Mbahet aktiviteti “Super Çikat”, Rama: Ato po tregojnë që munden dhe janë më të mirat

Prishtina

Mbahet aktiviteti “Super Çikat”, Rama: Ato po tregojnë që munden dhe janë më të mirat

Më: 8 mars 2023 Në ora: 17:42
Përparim Rama

Komuna e Prishtinës, sot, me rastin e Ditës së Gruas organizoi aktivitetin “Super Çikat”. Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh ka numër të madh të çikave e grave që tashmë e kanë arritur kulmin nëpër profesione të ndryshme.

Ai përmendi disa nga çikat dhe gratë e suksesshme të Kosovës, me ç’rast, theksoi se ato po sfidojnë stigmat që kanë qenë deri më tani dhe po tregojnë që ato me të vërtetë munden.

Rama: Çikat po i sfidojnë stigmat që kanë qenë deri më tani

“E kemi presidenten Osmani, e kemi pasur edhe presidenten Jahjaga, kemi edhe çikat e famshme, Dua Lipa, Rita Ora, kemi Majlinda Kelmendi, në profesione të ndryshme kemi Uta Brahimi, Mrika Nikçi, alpinistja më e re që po i hyp majat më të larta në botë, kemi edhe programere Zana Tabaku, kemi sot një numër të madh të profesioneve nga çikat, ku edhe çikat pra po i thyejnë, po i sfidojnë stigmat që kanë qenë deri më tani dhe po tregojnë që ato me të vërtetë munden dhe jeni më të mirat. Çdo shoqëri është edhe më e ngritur nëse ka gra në vende kyqe... Këtu dua t’i lus grat, nënat tona, që edhe ne ta bëjmë ndryshimin edhe nga vegjëlia se edhe nëna i thotë “djali jem, djali jem”, duhet edhe prej vegjëlisë me pas një barazi që çikat me qenë të barabarta që mos me pasë diskriminim”, tha Rama.

Gjatë aktivitetit “Super Çikat” u zhvillua një bashkëbisedim. Me këtë rast, nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu tregoi një histori të saj, me ç’rast, tha se asnjëherë nuk ka ëndërruar të punojë si nënkryetare.

Sahatçiu: Çdo kush mundet me qenë në pozitën e nënkryetares

“Unë e kam një histori krejt tjetër, sepse unë asnjëherë nuk kom ënderru që me qenë nënkryetare, kur kthehem mbrapa me mëndu gjithmonë i kam marrë lakmi fëmijëve të tjerë që kane pasur një qëllim se çka kanë mu bo kur të rriten, kane pasur një profesion. Unë kom studiu menaxhment dhe kam përfundu me politik, që nënkupton që krejt panelistët dhe të gjithë ju mundeni me qenë nënkryetare, sepse nuk ka profesion të pozitës të cilën mundesh me gëzu, por duhet mi pas disa përbërës specifik me të ndihmu me marrë rolin dhe përgjegjësinë që të takon. E për mua ajo e veçanta si përbërës ka qenë se gjithmonë e kam gjetur vetën duke punuar me njerëz”, tha Sahatçiu.

E Ilirjanë Bunjaku, ushtare në Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se vendimi për të qenë pjesë e ushtrisë ka qenë i kamotshëm. Ajo potencoi se vazhdimi i traditës familjare ka qenë një nga arsyet se pse ajo ka marrë një vendim të tillë.

Bunjaku: Vazhdimi i traditës familjare ka qenë arsyeja për profesionin tim

“Vendimi për të qenë pjesë e ushtrisë, ka qenë i kamotshëm, ka qenë në kohën kur ju jeni sot dhe ka qenë spontan dhe i natyrshëm për shkak të luftës të lavdishme të ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe për shkak që babai im ka qenë pjesë e ushtrisë çlirimtare dhe pastaj shumë prej shokëve të tij kanë rënë dëshmorë dhe pas kësaj ai ka arritur të jetë pjesë e trupave mbrojtës së Kosovës, përmes kësaj vazhdon të jetë pjesë e sigurisë së Kosovës... Vazhdimi i traditës familjare ka qenë një nga arsyet se pse un e kam marrë këtë vendim, dhe gjithashtu do të ndihmojë dhe do të mbështesë kontributin tim në aspektin e sigurisë për qytetarët e Kosovës.”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat