Uran Ismaili: Kam zgjidhjet për çdo lagje të Prishtinës, shumica ende s'kanë kushte elementare

Prishtina

Uran Ismaili: Kam zgjidhjet për çdo lagje të Prishtinës, shumica ende s'kanë kushte elementare

Më: 29 gusht 2025 Në ora: 17:02
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka theksuar se qasja e tij në qeverisjen lokale do të fokusohet në projekte konkrete për çdo lagje të kryeqytetit, duke u bazuar në problemet që qytetarët i kanë ngritur drejtpërdrejt në biseda me të.

Ai tha se shumë lagje të Prishtinës sot nuk i kanë kushtet elementare: nuk kanë çerdhe, stacione autobusësh, ndriçim publik, parqe apo kënde lojërash.

Po ashtu, sipas tij, ato janë të përjashtuara nga aktivitetet kulturore, sportive dhe nga shumë shërbime të tjera komunale “Veç për një gjë nuk janë të përjashtuar – me shku me ia lypë votën,” u shpreh ai.

Ismaili theksoi se në rast të zgjedhjes së tij në krye të qytetit, për secilën lagje do të ketë plan dhe buxhet të ndarë, i cili do t’u përgjigjet specifikisht nevojave dhe problemeve të banorëve.

“Qëllimi im është që kur të dal në Kodrën e Trimave, në Hajvali, në Dardani, në Tophane apo te Muhaxherët, t’u them: ‘Shiko, këto projekte ju takojnë juve dhe ky buxhet është i juaji’. Jo të premtohen projekte e në realitet ato të mos realizohen kurrë,” përfundoi Ismaili.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat