Blendi Klosi: Projekti i 100 fshatrave ka sjellë zhvillim në turizëm

Shqipëria

Blendi Klosi: Projekti i 100 fshatrave ka sjellë zhvillim në turizëm

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 21:21
Blendi Klosi

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi thotë se projekti i 100 fshatrave turistikë i nisur në fund të vitit 2018, ka sjellë zhvillim pozitiv në ekonominë vendase. Ai numëroi disa modele suksesi ndërsa shtoi se, deri tani janë 25 pika agroturizmi të licencuara.

“Synimi ishte të krijonim rrugë të reja turistike njëlloj hartëzimi dhe ngritje potenciali. Para nisjes së iniciativës nuk kishte më shumë se 2-3 pika ndërsa sot janë 25 pika të licencuar”, tha Klosi.

Ai u shpreh se bizneset e agroturizmit kanë përfituar dhe lehtësira fiskale nisur nga fakti se kanë sjellë zhvillim në zonat përkatëse.

“Fishta, së bashku me rigjenerimin e Shtëpisë së Fishtës dhe lehtësirave fiskale për Mrizin e Zanave ka zhvilluar atë zonë si pol ekonomik. Të gjithë ata që kanë marrë licencë agroturizmi kanë lehtësi fiskale; 5% tatim fitimin dhe 6% TVSH aq sa tatohen dhe hotelet me 5 yje”, shtroi ministri i Turizmit.

“Kur e nisëm këtë projekt kishte vetëm sa gishtat e dorës agroturizëm. Potenciali është shumë i madh dhe shumë veta po e mendojnë si biznes me të ardhme. Ka shumë që janë kthyer nga emigracioni dhe kanë investuar”, shtoi Klosi.

Ministri përmendi si histori suksesi investimet në Rroshnik të Beratit dhe Nivicë të Vlorës.

“Vetëm në Rroshnik në Berat dhe ndikimi shkon në më shume se 600 persona. Sot Nivica është kthyer një pikë turistike nga ndërtimi i dy agroturizmëve në kanionët e saj. E gjithë kjo ka sjellë një sinergji të re. Në dy vjet kemi krijuar një frymë të re dhe besoj se është e mjaftueshme për të thënë që është një politikë e suksesshme”, përfundoi Klosi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat