Falsifikoi dokumentin zyrtar, 5 mijë euro gjobë ndaj zyrtarit të Fushë-Kosovës

Prishtina

Falsifikoi dokumentin zyrtar, 5 mijë euro gjobë ndaj zyrtarit të Fushë-Kosovës

Më: 12 maj 2023 Në ora: 10:24
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Latif Ibrahimi, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Ibrahimi, u shpall të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Ibrahimi u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e tij, dënimi me burgim iu zëvendësua me 5 mijë euro gjobë.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari obligohet që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 100 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Pala e pakënaqur, ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 korrik 2020, Latif Ibrahimi akuzohet se më 3 dhjetor 2017, në zyrën e Gjendjes Civile në Fushë-Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në cilësinë e personit zyrtar të Gjendjes Civile, në regjistër ka shënuar të dhëna të rreme, me qëllim që të pandehurit Marjan Veljiçkoviq t’ia mundësojë marrjen e dokumenteve personale të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas aktakuzës Ibrahimi ka bërë ndërhyrje në sistemin elektronik të Gjendjes Civile, duke përdorur të dhënat personale të Marjan Veliçkoviq, ashtu që ka bërë rishkrimin e lindjes respektivisht gjenerimin e numrit personal të dëshmitarit, kjo duke shtuar shkronjën “J” në mbiemrin e të njëjtit dhe të prindërve të tij – Veljiçkoviq.

Në aktakuzë, thuhet se me ndryshmin e tillë në sistemin elektronik të gjendjes civile, automatikisht është gjeneruar numër i ri personal për të pandehurin Marjan Veljiçkoviq, por të dhënat e tjera kanë mbetur të njëjta me ato të dëshmitarit, me të cilin rast të pandehurit Marjan Veljiçkoviq i është mundësuar të pajiset me letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni  434, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme deri në 5 vite burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat