Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, ka njoftuar se tashmë me Komunën e Prishtinës kanë nënshkruar kontratën për mirëmbajtje të hapësirave sipërfaqësore.
KRM “Pastrimi” në reagimin e tyre thotë se vlerëson çdo përpjekje për fillimin e bashkëpunimit dhe angazhimit në adresimin e situatës së krijuar me largimin e mbeturinave.
Megjithatë, ata thonë se kjo kontratë nuk e adreson problemin themelor, i cili ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave nga qytet.
Po ashtu, ata kanë dhënë edhe disa sqarime për kontratën.
“Sqarojmë që Kontrata për mirëmbajtje të hapësirave sipërfaqësore e nënshkruar nga dy palët ka të bëjë mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave sipërfaqësore, si parqet, hapësirat publike të lagjeve dhe zona të tjera të ngjashme, dhe përbënë shërbim krejtësisht tjetër nga problematika bazë. Në dakordim me përfaqësuesit e punëtorëve, është vendosur të nënshkruhet kjo kontratë, si një shërbim shtesë”, thuhet në reagimin e tyre.
Megjithatë, ata theksojnë se “kjo kontratë nuk e adreson problemin themelor, i cili ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave nga qyteti, si dhe me pagesat e papaguara për më shumë se katër muaj”.
“Këto mjete janë thelbësore për të siguruar furnizimin me naftë dhe për të rifilluar menjëherë operimin e rregullt, duke garantuar gjithashtu edhe stabilitet financiar afatgjatë.
Prandaj, kërkojmë nga Komuna që të ulemi urgjentisht për të zgjidhur çështjen themelore – kontratën për shërbimet bazë dhe obligimet financiare të papaguara deri tani – në mënyrë që t’i kthehemi sa më parë normalitetit dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Prishtinës. Qëndrojmë të hapur dhe të gatshëm për bashkëpunim, në çdo kohë”, vijon reagimi.
Ndryshe, KRM “Pastrimi”, tash e disa ditë ka ndërprerë shërbimet për shkak të krizës financiare, e që sipas tyre është shkaktuar nga Komuna e Prishtinës”.