Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A. ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës për mirëmbajtjen e hapësirave sipërfaqësore me Komunën e Prishtinës, por thekson se kjo nuk e zgjidh problemin thelbësor të largimit të mbeturinave nga qyteti.
Përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve, KRM “Pastrimi” vlerëson përpjekjet për fillimin e bashkëpunimit.
“Sqarojmë që Kontrata për mirëmbajtje të hapësirave sipërfaqësore e nënshkruar nga dy palët ka të bëjë mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave sipërfaqësore, si parqet, hapësirat publike të lagjeve dhe zona të tjera të ngjashme, dhe përbënë shërbim krejtësisht tjetër nga problematika bazë. Në dakordim me përfaqësuesit e punëtorëve, është vendosur të nënshkruhet kjo kontratë, si një shërbim shtesë”, thuhet në njoftim.
Sipas kësaj kompanie kjo kontratë nuk e adreson problemin e shërbimit primar të largimit të mbeturinave nga qyteti dhe problemin me pagesat e papaguar për më shumë se katër muaj.
Këto vonesa, sipas “Pastrimi”-t, po pamundësojnë furnizimin me karburant dhe funksionimin normal të flotës së automjeteve.
“Megjithatë, kjo kontratë nuk e adreson problemin themelor, i cili ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave nga qyteti, si dhe me pagesat e papaguara për më shumë se katër muaj. Këto mjete janë thelbësore për të siguruar furnizimin me naftë dhe për të rifilluar menjëherë operimin e rregullt, duke garantuar gjithashtu edhe stabilitet financiar afatgjatë. Prandaj, kërkojmë nga Komuna që të ulemi urgjentisht për të zgjidhur çështjen themelore – kontratën për shërbimet bazë dhe obligimet financiare të papaguara deri tani – në mënyrë që t’i kthehemi sa më parë normalitetit dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Prishtinës”, theksohet në njoftim.