Videot intime tronditin rrjetin, reagon Kryemadhi: Personat që i kanë shpërndarë duhet të dënohen

Mediale Vip

Videot intime tronditin rrjetin, reagon Kryemadhi: Personat që i kanë shpërndarë duhet të dënohen

Më: 1 tetor 2026 Në ora: 13:44
Monika Kryemadhi

Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me videot intime të disa personazheve të njohur të ekranit, të cilat prej ditësh po qarkullojnë në rrjetet sociale.

E pyetur nga gazetarët nëse i kishte parë videot, Kryemadhi tha se po, duke shprehur keqardhje për personat e përfshirë dhe duke dënuar publikimin e materialeve private.

Sipas saj, përgjegjësia duhet të bjerë si mbi personin që i ka regjistruar pamjet, ashtu edhe mbi ata që i kanë shpërndarë ato.

“Po, i kam parë. Përveç ndjenjës së shëmtuar që më la për shkak të viktimave, të gjitha atyre grave apo vajzave, kushdo që janë. Personi i cili i ka bërë, ai që i ka regjistruar, por edhe ai që i ka shpërndarë, është një veprim shumë i ulët dhe që duhet të dënohet”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo theksoi se jeta private e individëve nuk duhet të bëhet objekt gjykimi publik, duke kundërshtuar mënyrën se si shoqëria reagon ndaj rasteve të tilla.

“Ajo që dua të them është se nuk ka çfarë t’i duhet asnjërit se çfarë bën një njeri në dhomën e vet të gjumit apo me jetën private”, u shpreh ajo.

Kryemadhi kritikoi gjithashtu vëmendjen që, sipas saj, i kushtohet këtyre rasteve në raport me probleme të tjera sociale dhe ekonomike në Shqipëri.

“E tjetra është mënyra se si ne po fillojmë të gjykojmë situatat problematike dhe gjithë jetën shoqërore të shoqërisë sonë është e tmerrshme. Të ndihesh më i dhunuar nga një video porno që shikon se sa nga taksat e larta, nga largimi i të rejave dhe të rinjve, shpopullimi i Shqipërisë, është fatkeqësi e madhe dhe për mua fatkeqësi kombëtare”, tha ajo.

Në fund, Kryemadhi përsëriti qëndrimin e saj kundër publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime pa pëlqim, duke thënë se ndien “neveri” për personat përgjegjës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat