Vaksinat anti-Covid, Haxhiu: Sukses i qeverisë, Bushati: Rama do t'i përdorë për fushatë

Shqipëria

Vaksinat anti-Covid, Haxhiu: Sukses i qeverisë, Bushati: Rama do t'i përdorë për fushatë

Më: 4 janar 2021 Në ora: 21:13
Emisioni

Andi Bushati dhe Baton Haxhiu përballën në emisionin “Shock” në Euronews Albania zotimin e qeverisë për të marrë 500 mijë vaksina anti-Covid nga kompania Pfizer/BioNTech.

Haxhiu e konsideroi sukses, ndërsa Bushati tha se “pamundësia e shitur si sukses është gënjeshtër” dhe e cilësoi numrin e raportuar si lëvizje për efekt elektoral përpara zgjedhjeve.

Për Haxhiun sigurimi i vaksinave nga qeveria Rama ishte një prej sukseseve më të mëdha të Ballkanit. Ai e lidhi këtë cilësim me faktin se Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit vinte nga një vit i vështirë, duke nënkuptuar këtu pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Kur BE-ja vendosi t’i marrë në tetor vaksinat vetëm për popullsinë e vetë, la 22 milionë njerëz të Ballkanit jashtë dhe për këtë shtetet e Ballkanit në nëntor nisën nismën përmes institucioneve [kompanive] për të marrë vaksina drejtpërdrejt dhe ky është një prej sukseseve të një prej vendeve të vogla që e ka arritur kryeministri i vendit [Edi Rama],” – tha Haxhiu duke e lidhur këtë lëvizje të vendeve të rajonit si rrjedhojë e faktit se nisma COVAX nuk siguroi kontrata me dy prej kompanive që i zhvilluan vaksinat të parat.

Mirëpo Bushati e kundërshtoi këtë qëndrim, duke bërë një llogari, kjo duke u nisur nga deklaratat e qeverisë.

“Le të bëjmë një analizë, kur do të vijnë këto 500 mijë vaksian, në janar do të vijnë 10 mijë, në shkurt 30 mijë doza, pjesëtoji për dy se duhen nga dy, sa persona do të vaksinohen në dy muajt e parë?! Njëzetmijë vetë?! Asgjë!” – tha Bushati duke mos e konsideruar sukses kontratën e qeverisë me kompaninë Pfizer/BioNTech.

Për numrin Haxhiu kundërshtoi duke thënë se gjithçka është me kontratë dhe “me siguri do të jenë shumë më shumë”.

“Organizata ndërkombëtare si Aleanca Universale për Vaksinën thotë se për vendet e varfëra do të ketë zero impakt vaksinimi brenda këtij viti, mos t’i gënjejmë njerëzit sepse do të ketë zero impakt,” – replikoi Bushati.

Mirëpo sipas Haxhiut vlerësimi në fjalë vjen si pasojë e mos-sigurimit të vaksinave nga nisma e COVAX-it që supozohej t’ia garantonte vaksinat edhe vendeve të varfëra.

Kësaj replike Bushati iu përgjigj duke thënë se sipas revistës “Nature” të gjitha kompanitë dhe laboratorët e mëdha mundet t’i sigurojnë vaksina vetëm 1/3-ës së popullsisë së botës.

Thënë këtë, Bushati doli në përfundimin se Rama po përgatitet për fushatë duke e kthyer atë si “mjet elektoral”.

Të pyetur rreth vaksinave ruse dhe deklaratës së Ambasadës Ruse për të siguruar një ndërmjetësim për Shqipërinë, Bushati tha se për këtë pjesë duhet të flisnin ekspertët, mirëpo kryeministri nuk duhej të vendoste politikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat