Policia braziliane ka penguar një sulm të planifikuar me bombë në koncertin e Lady Gaga, në Rio de Zhaneiro.
Sipas raportimeve, sulmi ishte planifikuar nga një grup ekstremist që përhapte gjuhën e urrejtjes në internet, duke përdorur gjuhë të koduar dhe simbolikë ekstremiste.
Disa anëtarë të grupit pozuan në mënyrë të rreme si pjesë e bazës së fansave të Lady Gaga, të njohur si "Përbindëshat e vegjël", për të tërhequr të rinjtë. Ata planifikonin sulme të koordinuara duke përdorur mjete shpërthyese të improvizuara dhe kokteje molotov.
Falë reagimit të shpejtë të autoriteteve braziliane, koncerti kaloi pa incidente dhe Lady Gaga bëri një performancë spektakolare.
Operacioni i quajtur “Përbindëshi i rremë”, i kryer në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë braziliane, rezultoi në arrestimin e drejtuesit të dyshuar të grupit në Rio Grande do Sul për armëmbajtje pa leje, si dhe një adoleshente në Rio de Zhaneiro për posedim të pornografisë së fëmijëve.
Policia kreu më shumë se dhjetë kontrolle dhe konfiskime në shtetet Rio de Zhaneiro, Mato Grosso, Rio Grande do Sul dhe Sao Paulo, raporton Globo.
Lady Gaga nuk dinte asgjë për planin e sulmit me bombë në koncertin e saj në Rio de Zhaneiro deri pak pasi performoi në skenë në plazhin Copacabana në Rio de Zhaneiro. Sipas TMZ, policia nuk e ka njoftuar artisten para performancës.
Një përfaqësues i divës së muzikës së zhanrit pop tha, se i gjithë ekipi mësoi për kërcënimin e supozuar nga lajmet në media.