Shoferi injoron shenjat, ngec me kamion në tunelin e Kurrizit – Komuna paralajmëron gjoba

Prishtina

Shoferi injoron shenjat, ngec me kamion në tunelin e Kurrizit – Komuna paralajmëron gjoba

Më: 30 korrik 2025 Në ora: 21:29
Pamje nga videoja

Shenja është vendosur.

Mirëpo nuk u respektua.

Kësisoj, ky kamion i peshave të rënda ngeli në tunelin e Kurrizit në kryeqytet.

Se cilat janë dëmet që shkaktoi shoferi i këtij kamioni, tregoi për televizionin drejtori i Drejtorisë për Transformim në komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati.

“Një shofer në këtë rast i papërgjegjshëm ka hyrë në tunelin i cili është një kahor, domethënë dy gabime janë bërë njëri që ka hy në anën e kundërt e pjesa tjetër është që nuk i ka respektuar  shenja e komunikacionit që janë të vendosura në hyrje dhe në dalje të tunelit. Tani janë duke i bërë kalkulimet për dëmin që është bë në këtë rast do të paguhen komplet, shoferi do të gjobitet dhe elementet e ventilimit të cilat janë shkëput e janë dëmtuar duhet të rinovohen”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka një apel për qytetarët që frekuentojnë këtë zonë.

“Përveç shoferëve edhe qytetarët duhet të ruajnë hapësirë publike sepse ajo është në dobi të të gjithëve, është për banorët e për të gjithë e vëmendje e  kujdes sa më shumë”, është shprehur tutje Kastrati.

Pas renovimit që i është bërë këtij tuneli, rruga e cila ishte dy kahëshe, nuk është më e tillë.

Mu kjo arsye, sipas banorit të kësaj zone Xhavit Miftari, është arsyeja që mbrëmë ka ndodhur ky incident.

“Ka ankesa nga vozitësit për këtë punë që është kryer nga  kjo rrugë nga dy kahore është kthyer në një është vështirësuar e është ngulfat. Nuk po shoh që është bërë ndonjë ndryshim përveç kësaj ngjyrosjes. E mbajnë mend vozitësit që ka qenë dy kahore tu e menduar që është ashtu edhe pse janë shenjat por nuk i shikojnë”, ka thënë Miftari.

E një qytetar tjetër thotë se rastet e tilla mund te ndodhin.

“Ka një gabim por në përgjithësi po shkon mirë se është vendos që vetëm në një kahje me kaluar këndej kerret”, ka thënë qytetari.

Ky tunel ishte hapur më 28 qershor, pas renovimit rreth 1.2 milion euro që i ishte bërë nga Komuna e Prishtinës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat