Teksa afron dita e nisjes së edicionit të tretë të “Ferma VIP”, moderatorja Arbana Osmani ka ndarë me publikun detajet e plota rreth mënyrës se si mund të ndiqet ky reality show.
Përmes një videoje të publikuar në llogaritë zyrtare të programit, ajo i ka dhënë përgjigje një prej pyetjeve më të shpeshta të ditëve të fundit lidhur me transmetimin e pandërprerë të formatit.
Osmani ka bërë të ditur se spektakli do të jetë i aksesueshëm në një numër të madh platformash televizive dhe aplikacionesh.
Megjithatë, risia kryesore që ajo zbuloi për këtë sezon është transmetimi i drejtpërdrejtë në platformën YouTube, një vendim ky që u jep mundësinë të gjithë shqiptarëve kudo në botë ta ndjekin rrugëtimin e fermerëve pa asnjë pengesë gjeografike.
Kujtojmë se edicioni i tretë i “Ferma VIP” do të nisë transmetimin këtë të premte, duke mbledhur 24 personazhe të njohur publikë që do të jetojnë për 100 ditë nën vëzhgimin e 158 kamerave në një ambient totalisht të transformuar.