Projekti i sheshit ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë, Loxha – Vitaku: Është bërë veprimi pa e marrë një pëlqim

Prishtina

Projekti i sheshit ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë, Loxha – Vitaku: Është bërë veprimi pa e marrë një pëlqim

Më: 12 prill 2025 Në ora: 20:54
Rrezarta Loxha- Vitaku

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Rrezarta Loxha- Vitaku, ka arsyetuar veprimet për ndalimin e punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë. 

Sipas saj, Komuna e Prishtinës filloi punimet e këtij projekti pa marrë pëlqimin nga IKMM.

Loxha- Vitaku deklaroi se vetëm pas marrjes së vendimit për ndalim të punimeve nga Instituti, Komuna ka aplikuar për dhënie të pëlqimit për punimet në sheshin ‘Xhorxh Bush’.

Ajo shtoi se brenda javës së ardhshme do të përfundojë afati për shqyrtimin e lëndës nga Instituti me ç’rast edhe tha se do të njoftohet Komuna për hapat që duhet t’i ndërmarrë tutje lidhur me këtë projekt.

Loxha- Vitaku ka shtuar se IKMM në këtë rast, ka marrë hapat që i takojnë sipas ligjit.

“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka marrë hapat e vet sipas ligjit, i ka ndalë punimet dhe e udhëzon palën se si duhet vepruar deri në marrjen e një pëlqimi”.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, më 07.04.2025, njoftoi se ka iniciuar kallëzim penal ndaj inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore. Kryetari Rama konsideron se të gjitha projektet transformuese në Prishtinë janë bllokuar dhe ndaluar nga autoritetet e nivelit qendror.

Dy ditë pasi Përparim Rama përuroi fillimin e punimeve për sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit vendosi një njoftim për ndalimin e punimeve.

Kjo nuk kaloi pa reagime nga pushteti komunal i Prishtinës, pasi atë ditë zyrtarë të Komunës përmes një Konference të thirrur për media paralajmëruan përsëri vazhdimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat