Çështja e mbeturinave, Rama shpall gjendje të jashtëzakonshme

Prishtina

Çështja e mbeturinave, Rama shpall gjendje të jashtëzakonshme

Më: 3 shkurt 2025 Në ora: 10:45
Foto ilustrim

Çështja e mbeturinave është kthyer në një problem të madh për Komunën e Prishtinës.

Lidhur me këtë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur një konferencë për media.

Ai gjatë fjalës së tij ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme sa i përket mbeturinave në kryeqytet.

Rama ka thënë se janë angazhuar kompani private për menaxhim të mbeturinave pasi kompania “Pastrimi”, sipas tij nuk ka kapacitet ta kryejë menaxhimin e tyre e vetme. 

“Kemi angazhuar kompani private për menaxhim sepse “Pastrimi” s’ka pas kapacitet ta bëjë menaxhimin e mbeturinave. Prej që ka ardhur, (Bekim v.j.) Brestovci gjendja është përmirësuar. Por, dikujt si duket i ka penguar, LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet, gjendjen emergjente që e kemi shpallë do ta vazhdojmë edhe tash”, ka thënë ai. 

Në anën tjetër Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka thënë se me këtë gjendje janë dërguar sinjale politike.

Sipas tij, opozita në Kuvendin komunal, LVV-ja dhe PDK-ja kanë marrë vendime që bien ndesh me ligjin. 

Për gjendjen e krijuar, në Komunën e Prishtinës patën fajësuar bojkotin që punëtorët e ndërmarrjes e ndërmorën për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeshefit të “Pastrimit”.

Lidhur me angazhimin e privatëve në pastrimin e Prishtinës, punëtorët e “Pastrimit” kanë protestuar gjatë muajit nëntor.

Me anë të kësaj proteste, rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes patën shprehur drojën se mund të mbesin pa punë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat