Në një paraqitje të fundit në emisionin The Kelly Clarkson Show, Nick Jonas foli hapur për prindërimin nën vëmendjen e publikut. I pyetur nëse do të ndihej rehat nëse vajza e tij Malti do të zgjidhte të ndiqte një karrierë në industrinë e showbiz-it, këngëtari tha se kjo do të ishte një zgjedhje e saj.
“E kemi diskutuar shumë. Do të jetë zgjedhja e saj”, tha Nick. “E kemi një vajzë trevjeçare dhe ajo e adhuron këngën. Mendoj se një karrierë në showbiz është e mrekullueshme. Por si prind, është gjithashtu e frikshme të mendosh për të gjitha gjërat që kam kaluar unë dhe që ka kaluar bashkëshortja ime në karrierën e saj”.
Ai shtoi: “Detyra jote kryesore në jetë është të mbrosh fëmijët e tu, por gjithashtu t’u japësh krahë që të fluturojnë dhe të jetojnë jetën e tyre. Por, ajo po këndon gjithë kohës dhe unë jam si, ‘Uh-oh’”.
Nick dhe Priyanka e mirëpritën Maltin në vitin 2022 përmes një surrogacie dhe që atëherë e po e rrisin në Los Anxhelos, duke balancuar jetën familjare me karrierat e tyre globale, shkruan Radio and Music. Çifti, që u martua në vitin 2018 me ceremoni si të krishtera ashtu edhe hinduse në Indi, vazhdon të ndajë herë pas here momente nga jeta familjare, por gjithmonë ruajnë privatësinë e vajzës së tyre.
Edhe Priyanka ka theksuar rëndësinë e krijimit të një ambienti të ngrohtë dhe mbështetës për vajzën. Në një intervistë të mëparshme për India Today, ajo tha: “Mendoj se fëmijët nuk lindin për ne, por përmes nesh, që të kenë jetën e tyre. Mami im më thoshte gjithmonë: ‘Unë jam hapësira jote e sigurt’. Kjo dua të jem për Maltin — hapësira e saj e sigurt, dhe ta lë të bëjë çfarë të dojë”.
Aktorja ishte kohët e fundit në Indi për xhirimet e projektit të saj pan-indian me Mahesh Babu, në regji të SS Rajamouli. Ajo gjithashtu ka në duar filmin Heads of State me Idris Elba dhe John Cena, ndërsa fansat vazhdojnë të presin lajme për filmin shumë të pritur të Bollywood-it Jee Le Zaraa, ku luan përkrah Katrina Kaif dhe Alia Bhatt.