Russell Brand ka dalë para gjykatës për akuza për përdhunim dhe sulm seksual, njofton The Guardian.
Gjatë një seance të shkurtër në gjykatën e magistratëve të Westminster, të premten, ai u njoftua se do të përballej me një gjyq në Old Bailey në Londër për pesë akuza për vepra seksuale.
Një hetim u hap pasi Brand u akuzua për vepra seksuale nga disa gra, në një hetim të përbashkët nga Sunday Times, Times dhe Dispatches e Channel 4, në shtator 2023.
Brand u akuzua me postë muajin e kaluar. Në një video të postuar më parë në llogarinë e tij X, Brand tha se e mirëpriste mundësinë për të dëshmuar pafajësinë e tij.
Të premten ai doli në gjykatë i veshur me një këmishë të errët blu, pantallona të errëta gri dhe duke mbajtur një palë syze dielli. Ai foli për të konfirmuar emrin, datën e lindjes dhe adresën e tij në Buckinghamshire, dhe se e kuptonte procedurën.
Magjistrati kryesor, Paul Goldspring, i tha Brand-it se ai do të lirohej me kusht dhe do të pritej të merrte pjesë në një seancë në Old Bailey më 30 maj. Brand e falënderoi magjistratin, para se të largohej, sipas The Guardian. Ai nuk tha asgjë kur u largua nga gjykata, duke qenë i shoqëruar nga tre kujdestarë, u hodh në një makinë që e priste dhe u largua me të.
Brand ka paraqitur një show në BBC Radio 2 nga 2006 deri në 2008, si dhe emisionet e serisë “Big Brother”, Big Brother’s Big Mouth dhe Big Brother: Celebrity Hijack në vitet ‘00.
Prezentuesi dhe aktori ishte i martuar me këngëtaren amerikane Katy Perry nga 2010 deri në 2012, dhe tani është i martuar me Laura Gallacher – motra e prezantueses televizive Kirsty. Çifti ka dy fëmijë, Mabel dhe Peggy.