ajo ka zbuluar si është jeta e saj, një vit pas tragjedisë që e goditi rëndë.

"Nuk mund të them se jam e fortë çdo ditë. Nuk mund të them se nuk ka ditë kur ndihem sikur nuk mund të mbijetoj deri ditën tjetër," –ka thënë ajo për People.

Por ndërsa bota mbajti zi për legjendën e NBA dhe të bijën Gigi, Vanessa në heshtje punoi për të rindërtuar një jetë për veten dhe familjen e tyre: Natalia, 18 vjeçe, Bianka, 4 dhe Capri 2 vjeçe.

Ajo mori përgjegjësinë e projekteve që kishin mbetur të papërfunduara në Granity Studios, kompania multi-media e yllit të ndjerë që tani e drejton ajo. Kohët e fundit, Vanessa rifilloi bamirësinë jofitimprurëse të Kobe si “Mamba & Mambacita Sports Foundation”, një iniciativë e Kobe dhe Gigi-t, babë e bijë, për të ndihmuar në fuqizimin e vajzave të reja dhe për të siguruar mundësi të barabarta për atletët e pavlerësuar - një vizion që Kobe e mbrojti prej kohësh.

"Kjo dhimbje është e paimagjinueshme, por thjesht duhet të ngrihesh dhe të ecësh përpara," thotë ajo. "Të rrish shtrirë në shtrat duke qarë nuk do të ndryshojë faktin se familja ime nuk do të jetë më e njëjta. Por, të ngrihem nga shtrati dhe të ecë përpara e bën ditën më të mirë për vajzat e mia dhe për mua. Kështu që, kjo është ajo që unë bëj."

Duke u përpjekur të përqendrohet te "gjetja e dritës në errësirë", Vanessa gjen frymëzim nga Kobe dhe Gigi.

"Unë mendoj se mënyra më e mirë për ta përshkruar, është që Kobe dhe Gigi më motivojnë të vazhdoj", thotë ajo. "Ata më frymëzojnë të përpiqem më shumë dhe të jem më e mirë çdo ditë. Dashuria e tyre është e pakushtëzuar dhe ata më motivojnë në shumë mënyra të ndryshme."

Fuqia e dashurisë dhe përkushtimi i saj ndaj Natalia-s, Bianka-s dhe Capri-t, kanë qenë shpëtuese.

"Vajzat e mia më ndihmojnë të buzëqesh përmes dhimbjes. Ato më japin forcë", -thotë Vanessa. "Në fund”, -shton ajo. "Unë dua t'i bëj Kobe-n, Gigi-n, Natalia-n, Bianka-n dhe Capri-n krenarë".

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat