​Ahmeti: Komuna do ta përballonte koston prej 9 milionëve për ta ndërtuar sallën koncertale

Prishtina

​Ahmeti: Komuna do ta përballonte koston prej 9 milionëve për ta ndërtuar sallën koncertale

Më: 12 mars 2021 Në ora: 16:24
Shpend Ahmeti

Komuna e Prishtinës ka shpalosur tri projekt-propozimet për ndërtimin e Sallës Koncertale në ish shtëpinë e mallrave “Gërmia”. Projektet ideore u konsideruan si fenomenale dhe do të ruanin trashëgimin dhe memorien e ish Gërmisë. Derisa u tha se tek javën e ardhshme do të dihet se cili projekt do të përzgjidhet nga komuna.

Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti në një konferencë për media, tha se për ta bërë përzgjedhjen e duhur kanë aranzhuar jurinë profesionale që përbëhet nga profesorë ndërkombëtarë, arkitekt dhe nga pjesëtarë nga Institutit i Trashëgimisë Kulturore.

Sipas tij, nëse kosto financiare e ndërtimit të saj është 9 milionë euro, sikur projekti i parë i prezantuar, atëherë brenda dy viteve e njëjta do të ndërtohet.

Ahmeti: Ideja ka qenë që të ruhet sa më shumë identiteti dhe memoria

“Ideja ka qenë që të ruhet sa më shumë identiteti dhe ruhet memoria. Por në anën tjetër sikur edhe plotë qytete sot në botë, e veçanërisht në Evropë ku investohet në ndërtesë, ruhet trashëgimia e qytetit, por bëhet intervenimi në atë mënyrë që të kemi edhe memorien dhe diçka që të përdoret në kohë moderne....Nëse kosto është 9 milionë Prishtinë mundet për dy vite me përfundu këtë sallë në mënyrë që në vitin 2023 të kemi të gatshme për koncerte”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, Ahmeti tha se ky konkurs është vetëm për zgjedhje, e jo vendim për ndërtim, pasi kosto mund të jetë e lartë e fituesit nga ana e jurisë.

Ahmeti: Ky është konkurs për zgjedhje, nuk është vendim për ndërtim

“Ky është konkurs për zgjedhje, nuk është vendim për ndërtim. Mund të ndodh që ata që e fitojnë vendin e parë të jetë ma e mira, po të vendosim mos ta ndërtojmë se kushton 50 milionë euro që na nuk i kemi. Por ideja jonë është që të vendoset për të mirën. Në momentin që vendosë komisioni ta qesim në tender për të filluar ndërtimi i saj... Besoj që javën e ardhshme bëhet përzgjedhja, ata kanë pasur një takim dhe do të tregon se kur kryhet kush ka fituar. Pastaj e hapim pjesën tjetër të ofertës që ka të bëjë me kompania edhe ofertën financiare se sa do të kushtojë”, shtoi ai.

Ani pse i bëri publike projektet, Ahmeti nuk i zbuloi emrat e kompanive, pasi tha se të njëjtat sipas rregullave janë dorëzuar vetëm me shifra.

Ahmeti: Kemi marrë tre profesorë ndërkombëtar

“Kemi marrë tre profesorë ndërkombëtar, njëri është i universitetit të Havardait, Zagrebit dhe Stambollit të cilët kemi kërkuar të jenë pjesë e jurisë, dy nga shoqata e arkitekteve, një anëtarë të komunës dhe nga Institutit i Trashëgimisë Kulturore... nuk e dina cili propozim i kujt është. Prandaj sot nuk iu tregojmë se kush është kompania sepse sipas rregullave të prokurorimit këto janë dorëzuar me numër, shifër që komisioni mos me ditë cili propozim i takon”, deklaroi Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat