Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të cigareve pa banderola gjatë një kontrolli të realizuar në një garazh të një shtëpie në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, aksioni është ndërmarrë pas pranimit të një informate përmes rrugëve operative dhe pas autorizimit të dhënë nga Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë gjetur dhe sekuestruar 44 pako cigare pa banderola, për të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës. Vlera e përgjithshme e cigareve të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 15 mijë euro, ndërsa shmangia nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogaritet të jetë mbi 30 mijë euro.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, personi i dyshuar – i cili dyshohet të jetë pronari i mallit – është intervistuar lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa cigaret e gjetura janë konfiskuar nga autoritetet.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm, duke bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë për trajtimin e rasteve të tilla.