Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se familjet e prekura nga vërshimet në Kodrën e Trimave janë sistemuar përkohësisht në banesa me qira, derisa të zgjidhet problemi në zonat e rrezikuara, raporton KosovaPress.
I pari i Prishtinës bëri të ditur se një familje është zhvendosur, ndërsa dy të tjera janë në proces, duke shtuar se vërshimet janë pasojë edhe e ndërtimeve pa leje në zona të rrezikuara.
“Jemi këtu në kodrën e trimave në rrugën ‘Aziz Zhilivoda’ që ka pasur probleme me vërshime dhe erdhëm për t’i vizituar familjet... Iu kemi gjetur tashmë zgjidhje me banesa me qira deri sa të zgjidhet problemi këtu, në këto zona që janë vërshuar mirëpo në bazë të analizave po shihet kjo që ka probleme të cilat i ka bërë vetë njeriu të krijuara si rezultat i ndërtimeve pa leje, në një zonë që zakonisht vërshohet shumë leht... Tashmë një familje vetëm se ka lëvizë në ndërtesë me qira dhe dy familje të tjera janë po ashtu duke u trajtuar”, tha ai.
Komuna ka angazhuar ekipet emergjente për menaxhimin e situatës dhe strehimin e përkohshëm të familjeve të prekura.