​Zjarri në një shtëpi në Prishtinë, shkak faktori njeri

Prishtina

​Zjarri në një shtëpi në Prishtinë, shkak faktori njeri

Më: 18 maj 2023 Në ora: 11:57
Shtëpia është përplot me mbeturina, për çka janë ankuar edhe banorët përreth.

Një shtëpi e pabanueshme është përfshirë nga zjarri në rrugën “Vasil Andoni” në Prishtinë, dhe dyshohet se kjo ka ndodhur si pasojë e mbeturinave në këtë objekt. Nga Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave kanë deklaruar se shkak është faktori njeri, ani pse nuk dihet nëse ka qenë e qëllimshme.

Shtëpia është përplot me mbeturina, për çka janë ankuar edhe banorët përreth.

Inspektori i preventivës në kuadër të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, Muharrem Beka, ka thënë se ka persona jo rezident të cilët qëndrojnë në këtë shtëpi dy-katëshe.

Beka: Faktori njeri është 100 për qind shkaktar

“Gjatë hulumtimit që kemi bërë tash, sapo e përfunduam është diçka e çuditshme se ka aq shumë mbeturina është shtëpi e banuar në mënyrë, nga njerëz të cilët nuk janë rezident. Dikush që nuk e dimë as kush janë ata. Në fillim është aluduar se është edhe prej instalimeve, por nuk është edhe pse ka kyçje ilegale. Mirëpo, faktori njeri është 100 për qind. Ne mund të vërejmë se a është aksidentale dhe ka gjasa që është e qëllimshme për shkak për të eliminuar këtë gjendje sepse është me të vërtetë jashtëzakonisht e keqe, e stërmbushur me mbeturina”, ka thënë Beka.

Tutje, Beka ka shtuar se dyshohet që zjarri ka nisur në hyrje të prapme, në korridorin e shtëpisë.

Beka: I gjithë podrumi dhe pjesa lartë është plot me mbeturina

“I gjithë podrumi poshtë edhe pjesa ka oborri edhe lartë është plot mbeturina. Ne e pamë një pikënisje, dyshohet se ka filluar prapa atje në një korridor, mirëpo nuk gjetëm diçka, gjurmë bindëse që ka mundur të shkaktohet e qëllimshme apo ka mundur të hedhet diçka aksidentalisht, mirëpo faktori njeri është i sigurt. Nuk është prej instalimeve elektrike. Ne e pamë një dhomë të adaptuar atje, me disa shtretër, një gjendje jashtëzakonisht e keqe”, ka shtuar inspektori i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.

Ibrahim Delibashzade, i cili jeton përballë shtëpisë së djegur, ka thënë se tash e sa kohë janë ankuar në polici për këtë gjendje.

Delibashzade: 100 herë i kemi lajmëruar

“I vjen era, na mbyten minjtë as që mundem me punua qe ku e kam ordinancën prej papastëtisë. Vjen policia hyn brenda, nuk kanë cka t’i bëjnë, tha ‘duhet me sigurua banesë’. Por, ti hiqe prej këtuhit nuk është e atij....Është e disa biznismenave, nuk ju di emrat...Gjithë ato harrna, gjithçka ka brenda...100 herë i kemi lajmëruar, por kujt. Vetëm vijnë policia e shëtisin, asgjë tjetër”, ka shtuar ai.

Në njoftimin e Policisë thuhet se informata për një zjarr është pranuar rreth orës 08:45.

“Rreth orës 08:45, është pranuar informata për një zjarr në rrugën “Shaban Polluzha” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ftuar zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit si dhe zyrtarët e KEDS-it. Dyshimet e para sugjerojnë që nga zjarri të jenë përfshirë disa mbeturina përpara një objekti të pabanueshëm. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përveç zjarrfikësve, në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe ekipet e KEDS-it, ku është thënë se kjo shtëpi ka pasur kyçje ilegale në rrjetin elektrik. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat