Tërhiqet skenaristja e filmit për Madonnan

Mediale Vip

Tërhiqet skenaristja e filmit për Madonnan

Më: 2 prill 2021 Në ora: 20:47
Madonna, Diablo Cody

Skenaristja, Diablo Cody, ka dhënë dorëheqjen nga puna për realizimin e filmit biografik për këngëtaren Madonna, për shkak të sfidave që kishte me veteranen.

Filmi shtjellon fillimin e karrierës së Madonnas dhe vetë këngëtarja me javë të tëra ka punuar në skenarin së bashku me Diablon, raporton gazeta “The Sun”.

Sidoqoftë Diablo, 42-vjeçare, e pati të vështirë punën me Madonnan, 62-vjeçare, për mënyrën e realizimit të rrëfimit brenda këtij filmi. “Madonna dhe Diablo për disa javë punuan në skenar dhe patën progres. Por Madonna ishte shumë kërkuese për mënyrën se si do të dilte filmi. Ajo është perfeksioniste, sepse filmi është për jetën e saj dhe ka kujdes për mënyrën se si po shkojnë gjërat”, ka thënë një burim i afërt me këngëtaren.

“Diablos i duhej më shumë liri me qëllim që të punonte, mirëpo në fund vendosi se nuk mund të kontribuonte më shumë në këtë film”, ka thënë burimi.

Studioja filmike “Universal Pictures” është në kërkim të një skenaristi, duke e ditur se filmi ka shumë gjasa që të ketë sukses si “Bohemian Rhapsody” dhe “Rocketman”. Mirëpo Madonna nuk dëshiron një film që nuk përfaqëson saktë këngëtaren.

“Madonnas nuk i duhen para dhe filmi nuk do të realizohet ‘shkel e shko’”, ka thënë burimi.

Lajmi për realizimin e filmit u bë i ditur në muajin shtator. Vetë këngëtarja ishte regjisore e filmit, ndërkaq fituesja e çmimit “Oscar”, Diablo do të ishte bashkëskenariste me këngëtaren.

Para njoftimit zyrtar, Madonna kishte paralajmëruar bashkëpunimin me skenaristen e njohur.

“Filmi që ende nuk ka titull, pritet të shfaqë rrugëtimin e një artisteje, muzikanteje dhe qenie, teksa tenton të ketë sukses në këtë botë”, thuhej në një komunikatë të këngëtares 62-vjeçare.

Fituesja e çmimit “Grammy” ka thënë se fokusi i këtij filmi gjithmonë do të jetë muzika që e ka mbajtur gjallë vetë këngëtaren.

“Ka shumë rrëfime frymëzuese që tregohen më mirë sesa nga unë. Është vendimtare që rrëfimin e jetës sime ta ndaj me të tjerët”, ka thënë këngëtarja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat