Alina, vajza jashtë martese e Fidel Castro-s, tashmë një histori filmi

Mediale Vip

Alina, vajza jashtë martese e Fidel Castro-s, tashmë një histori filmi

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 20:00
Alina

Filmi tregon për jetën e vajzës jashtë martese të udhëheqësit të revolucionit kuban Fidel Castro, Alina, e cila shpreson që filmi t’i sjellë publikut nga afër realitetin e ashpër të socializmit kuban.

Pak para fillimit të xhirimeve Alina Fernández Revuelta i tha revistës online të kubanezëve në mërgim "CiberCuba", se ajo pret që filmi të jetë më shumë se sa një biografi: "Unë mendoj se do të ishte mirë që pasi të shohë filmin, publiku të ndiejë se ka mësuar diçka”.

"Për mua ka prioritet që të flas për Kubën”. Alina Fernández Revuelta mendon të kritikojë ashpër sistemin politik të krijuar nga i ati në ishullin e Karaibeve, pas revolucionit.

Grua mjeku dhe rebele  

Dikur Alina e adhuronte shumë të atin, heroin e revolucionit. Po le ta tregojmë historinë me radhë. E ëma e saj, Natalia "Naty" Revuelta Clews vinte nga familje e kamur. Ajo ishte grua e zgjuar dhe e njohur në qytet për bukurinë e saj, gjë që nuk duhet t'i ketë shpëtuar Fidel Castros së ri. Për herë të parë ata u takuan në nëntor 1952 gjatë një aktiviteti të organizuar në Universitetin e Havanës. Castro në atë kohë ishte ende i panjohur. Gjë që do të ndryshonte vetëm disa muaj më vonë: Më 26 korrik 1953, ai së bashku me ithtarët e tij u ngritën kundër presidentit diktatorial Fulgencio Batista dhe pushtuan kazermën Moncada në Santiago, repartin e dytë më të madh ushtarak të Kubës.

Përpjekja për puç dështoi, por Castro u bë i njohur brenda natës. Së bashku me rebelë të tjerë ai u fut në burg por u lirua një vit më vonë gjatë një amnestie të përgjithshme – dhe vendosi sërish kontakt me Naty-n. Megjithëse të martuar me partnerë të tjerë, ata ranë në dashuri dhe nga si rrjedhojë më 19 mars 1956 lindi Alina. Në atë kohë Fideli gjendej në Meksikë, ku bënte plane për revolucionin dhe ku u njoh me ErnestoChe Guevara-n. Por kjo është një tjetër histori.

Si u kthye Alina në antikomuniste 

Castro e njohu vajzën e vogël, të vetmen bijë mes tetë fëmijëve, vetëm pas rrëzimit të Batistas në janar 1959 – pas marshimit të tij fitimtar në Havanë. Alina vetë ishte dhjetë vjeç kur mësoi se bashkëshorti i së ëmës, kirurgu i njohur i zemrës, Orlando Fernández, nuk ishte babai i saj biologjik. "Ndihesha sikur një shkop magjik të më kishte kthyer në princesë”, shkruante ajo më vonë në kujtimet e saj. Ajo iu lut të ëmës: "Mami, merre menjëherë në telefon, unë kam kaq shumë gjëra për t'i treguar.”

Por ndërkohë që Naty Revuelta-s kishte hequr dorë nga jeta e mirë si bashkëshorte e një mjeku dhe kishte shitur bizhuteritë në mënyrë që Castro të blinte armë për revolucionin, adhurimi i Alinas për ish-heroin e revolucionit filloi të merrte të krisura.

Kur ishte fëmijë asaj i ishte dashur të luftonte që Fideli ta lejonte të mbante mbiemrin Castros, por kur ky më në fund e lejoi, ajo nuk e donte më. Castro e pranoi të bijën, por sipas revistës "Foreign Policy", ajo ka qenë më e afërt me të ungjin, xhaxha Raúlin: Ai ishte një nga ata tek i cili mund të shkoje në çdo kohë për të kërkuar ndihmë, kur njeriu kishte ndonjë problem praktik… Fideli nuk ishte i gatshëm për të ndihmuar." Ajo ndihej e kontrolluar dhe nën presion nga i ati dhe filloi të vuante gjithnjë e më shumë nga regjimi "Socialismo o Muerte" (Socializëm ose Vdekje) që sundonte në Kubë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat