Zëri i saj u dëgjua edhe atëherë kur ishte rrezik i madh të këndoje “N’Dardani bjen një tupan”, duke kujtuar realizimin e albumit të parë në vitin 1983, dhe askush nuk mundi ta ndalojë.
E kemi fjalën për artisten e dashur të folkut dhe muzikës së mirëfilltë popullore, Hajrie Preniqi Gashi, e cila, pas rikthimit të saj me albumin më të ri dhe të dytin, “Këngët tona”, nuk ka ndalur më, duke pasuruar muzikën shqiptare me projekte mjaft të bukura.
Vetëm pak ditë më parë, ajo ka lansuar këngën e saj më të re, me titull “Balada e Gurbetit”, për tekstin e së cilës është kujdesur Albtraks, me muzikë nga Albtraks, e përpunuar nga Hysni Klinaku dhe e regjistruar në Studio Lumi.
Edhe një herë, artistja me origjinë nga Kosova, por që jeton dhe vepron në Holandë, sjell një vlerë të dashur në fonotekën e muzikës shqiptare, me zërin dhe interpretimin e saj unik, përmes një teme drithëruese që u përket shqiptarëve dhe që ajo e ka përjetuar në lëkurën e saj, siç është gurbeti.
Nëse ende nuk e keni parë dhe dëgjuar, ju ftojmë që, përmes linkut më poshtë, ta klikoni dhe të kënaqeni me këngën e saj më të re.BS