Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit

Mediale Vip

Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit

Më: 30 nëntor 2025 Në ora: 11:57 Përditësuar në ora: 14:17 më 30.11.2025
Ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi

"Zoti e shpërbleftë me parajsë", Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit me duartrokitje

Ceremonia përkujtimore në nder të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi është përmbyllur mes emocioneve të forta dhe duartrokitjeve të gjata nga të gjithë të pranishmit.

Salla e Pallatit të Kulturës në Tetovë, e mbushur deri në vendin e fundit me familjarë, miq, kolegë, figura publike dhe qytetarë, u ngrit në këmbë në shenjë respekti për artistin që la gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Në mbyllje të ceremonisë, ndërsa arkëmorti i Shpatit ishte i vendosur në skenë i mbuluar me flamurin kombëtar, u dhanë fjalët e fundit para nisjes drejt varrezave: “Zoti e shpërbleftë me parajsë, dalëngadalë, po nisim rrugën për tek varrezat”.

Atmosfera në sallë ishte e rënduar nga dhimbja, por e mbushur edhe me mirënjohje për jetën dhe veprën e artistit.

Duartrokitjet e pranishmeve zgjatën për minutë të tëra, ndërsa shumë prej tyre nuk i përmbajtën lotët. 

​Lot e ngushëllime në Tetovë për këngëtarin Shpat Kasapi

Miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë janë mbledhur në Pallatin e Kulturës në Tetovë për t’i dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit Shpat Kasapi.

Në ceremoninë mortore, që ka filluar paraditen e sotme, shihet e pranishme edhe nëna e artistit, e cila po përqafohet dhe ngushëllohet nga të afërmit dhe të njohurit.

Selvija, bashkëshortja e Shpat Kasapit, nuk mundi t’i mbante lotët ndërsa ia dha lamtumirën këngëtarit, i cili vdiq më 25 nëntor pas një sulmi në zemër.

Për të nderuar Shpatin, në Tetovë gjenden edhe figura publike si Blero, Adelina Tahiri e Big Mama, Dafina Zeqiri.

Veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Bardhyl Mahmuti, ka kritikuar udhëheqësit politikë shqiptarë të Tetovës që nuk respektuan zyrtarisht dhimbjen dhe pikëllimin e shqiptarëve për vdekjen e këngëtarit Shpat Kasami.

Duke bërë një krahasim me trajtimin që iu bë pas vdekjes këngëtarit maqedonas Todor Proeskit, Mahmuti tha se për këngëtarin më të popullarizuar shqiptar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut s’u bë asgjë.

Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, do të varroset sot në orën 14:00, në varrezat e qytetit në Tetovë.

Gruaja Selvija i jep lamtumirën e fundit Shpat Kasapit

Me lot në sy dhe zemër të thyer, Selvije Jao, bashkëshortja e Shpat Kasapit, ka marrë pjesë në ceremoninë mortore për të ndarë nga jeta artistin e dashur.

Gjatë homazheve, ajo është parë tejet e prekur, duke mos mundur të mbajë lotët, ndërsa qëndronte pranë trupit të Shpatit për disa minuta, duke i dhënë lamtumirën e fundit me dashuri dhe mall.

Shpat Kasapi ndërroi jetë më 26 nëntor në moshën 40-vjeçare si pasojë e një sulmi në zemër, duke lënë pas një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe fansat.

Varrimi i tij do të mbahet sot në orën 14:00 në varrezat e qytetit në Tetovë, ku të pranishmit do të japin një homazh për jetën dhe karrierën e tij.

Motra e Shpatit në ceremoninë mortore: Amanetin për Roelin do ta kryejë

Ndryshe, familjarë, miq  dhe bashkëpunëtorë janë mbledhur në Pallatin e Kulturës në Tetovë për t’i dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit Shpat Kasapi.

Në këtë ceremoni për Shpat Kasapin, motra e tij Jehona, e prekur thellë nga dhimbja, nuk mundi t’i mbante lotët.

Ajo tha se Shpati lindi me yll në ballë, e i donte shumë fëmijët e pleqtë.

Derisa theksoi se amanetin e tij për djalin, Roelin do ta kryejë.

“Sot me zëmër të thyer jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim, është shumë e vështirë për të përshkruar fjalët për të përshkruar dhimbjet që ndjej. Shpat, shpirti i motrës, ti linde me yll në ballë, ishe një njeri i mirë, dije t’i ndjeje hallet nga empatia jote e madhe. Shpati ti i doje shumë fëmijët dhe pleqtë. Doje shumë të qeshësh, buzëqeshja ishte sinonim i yti”, tha Jehona.

Varrimi i Shpat Kasapit do të bëhet sot, nga ora 14:00, në varrezat e qytetit në Tetovë

E prekur dhe me lot në sy, Dafina Zeqiri e pranishme në homazhet për Shpat Kasapin

Këngëtarja, Dafina Zeqiri u pa e pranishme në ceremoninë e homazheve për Shpat Kasapin, duke shoqëruar bashkëshortin e saj, Kreshnik Gjergjin.

Ajo dukej tejet e prekur dhe nuk i përmbante dot lotët teksa ndante dhimbjen për humbjen e papritur të mikut dhe kolegut të saj.

Gjatë ceremonisë, Dafina iu afrua familjarëve të Kasapit dhe i përqafoi, duke i dhënë mbështetje në këtë moment të vështirë.

Vdekja e papritur e Shpat Kasapit ka tronditur thellë jo vetëm familjen dhe miqtë, por edhe të gjithë kolegët e tij në skenën muzikore dhe fansat, të cilët vazhdojnë të ndajnë dhimbjen për humbjen e një prej artistëve më të dashur të vendit.

Nis ceremonia mortore për Shpat Kasapin në Pallatin e Kulturës në Tetovë

Ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, ka filluar në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku janë mbledhur familjarë, miq, kolegë dhe adhurues të muzikës për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Atmosfera është e mbushur me emocione dhe trishtim, ndërsa të pranishmit i bëjnë homazhe artistit që u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare.

Përveç familjarëve të ngushtë, në ngjarje janë parë edhe figura të njohura të skenës muzikore shqiptare, mes të cilëve Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët kanë ardhur për të nderuar karrierën dhe kontributin e Shpat Kasapit në muzikën shqiptare.

Të pranishmit ndajnë kujtime dhe emocione, duke reflektuar mbi ndikimin e madh që Kasapi la në publik dhe kolegët e tij.

Ceremonia mortore do të vazhdojë drejt varrezave të qytetit, ku Shpat Kasapi do të prehet përfundimisht, ndërsa kjo e sotmja shërben si moment për të përkujtuar jetën dhe arritjet e tij artistike.

Ceremonia e homazheve për Shpat Kasapin, Big Mama shfaqet thellësisht e prekur

Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare si pasojë e një ataku në zemër.

Ditën e sotme ai do të përcillet për në banesën e fundit, ndërkohë që homazhet janë caktuar të zhvillohen në Pallatin e Kulturës në Tetovë në orën 11:00.

Big Mama u shfaq thellësisht e prekur, me lot në sy gjatë ceremonisë së homazheve.

E veshur me rroba të zeza, ajo qëndroi pranë të pranishmëve, duke marrë ngushëllimet dhe duke mbajtur një shami në dorë, ndërsa emocionet nuk i lejuan të fshihej pas një qetësie të jashtme.

Në dorë mbante edhe një fotografi bardh e zi të Shpatit, që simbolizonte kujtimin e përhershëm dhe vendin special që ai do të kishte gjithmonë në zemrën e saj.

Big Mama dhe Shpati ishin miq të ngushtë dhe kolegë që prej vitit 1997, duke bashkëpunuar shpesh në programe festive.

Ajo ka treguar se pak ditë para ndarjes nga jeta, Shpati kishte shprehur dëshirën që ata të këndonin së bashku këngën “Sajzeza”.Pas ceremonisë, procesioni mortor do të vazhdojë drejt varrezave të qytetit, ku dhe do të kryhet varrimi i Kasapit në orën 14:00.

Partnerja e këngëtarit ka bërë të ditur gjithashtu se ceremonia mortore do të mbahet ditën e diel, më 30 nëntor.

Kujtojmë se këngëtari ndodhej së fundmi në Itali për një vizitë familjare, ku qëndronte së bashku me djalin e tij.

Gjatë karrierës së tij, Shpat Kasapi mori pjesë në festivale të njohura dhe realizoi bashkëpunime muzikore që lanë gjurmë te publiku.

Ai mbeti aktiv dhe i pranishëm në skenën muzikore, duke ruajtur popullaritetin edhe në vitet e fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat