Është sezoni i dytë që djaloshi nga Libani luan me skuadrën e KF Fushë Kosovës në futboll, dhe siç duket, po ndjehet mjaft mirë. Ai beson se shumë shpejt kjo skuadër do të arrijë të ngjitet në Ligën e Parë.
E kemi fjalën për Mohamad Tahën, portierin karizmatik, i cili — siç tregoi në një rrëfim live në programin “Për ditë të mbarë” në RTV21 — ndihet mjaft mirë që ndodhet dhe luan sërish në Kosovë. Sipas tij, ndryshe nga vendi i tij, ku futbolli ka mbetur në vendnumëro, skuadrat kosovare po përparojnë shumë, madje edhe në arenën evropiane.
Ish Mister Libani në vitin 2018, finalist i Mister World po atë vit dhe Best Model Asia në 2019, Taha është një figurë e njohur edhe jashtë fushës së futbollit. Kur moderatori i programit, Maksi, e ngacmoi me pyetje për vajzat e bukura apo nëse ka dikë që i ka marrë zemrën dhe nëse ajo merret me sport, portieri e kaloi me një përgjigje të thjeshtë: se nuk dëshiron të flasë shumë për jetën private.
Gjatë rrëfimit të tij në program, Taha zbuloi se dikur ka qenë protagonist në një videoklip të një artisteje të njohur libaneze dhe madje edhe ka kënduar aty. Ndërkohë, nga këngët shqiptare ai adhuron shumë këngën “Origjinale” të kënduar nga Aurela Gaçe, Dr. Flori dhe Marsel. Ai madje ka filluar t’i mësojë vargjet e këngës, e cila, siç duket, është bërë motiv edhe përpara stërvitjeve me ekipin e tij.
Taha gjithashtu ka treguar se një ditë do të donte të luante edhe për Kombëtaren e Kosovës apo atë të Shqipërisë, por fillimisht duhet të pajiset me pasaportë shqiptare.